Lajme

PDK në Lipjan e akuzon LDK-në për nepotizëm (FOTO)

09/08/2017 17:09
nga:F.B

Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Lipjan e kanë akuzuar për nepotizëm kryetarin e kësaj komune, Imri Ahmeti.

Sipas një postimi të lëshuar në faqen zyrtare në Facebook, PDK në Lipjan bënë të ditur se në Qendrën për Punë Sociale në këtë komunë pasi që ka hapur një konkurs ka pranuar në punë katër persona që PDK pretendon të jenë të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës, përcjellë Gazeta Blic.

Marigona Ahmeti, Venera Jashanica, Jehona Sahiti dhe Fatbardh Reçica janë personat që janë bërë pjesë e këtij institucioni dhe që të gjithë janë punësuar si praktikant me pagesë.

Sipas PDK-së, dega në Lipjan, Marigona Ahmeti – është familjare e kryetarit të Lipjanit – Imri Ahmeti, Venera Jashaica ka qenë pjesë e kryesisë në Foruimin Rinorë të LDK-së – Lipjan përderisa Fatbardh Thaçi dhe Jehona Sahiti nga AKR, konsiderohet të jenë pjesë e siç kanë shkruar “Pazarave me AKR-në”.

“Gazeta Blic” ka kontaktuar me Imri Ahmetin, i cili ka deklaruar se e gjitha kjo është tendencë e PDK-së për t’i humbur gjurmët e së kaluarës së tyre,  ku njerëzit për siç ka thënë ai, kanë marrë paga pa qenë fare në punë.

“Secili, prej kryetarit, gjithë drejtorëve e kanë pas në punë ose gruan, ose vëllain, ose djalin të punësuar në administratë dhe i kanë edhe sot atje” – ka thënë Ahmeti.

LDK në Lipjan pas postimit të PDK-së, ka reaguar menjëherë duke shkruar se konkursi për të cilin po flitet nuk është nën kompetencën e Komunës dhe kryetarit të Komunës.

“Konkursi për të cilin po flitet nuk është nën kompetencën e Komunës dhe kryetarit të Komunës dhe e dyta edhe po të ishte, në çdo konkurs çdo qytetarë ka të drejtë të aplikojë dhe të jetë i zgjedhur varësisht nga kriteret ligjore të cilat duhet përmbushur e që në kohën e qeverisjes tuaj nuk janë përmbushur fare.” – i është drejtuar LDK, PDK-së.

Në anën tjetër PDK në Lipjan ka konsideruar se ‘duke i parë të gjitha këto marrëzi të pushtetit të dështuar të ndërtuara mbi bazën e nepotizmit dhe klientelizmit, qytetarët lipjanas, me padurim po e presin fundin e kësaj qeverisje, në zgjedhjet e 22 tetorit.’ / © GazetaBlic /

Burimi i fotografisë: ©  PDK – Dega në Lipjan

 

Postimi i plotë i “PDK – Dega në Lipjan” :

Vazhdon mbushja e institucioneve me familjarë dhe militantë partiak në komunën e Lipjanit.

Në konkursin e fundit të datës 14.08.2017 për katër pozita : punëtor administrativ, në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Lipjan punësohen me pagesë katër persona familjar dhe militant të Imri Ahmetit.

Nepotizmi kjo dukuri evidente në të gjitha segmentet qeverisëse të LDK-së në Lipjan, duke manipuluar dhe luajtur me të rinj në konkurset publike siç është rasti i fundit në QPS-Lipjan, dhe paraprakisht dihen emrat e të punësuarve familjarë të Imri Ahmetit dhe pazareve me aleatët e tij.

Duke i parë të gjitha këto marrëzi të pushtetit të dështuar i ndërtuar mbi bazën e nepotizmit dhe klientelizmit, qytetarët lipjanas, me padurim po e presin fundin e kësaj qeverisje, në zgjedhjet e 22 tetorit .

6.9.2017
Lipjan

 

Reagimi i FRLDK në Lipjan:

REAGIM

Kur PDK dhe klika e saj fillojnë të përdorin rininë e tyre duke menduar se katër vite janë të mjaftueshme që qytetari të harroj të bëmat e tyre.

PDK dhe njerëzit e saj si duket shpejt kanë filluar të harrojnë sistemin e tyre qeverisës të mbrapsht që e patën instaluar për 6 vite të qeverisjes së tyre. Si duket kanë filluar të harrojnë se si punësonin familjar në institucionet komunale pa asnjë konkurs dhe pa asnjë kriter ose me të vetmin kriter “duhet të jesh gjithqysh i afërt i njerëzve të PDK-së” dhe jo vetëm votues i tyre sepse në këtë rast prapë ka pas përparësi, vëllau, motra, burri, gruaja, daja, halla etj. Këto janë argumente që nuk mund të mohohen dhe nuk mund të fshihen sepse kjo tash më dihet botërisht. Por nëse veç i keni harruar po ju rikujtojmë dhe po fillojmë nga ish i pari i Komunës:

• Shukri Buja e pat punësuar vëllaun në Komunë,
• ish nënkryetari Florent Hoxha vëllaun në Komunë
• Ish drejtori Edmond Rexhepi gruan e pat punësuar në Komunë
• Ish drejtori i arsimit Nazmi Krasniqi vëllaun mirëmbajtës në shkollë bujqësore por pagën e ka marr të profesorit, deri sa në të njëjtën kohë shumë profesor ka lan pa pagë.
• Gruaja e ish drejtorit të prokurimit ka marrë pagë nga komuna por nuk ka punuar fare etj.

Kaq për sot mjafton… Të gjitha këto po që janë shkelje për të cilat një ish drejtor Nazmi Krasniqi tani më e ka marrë dënimin nga gjykata. Dhe në fund fare një sqarim për opinionin: konkursi për të cilin po flitet nuk është nën kompetencën e Komunës dhe kryetarit të Komunës dhe e dyta edhe po të ishte, në çdo konkurs çdo qytetarë ka të drejtë të aplikojë dhe të jetë i zgjedhur varësisht nga kriteret ligjore të cilat duhet përmbushur e që në kohën e qeverisjes tuaj nuk janë përmbushur fare.

FRLDK-Lipjan
06.09.2017

11/23/2017 14:10

‘Kot e keni o hajdutët e vendit!’