Opinion

Polonia i largohet demokracisë dhe fajin e ka Donald Trump!

07/26/2017 15:24
nga: Slawomir Sierakowski

Demokracia polake arriti një fitore të pjesshme momentale të hënën, kur Presidenti Andrzej Duda vuri veton për dy ligje kontradiktore që do t’i jepnin partisë në pushtet, Law e Drejtësi, kontroll direkt mbi gjykatat e Polonisë. Fitorja është momentale sepse Duda bëri të ditur se shpejt do të paraqiste versionin e tij të legjislacionit.

Nuk është sekret që partia Ligj e Drejtësi dhe lideri i saj, Jaroslaw Kaczynski, i kanë sytë mbi pavarësinë e gjyqësorit, një nga pengesat për të marrë kontrollin e shtetit polak. Më pak i mirëpritur por jo më pak i qartë është roli që ka luajtur SHBA në inkurajimin për të marrë një hap të tillë.

Kaczynski dhe partia e tij janë përpjekur për të kapur pushtetin që kur fituan zgjedhjet parlamentare më 2015, por sivjet kanë qenë veçanëritsht të pacipë. Gjatë një takimi të Bashkimit Evropian në mars, ata u përpoqën të ndalonin zgjedhjen e Donald Tusk, ish-kryeministër i Polonisë dhe kundërshtar i Kaczynskit, për një mandat të dytë si kreu i Këshillit të Evropës.

Humbën 27 vota me 1, një turpërim që kontribuoi për një rënie të lirë në sondazhe, çka si pasojë i ka bërë të synojnë për më lart e më shumë. Prej këtu vijnë edhe projektligjet e drejtësisë, të cilat i kanë mbështjellë me retorikën për nevojën e reformës së gjyqësorit.

Në këtë rrëmujë hyn në skenë Donald Trump, edhe ai vetë mes kontradiktave dhe në kërkim të lëvdatave. Shtëpia e Bardhë njoftoi se rrugës për takimin e G20 në Hamburg të Gjermanisë, ai do të vizitonte Poloninë, një vend i cilësuar prej kohësh si më pro-amerikani në Evropë.

Shtëpia e Bardhë përcaktoi edhe detajet: Zoti Trump do të pritej nga turma entuziaste, duke i dhënë botës përshtypjen e një lideri të fortë amerikane të adhuruar nga masat e huaja dhe liderët e tyre. Volitshëm, meqënëse mbledhja e Nismës së Tre Deteve do të mbahej në Varshavë, Trump mund të takohej me liderët e 11 vendeve të tjera të rajonit brenda një kohe të shkurtër.

Vizita i volitej edhe Kaczynskit. E luftuar në Evropë, qeveria e tij kishte nevojë të tregonte se Polonia gëzonte respektin e njërit prej politikanëve më të fuqishëm të botës.

Dhe kështu Trump erdhi në Varshavë, konfirmoi përkushtimin karshi Nenit 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive dhe premtoi kontrata për shitjen e raketave Patriot dhe gazit natyror Polonisë. Partia e Kaczynskit solli autobusët me turmën entuziaste dhe të dyja palët arritën në konkluzionin – dhe me të drejtë – se vizita ishte e suksesshme.

Pozicioni i Ligj e Drejtësi (LED) në sondazhe u përmirësua; më i freskëti, zhvilluar para votimin për reformën në drejtësi, tregoi 38% përkrahje për partinë dhe vetëm 19% për Platformën Civile, partia më e madhe e opozitës.

Vizita e z. Trump rastisi me legjislacionin për drejtësinë, i cili ishte në pritje të votës në Sejm, dhoma e ulët e parlamentit polak. Por pak para mbërritjes së tij, projektligjet u tërhoqën në mënyrë të papritur.

Megjithatë, sapo pikët në sondazhe dhe lëvdatat në shtyp nisën të rriten, partia i nxori përsëri projektligjet, duke shtuar një të tretë, për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga Sejmi. Meqënëse Gjykata e Lartë konfirmon rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale, projektligji do t’i jepte LED-it kontroll jo vetëm mbi gjykatat, por edhe mbi rezultatet elektorale (ky ishte një nga projektligjet mbi të cilët Duda vuri veton).

Me pak fjalë, në shkëmbim të disa duartrokitjeje, z. Trump i dha Kaczynskit përkrahjen për të kryer një puç. Dhe çfarë kanë bërë Shtetet e Bashkuara që atëherë? Departamenti i Shtetit nxori një deklaratë të thatë të formuluar për të mos ofenduar autoritetet polake (“Ne u bëjmë thirrje palëve të sigurohen që çdo reformë në drejtësi nuk shkel Kushtetutën e Polonisë”).

Nuk mendohet që Trump pajtohet me kapjen e pushtetit nga Kaczynski. Por, duke mos e përdorur vitizën për t’i bërë presion liderit të LED për të respektuar demokracinë, Trump i dha miratimin e nënkuptuar reformës së re për kthimin e projektligjit në ligj. Dhe ndërsa Duda tregoi pavarësi politike me veton ndaj dy drafteve, në rastet e tjera ai ka qenë gjithmonë aleat besnik i Kaczynskit. Mbetet të shohim nëse draftet e rinj do të jenë vërtet kundër atyre të Kaczynskit apo vetëm sa do të shtojnë ndikimin e vetë Presidentit Duda mbi gjyqësorin, në dëm të Ligj e Drejtësi.

Përgjegjësia finale bie mbi polakët dhe janë atë që duhet të përgjigjen, siç kanë bërë në mënyrë të admirueshme gjatë javëve të fundit, me protestat masive, të cilat, me shumë gjasa, ishin ato që sollën veton e Dudës. Por deri vetëm pak kohë më parë nuk do të kishin qenë vetëm. Kjo ishte pikërisht nga ato situata kur presidentët amerikanë do të kishin përdorur prestigjin e vendit të tyre për të ushtruar presion për liri e demokraci. Tani, përtej entuziazmit të turmave të orkestruara, gjithçka që populli polak dëgjon nga Shtëpia e Bardhë është heshtja. /New York Times/