Lajme

Opozita: Mustafa po e pranon gabimin rreth Demarkacionit!

04/21/2017 20:03
nga:Gazeta Blic

Përpjekjen e fundit të kryeministrit Isa Mustafa që të udhëtojë në Bruksel dhe t’i kërkojë Bashkimit Evropian për ta modifikuar kushtin e vizave me demarkacionin, pra që së pari të bëhen vizat dhe që brenda një kohe të kryhet edhe procesi i demarkimit me Malin e Zi, opozita në vend po e sheh si një mënyrë të Qeverisë për ta pranuar fajin në këtë drejtim.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sikurse edhe subjekti politik Nisma, konsiderojnë se kushti për të cilin sot Kryeministri po tenton të gjejë rrugë alternative që qytetarët të kenë viza duke mos e pasur si kusht Demarkacionin me Malin e Zi, u krijua nga vetë Qeveria. Tani sipas tyre, dëmi i krijuar është i pariparueshëm.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së Muharrem Nitaj tha të premten për Express se nuk e di nëse propozimi i Kryeministri do të jetë i realizueshëm por që siç tha ai, nuk ka asgjë të keqe që Mustafa ta pranojë gabimin që e ka bë me Demarkacionin.

“Nuk e di nëse kërkesa e Mustafës do të jetë e realizueshme, por nuk ka asgjë të keqe që një kryeministër ta pranojë gabimin e vet dhe të provojë ta korrigjoje atë. Isa Mustafa e ka huqur me demarkacionin dhe ky do te jetë njeri prej gabimeve të mëdha te tij. Tash gjithçka, është vështirë e riparueshme” u shpreh Nitaj.

Anëtari i AAK-së tha se kushti për vizat përmes demarkacionit është kërkuar nga Prishtina dhe tash sipas tij, të njëjtët po provojnë që ta korrigjojnë gabimin e vet. “Vendosja e një standardi të tillë si kusht për vizat nuk është aplikuar në asnjë prej vendeve të rajonit, dhe si i tillë ka qenë krejt i padrejtë dhe i palogjikshëm madje”, tha Nitaj.

Ndërkaq, këtë ide të Mustafës e përkrah Nisma për Kosovën, por sikurse AAK edhe Nisma vlerëson se kushti është bërë nga Qeveria aktuale dhe mënyra më e mirë është që vendi të shkojë në zgjedhje.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Bilall Sherifi tha të premten për Express se në parim çdo përpjekje që bëhet për debllokimin e procesit të liberalizimit të vizave ata e mbështesin, por theksoi se më këtë, vendit i është bërë dëm i madh.

“Qeveria ka kërkuar që çështja e Demarkacionit të futet si kusht për liberalizimin e vizave pra në parim çdo përpjekje që bëhet për ta debllokuar këtë çështje e mbështesim. Por ata e kanë bë një dëm që vështirë së mund të riparohet. Andaj më mirë është që t’i hapen rrugë zgjedhjeve dhe Qeveria e re me kriter të ri t’i drejtohet BE-së dhe t’i tregohet se cila do të jetë mënyra dhe rruga që të zgjidhet kjo çështje”, tha Sherifi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pritet që të udhëtojë në fillim të javës së ardhshme në Bruksel, ku do prezantojë kërkesën e tij të re në lidhje me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Ai ka paralajmëruar se do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

12/15/2017 20:17

Arban Abrashi i prish punët me LDK-në , Isa Mustafa mendoi ta tërheqë nga gara për Prishtinën