Opinion

Përdorimi i internetit tek ne dhe rreziqet e mundshme

06/10/2017 21:26
nga:Bekim Thaqi

Interneti është bërë pjesë e përditshmërisë sonë, dhe pothuajse nuk ka shtëpi apo familje që nuk e përdor atë sot.

Pothuajse të gjithë, pa përjashtim, jemi përdorues të shërbimeve të internetit, kush më shumë e kush më pak. Në shtëpitë tona, kemi kompjuterë dhe telefonë të ndryshëm, të cilët janë të lidhur në rrjetin e internetit, dhe me anë të cilit komunikojmë me njëri tjetrin dhe lidhemi me rrjetet sociale.

Në përgjithësi, interneti shfrytëzohet për komunikim mes vete, reklama apo postim të videove, ku mund të gjesh shumë gjëra interesante dhe të dobishme si leximi i librave, informata, lajme të ndryshme etj. Të rinjtë, duket se janë veçanërisht të lidhur me internetin, pasi rrjetet sociale të tilla si Instagram, Facebook, Twitter, Snapchat e tjera, u mundësojnë komunikim të shpejtë dhe falas. Një i ri mesatarisht qëndron tre deri katër orë në ditë online.

Shpeshherë prindërit as nuk i kanë të qarta pasojat dhe rreziqet që mund të paraqiten. A do të thotë kjo që përdorimi i internetit është i sigurte për përdoruesin? Sigurisht që jo.

Kohëve të fundit me përdorimin gjithnjë e më të madh të internetit kanë dalë në pah edhe rreziqe të ndryshme që mund të sjellë ai. Janë të njohura shumë raste të vjedhjes së identitetit dhe paraqitjes së rrejshme, hakerizmit, bulizmit(ngacmimit), kërcënimeve, mashtrimeve dhe pedofilisë përmes Facebook, Instagram e rrjeteve tjera sociale.

Rastet si sfida Blue Whale( Balena e kaltër) ku përmes një loje në internet të rinjtë mashtrohen dhe udhëzohen për ti marrë jetën vetes janë mjaft alarmuese dhe kanë filluar të trajtohen me kujdes të veçantë nga policia dhe organet e sigurisë në shumë vende të botës si Angli, SHBA, Rusi etj.

Tek ne nuk ka ndonjë edukim apo trajnim të veçantë që i bëhet studentëve apo nxënësve lidhur me të mirat dhe rreziqet që mund të paraqiten me kyçjen në internet. Në shkollat tona nxënësit informohen me shumë për internetin në lëndën e TIK-ut mirëpo shumicën e kohës profesorët që e japin këtë lëndë nuk janë të vetëdijshëm apo kanë shumë pak njohuri për rreziqet që mund të paraqes një përdorim i pasigurt i internetit.

Nevojitet një koordinim me i mirë, i Ministrisë së arsimit dhe organizatave që bëjnë trajnime në lidhje me përdorimin dhe rreziqeve që mund të shfaqen në internet, ku do të duhej të mbahen seminare dhe trajnime të ndryshme në shkollat tona, me qellim të njoftimit dhe edukimit të gjeneratave të reja, mbi përdorimin dhe kyçjen në internet pasi popullata më e cenueshme janë të rinjtë dhe fëmijët por edhe të tjerët(studentët-mosha madhore) të cilët shpeshherë bien pre e bulizmit, ngacmimeve, kërcënimeve dhe mashtrimeve të ndryshme.

Parandalimi është gjithmonë më efikas së trajtimi.

Bekim Thaqi është studiues i shkencave të sigurisë në nivelin Master

05/12/2017 22:37

Vetëm zbatimi i ligjit e dërgon vendin përpara, e kurrsesi jo premtimet boshe