Lajme

OKB të kompensojë të helmuarit nga plumbi në Kosovë

09/08/2017 15:26
nga:M H

Dështimi i Kombeve të Bashkuara për të kompensuar viktimat e helmimit nga plumbi në kampet e drejtuara nga Kombet e Bashkuara për personat e zhvendosur nga lufta në Kosovë, i la familjet duke u munduar për t’u kujdesur për të afërmit e tyre të sëmurë, thotë një raport i Human Rights Watch.

Në një raport të ri të publikuar të enjten, Human Rights Watch u bën thirrje Kombeve të Bashkuara të paguajë kompensim individual ndaj viktimave rome të prekura nga helmimi me plumb në kampet e drejtuara nga OKB-ja për personat e zhvendosur nga lufta në Kosovë.

Kjo do t’i lejonte viktimat të trajtonin ndikimin afatgjatë të ekspozimit ndaj plumbit, thotë raporti.

“Kombet e Bashkuara duhet të ndjekin rekomandimet e ekspertëve të tyre dhe t’u japin viktimave dhe familjeve të tyre kompensimin individual që e meritojnë me të drejtë,” tha Katharina Rall, hulumtuese mjedisi në Human Rights Watch.

“Si mund të presin Kombet e Bashkuara që t’i bëjnë presion me efikasitet qeverive që të marrin përsipër përgjegjësinë për abuzimet e tyre nëse nuk do të bëjë gjënë e duhur për dëmin që shkaktuan?” pyeti Rall.

Kampet u ngritën pranë kompleksit të minierës së Trepçës, i njohur si shkaku i helmimit me plumb dhe toksina të formave të tjera që prej viteve 1970.

Ato duhet të siguronin thjesht strehim të përkohshëm deri në 90 ditë për njerëzit e zhvendosur nga lufta e Kosovës në vitin 1998 dhe 1999, por përfunduan duke qenë funksionale për disa vjet.

Në vitin 2016 Kombet e Bashkuara ngritën një panel me mbrojtës të të drejtave të njeriut për të shqyrtuar thirrjet për ta deklaruar Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosove (UNMIK) përgjegjës se i la familjet rome të ekspozuara ndaj helmimit nga plumbi në kampe.

Paneli i bëri thirrje UNMIK-ut të pranojë publikisht dështimin e tij në përmbushjen e standardeve të duhura të të drejtave të njeriut në përgjigje të kushteve të dëmshme shëndetësore të shkaktuara nga ndotja me plumbi në kampe dhe për të kompensuar viktimat për dëmin material dhe moral të shkaktuar ndaj tyre.

Megjithatë, në maj të këtij viti Kombet e Bashkuara u zotuan se do të krijonin një fond vullnetar për projektet e asistencës komunitare për të ndihmuar “më gjerësisht komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian” në Kosovë.

Në raportin e tij, Human Rights Watch thotë se premtimi i Kombeve të Bashkuara vetëm për projekte asistence komunitare “do të thotë se më e mira, çdo para të paguara në fond do të garantojë shërbime të përgjithshme që nuk janë specifikisht në dobi të personave të prekur nga helmimi me plumb dhe nuk do të kompensojnë drejtpërdrejt dëmin e shkaktuar”.

Sipas Human Rights Watch, që foli me viktimat e helmimit nga plumbi dhe të afërm, mjekë, avokatë dhe organizata që mbështesin romët, “shumë nga personat e prekur, përfshirë fëmijë, po përjetojnë një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë kriza, sëmundje veshkash dhe humbje kujtese – të gjitha efekte të zakonshme afatgjata të helmimit nga plumbi”.

Raporti thotë se shumë familje rome, ashkali dhe egjiptiane të pyetura në Kosovën Veriore kanë nevojë për mbështetje financiare dhe sociale. Ndërsa disa prindër thanë se nuk i përballojnë dot ilaçet ose ushqimet e shëndetshme për fëmijët e tyre të prekur. Familje të tjera shprehën dëshpërim për mungesën e shërbimeve mbështetëse për fëmijët që përpiqen në shkollë me vështirësi në nxënie të cilat kanë lidhje me helmimin nga plumbi.

Ekspertë mjekësorë gjithashtu shprehën shqetësim për mungesën e testimit të vazhdueshëm të plumbit dhe mungesën e mbështetjes për komunitetet e prekura.

Në raportin e tij përfundimtar në korrik 2016, paneli i të drejtave të njeriut i OKB-së i ngritur për të trajtuar çështjen tha se edhe pse UNMIK kishte porositur një raport në vitin 2000, i cili gjeti nivele jashtëzakonisht të larta të plumbit në gjakun e njerëzve që jetonin në kampet për personat e zhvendosur, ai nuk e bëri publik raportin dhe nuk arriti të ndërmerrte veprime të mjaftueshme për të trajtuar rreziqet e ekspozimit të plumbit nëpër kampe.

Në vitin 2004 Organizata Botërore e Shëndetësisë i bëri gjithashtu thirrje UNMIK-ut të evakuojë menjëherë fëmijët dhe gratë shtatzëna nga kampet, duke paralajmëruar për efektet kronike të pakthyeshme që shkakton plumbi në trupin e njeriut.

UNMIK nuk siguroi ndonjë dokument që tregonte se çfarë masash specifike ishin marrë në përgjigje ndaj këtyre gjetjeve dhe rekomandimeve./BIRN Beograd

09/24/2017 16:03

Këto janë dy partitë serbe të cilat kërkojnë që Kosova të mos pengohet në organizatat ndërkombëtare