Lajme

PE miraton Rezolutën për Kosovën që njeh progresin drejt BE-së

06/14/2017 15:47
nga:D.I

Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën një raport të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Raporti u miratua me 474 vota për, 134 kundër dhe 64 abstenime.

Lunacek ka thënë se disa ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, votimi i PE-së “edhe një herë dërgon një sinjal të fortë se e ardhmja e Republikës së Kosovës është në Bashkimin Evropian”.

“Fillimisht, ky raport kërkon nga politikanët dhe partitë politike që me shpejtësi të formojnë Qeverinë”, ka thënë Lunacek, duke shtuar se duhet vazhduar rruga drejt BE-së dhe për të bërë përparim drejt liberalizimin e vizave, “aq të dëshiruar nga qytetarët e Kosovës”.

“Dy kriteret e mbetura duhet dhe mund të përmbushen nga Kosova së shpejti: ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës është domosdoshmëri. Edhe për kushtin e dytë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është bërë përparim por qeveria e re duhet të sigurojë progres të mëtejmë”, ka thënë ajo.

Lunacek ka ripërsëritur se lajm i mirë për Kosovën është edhe hyrja në fuqi e MSA-së. Një gjë e tillë, sipas saj, duhet të inkurajojë edhe vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën që t’i bashkohen 114 vendeve të OKB-së që tashmë e kanë bërë një gjë të tillë, shkruan Insajderi.

“Kjo njohje do të ndikonte edhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Lunacek.

Ajo ka kërkuar vazhdimin e dialogut mes dy vendeve si dhe zbatimin e marrëveshjeve. “Në këtë kontekst, implementimi i marrëveshjes për kodin telefonik është një hap përpara”, ka shtuar Lunacek.

Nënkryetarja e PE-së po ashtu e ka cilësuar si zhvillim pozitiv pjesëmarrjen më të lartë të serbëve në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

10/18/2017 07:21

MPB shënon ditën e BE-së kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore