Opinion

Pesë probleme që duhet zgjidhur me urgjencë

03/12/2017 15:48
nga:Jakup Krasniqi

Problemi i parë është në partitë politike, të cilat nuk kanë vullnet për të qeverisur me njerëz të dijshëm, intelektualë të devotshëm e të përgjegjshëm, njerëz që dinë, duan e mund t’i bëjnë ndryshimet që i duhen vendit e kombit.

Gjatë këtyre pak viteve të qeverisjes, te partitë politike qeverisëse në Kosovë nuk është parë që kanë ekspertë për të qeverisur me segmentet e përmendura. Ndonëse, ekspertët nuk mund të themi se na mungojnë kaq shume (si në arsim, shëndetësi, ekonomi e drejtësi), sa po duket nga angazhimi i njerëzve në Kabinetin Qeveritar?! Që të gjitha partitë pa përjashtim është parë të qeverisin me kuadro jokompetente. Kjo shihet po t’iu bëhet një vështrim rutinor të gjitha kabineteve qeveritare të deritashme. Shumë nga ministritë janë udhëhequr jo vetëm nga individë jokompetentë, por edhe pa ndonjë përvojë politike, menaxhuese a së paku administrative. Kjo jo kompetencë nuk është vetëm në Kabinetin Qeveritar, por e njëjta vërehet në çdo institucion të pavarur e të tillët në Kosovë janë relativisht shumë.

II
Problemi i dytë është se qe sa vite nuk patëm vullnet politik për të qeverisur mirë, edhe pse pati ndërrime të qeverive e të partive në qeverisje, por asnjëherë nuk u pa gatishmëria për të bërë një Strategji të Zhvillimit Ekonomik, ndonëse edhe për këtë çështje janë ndarë mjete nga buxheti ynë i varfër. E kishim edhe një mundësi për të pasur një zhvillim ekonomik duke privatizuar ndërmarrjet shoqërore e publike dhe sipërfaqe të madhe të tokave bujqësore, por nuk patëm politika të qarta të privatizimit. Me mungesën e politikave zhvillimore dhe ato të privatizimit, jo vetëm që 17 nuk nxitëm zhvillimin ekonomik, por mundësuam degradimin jo vetëm ekonomik por edhe atë të ambientit jetësor. Sikur gjatë këtyre viteve të pasluftës të kishim liderë të përgjegjshëm politikë, politikat zhvillimore dhe ato të privatizimit do të rishikoheshin disa herë, por ne nuk patëm asnjëherë liderë të tillë e me gjasë nuk do t’i kemi edhe sa kohë. Asnjë nga liderët që i kishim, në asnjë rast, e më në asnjë rast në qeverisjen e vendit nuk ofruan njerëz kompetentë. Pa zhvillim ekonomik nuk ka punësim e as mirëqenie!

III
Problemi i tretë i madh është mungesa e vullnetit politik për të ndërtuar një sistem të drejtësisë të pavarur, efikas, profesional dhe të përgjegjshëm. Në shoqëritë në tranzicion çështja më e vështirë e ndoshta e fundit është pjekja e vullnetit politik për të pasur sistem të drejtësisë të pavarur. Pa konsolidimin e këtij sistemi, tranzicioni nuk mund të quhet i mbyllur, e që pastaj të na krijohen mundësitë për zhvillimin e demokracisë. Këtë po e shohim edhe në vendet fqinje që kanë një periudhë më të gjatë të tranzicionit, as ne nuk bëjmë ndonjë përjashtim në këtë rrafsh. Një sistem i drejtësisë me prokurori e gjyqësor të konsoliduar do t’i krijonin vendit mundësi për një zhvillim ekonomik e proces të privatizimit që do t’i ndihmonte zhvillimit të vendit si edhe punësimit të njerëzve të rinj. Prandaj, konsolidimi i sistemit të drejtësisë dhe sundimi i ligjit mbeten faktorë të rëndësishëm për një zhvillim të ri në Kosovë.

IV
Problemi i katërt po del të jetë mungesa e vullnetit politik për të konsoliduar dhe reformuar sistemin e arsimit e të edukimit, i cili është e do të jetë baza e të gjitha zhvillimeve progresiste në Republikën e Kosovës. Problemet e shfaqura në këtë sistem, sigurisht që nuk janë të reja, madje nuk janë as të pas luftës çlirimtare, por kjo nuk na arsyeton e as amniston si shoqëri. Ky sistem kërkon shërim akut dhe krejt çështja 18 është si ta shërojmë? Ku t’ia nisim? A mund ta shërojnë a ta ndryshojnë gjendjen ata që e sollën deri këtu arsimin? Përgjigjja më e shkurtër do të ishte Jo e madhe, por Jo-ja nuk e zgjidh problemin. Edhe këtu problemi është të vullneti politik. A ekziston ky vullnet politik në Kosovë? Të jesh optimist është shumë vështirë, të jesh skeptik problemi nuk zgjidhet, duhet të jesh racional, zgjidhje ka, por si? Këtu duhet shtruar edhe një pyetje: Partitë politike a kanë kuadro për të bërë zgjidhjen e duhur? Duke e parë debatin e brendshëm politik në partitë që kanë qeverisur gjatë viteve të shkuara dhe tani, përgjigjja është negative. Atyre intelektualëve që u janë nënshtruar pa asnjë kriter liderëve të tyre, a mund t’iu besohet? Edhe këtu përgjigjja është një Jo e madhe. Konsideroj që ne kemi kuadro të pavarura që kanë folur edhe këtyre ditëve dhe ata që nuk kanë folur e që mund t’i sjellin ndryshimet e kërkuara. Atëherë le t’i gjejmë ata njerëz që i duhen së tashmes dhe së ardhmes së vendit tonë. Nuk e mohoj mundësinë për të pasur edhe kuadro të mira edhe në partitë politike, por ata që janë avancuar deri më tani e kanë krijuar këtë gjendje të rëndë në arsimin e Kosovës. Sistemi i arsimit nuk zhvillohet me shokë, me të dëgjueshëm, me kushëri, miq e të afërm të ndryshëm, qofshin edhe balldyzka. Këtu lypsen dijet shkencore të përfituara në rrugë të ndershme e me dije, njerëz që donë t’i shërbejnë kombit e menaxhere që punojnë me mish e shpirt për t’ia dhënë rrugën e mbarë këtij procesi bazik të zhvillimit e të progresit në vendin tonë.

V
Problemi i pestë është shëndetësia – shëndeti i popullit. Ku jemi në këtë segment të rëndësishëm të jetës sonë? Sigurisht që shëndetësia nuk mund ta këtë një zhvillim të dëshirueshëm pa një vullnet dhe kontribut të të gjithë shoqërisë sonë. Është e saktë që buxheti i Kosovës ndan një shumë jo të mjaftueshme për shëndetësinë, pra ndan aq sa ka mundësi, problemi nuk është këtu, problemi është – si po shfrytëzohen këto mjete të tatimpaguesve tanë? A ka abuzim me mjetet e ndara për shëndetin e qytetareve tanë? A është bërë ndonjë hulumtim i mirëqenë e profesional për të ardhur në përfundime të qëndrueshme. Duke e parë mënyrën se si po vendosen njerëzit në drejtimin dhe menaxhimin e këtij segmenti të rëndësishëm, mund të konstatojmë se gjatë këtyre viteve ka munguar vullneti për të menaxhuar, mirë si me kuadro, ashtu edhe me mjete financiare. Në mjekësinë e Kosovës duhet të zhvillohet një debat profesional i hapët e pa pardon për të analizuar gjendjen e pastaj për të treguar rrugëdaljen nga ky qorrsokak ku jemi tani. Besoj në profesionalizmin e njerëzve vullnetmirë që kontribuojnë në këtë sistem. Ata duhet të ngrihen edhe kundër keqpërdoruesve në radhët e tyre. Të gjithë ata që kanë mundësi e dashuri e profesionalizëm, të angazhohen për një fillim të ri edhe në këtë segment të jetës. Për këtë janë të domosdoshme: profesionalizmi, vullnetarizmi, humanizmi dhe përkushtimi i njerëzve tanë të mirë.

04/29/2017 21:39

“Thellohet” Jakup Krasniqi, flet për shqiptarët dhe pashallarët