Lajme

Pas 10 viteve si kryetar i Vushtrrisë, Mulaku nuk do të kandidojë edhe për një mandat

07/18/2017 16:04
nga:D.I

Pas tri mandatesh në krye të Vushtrrisë, Bajram Mulaku ka vendosur që të mos kandidojë edhe për një mandat nga Partia Demokratike e Kosovës për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.

E këtë vendim Mulaku thotë se e ka marrë për arsye të shumta, ku një ndër to është edhe lëshimi i radhës për dikë tjetër.

Në një intervistë për KosovaPress, i pari i Vushtrrisë ka thënë se beson që do të vijë një kryetar shumë më i mirë se ai në menaxhim të komunës së Vushtrrisë.

“Arsyet janë të shumta, realisht puna e kryetarit nuk është e lehtë është shumë sfiduese, por është mandati i tretë tash që po përfundon për mua, do të thotë po bëhen 10 vite si kryetar i komunës është çështje edhe mosha pak a shumë. Por, është edhe një perceptim i imi personal që një kryetar i komunës në qoftë se punon 10 vite është ndoshta radha që të ju lejë të tjerëve me punua ndryshe, me veprua ndryshe, njerëzit ndoshta edhe më të ri, me energji më të plota, më të shumta që ndoshta me të vërtetë është interes i të gjithë qytetarëve që me ardhur dikush që ndryshe do të punoj. Unë shumë shpresoj që ka me ardhur një kryetar shumë më i mirë sesa unë me menaxhua komunën”, tha ai.

Qyteti i Vushtrrisë që nga paslufta ka qenë bastion i Partisë Demokratike të Kosovës, ku në të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur fituese ka qenë kjo parti. Por, në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura me 11 qershor 2017, në Vushtrri Partia Demokratike e Kosovës doli partia e dytë me 35,45 përqind të votave, ndërsa e para doli Lëvizja Vetëvendosje me 35,98 përqind të votave.

Kryetari Mulaku, thotë se pjesa absolute e qytetarëve të Vushtrrisë e respektojnë punën që është bërë gjatë këtyre mandateve të Partisë Demokratike të Kosovës, por që asnjëherë nuk mund të jenë të kënaqur të gjithë qytetarët.

“Gjithë qytetarët asnjëherë nuk mund të kënaqen me punën e një kryetari të punoj çfarë do, gjithmonë ka dikush që ka ndonjë interes për të realizuar ose ka grupe të interesit për të realizuar interesa të ndryshme. Por, e kam mendimin që pjesa absolute e qytetarëve e respektojnë punën që është bërë brenda 10 viteve, ende nuk janë bërë 10 vite, por tashmë do të bëhen 10 vite, se janë realizuar shumë projekte në interes të qytetarëve. Mund të them se Vushtrria ka qenë të them një qytet mesjetar gjithandej nuk ka pasur infrastrukturë as rrugore, as të ujit të pijshëm, nuk ka pasur hapësira të mjaftueshme për shkolla, nuk ka pasur hapësira të mjaftueshme as për shëndetësi objektet e trashëgimisë kulturore kanë qenë në gjendje shumë të rëndë dhe është dashur të punohet shumë për realizimin e shumë projekteve që prek të gjitha këto fusha. Besoj që qytetarët i shohin këto projekte”, tha ai.

Sa i përket vendimit që të mos jetë kandidat për kryetar të Vushtrrisë, Mulaku thotë se e ka njoftuar edhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, por që nuk e di se a është pajtuar me vendimin e tij.

“Nuk e di a janë pajtuar, por ky është qëndrim i imi dhe është qëndrim personal që nuk mund të lakohet”, tha ai.

Zgjedhjet lokale për kryetar të komunave do të mbahen me 22 tetor 2017, ndërkohë që ende nuk dihet se kush do të jetë kandidat për kryetar të komunës së Vushtrrisë nga Partia Demokratike e Kosovës, pas vendimit të kryetarit aktual Bajram Mulaku që të mos kandidojë edhe për një mandat.

12/13/2017 20:54

Shpërthen Ymeri: “Jap dorëheqje nga ky moment…”