Opinion

Një debat i pambaruar për shqiptarët dhe partitë maqedone!

10/12/2017 20:29
nga:Emin Azemi

LSDM nuk ka nevojë të ndimohet nga shqiptarët për ta degruevizuar edhe më tej atë pjesë të shoqërisë maqedonase e cila shqiptarët do ti shndërrojë në vazalë të rinjë. Maqedonasit duhet të ballafaqohen me të vërtetën se shqiptarët kanë arsye më shumë të çmontojnë çfarëdo lloj sistemi që ua përtërin atyre majorizimin etnik. Pra, shqiptarët duhet të luftojnë për të fituar një status të ri, që nuk do ti shndërronte ata në vazalë të ri

Edhe në ndonjë hulumtim sado të diskutueshëm, mund të vërejmë ende besueshmëri të lartë ndaj partisë maqedone që deri dje ishte në pushtet. Në këto hulumtime mund të vërejmë një fenomen interesant , ku përbërja etnike del të jetë  treguesi më real i matjes së rejtingut, por kur kalon në zgjedhej  kjo përbërje, atëherë ndodhë një inxhinjering interesant  i disponimit politik të elektoratit.

Çka thonë rezultatet? LSDM, edhe tani që është në pushtet, e ka vështirë e vetme ta mund VMRO-DPMNE-në. Ose të jemi më konkret. LSDM pa ndihmën e shqiptarëve edhe në këto zgjdhje lokale do ta ketë vështirë të projektojë ndonjë fitore spektakulare kundrejt partisë së Gruevskit.

Do të ketë shumë analistë që do ta arsyetojë me argumente të ndryshme këtë raport forcash në mes të partive maqedonase, por asnjëri prej tyre nuk do të arrijë ta spjegojë se deri kur shqiptarët do të përdoren si katalizatorë në proceset politike brendamaqedone dhe cili mund të jetë efekti kthyes i këtij angazhimi të shqiptarëve.

Nëse i bëjmë një analizë të shkurtër efekteve të votës shqiptare në fitoren e LSDM-së, del që kjo parti përpos premtimeve për ndryshime radikale në sfera të caktuara të jetës së shqiptarëve, nuk bëri ndonjë lëvizje thelbësore brenda këtyre 3,4 muajve qeverisjeje.

Si zakonisht, arsyetimet janë nga më të ndryshmet dhe pak është e rëndësishme çka thuan ata që angazhimin elektoral promaqedonas të shqiptarëve e zbërthejnë me algoritmin e përplasjeve brendamaqedonase.

Nëse nisemi nga argumentet e autorëve që me vite propaguan degruevizmin si sistem që duhet çmontuar nga jeta publike e institucionale e Maqedonisë, del se ky proces as që i ka prekur shqiptarët.

LSDM nuk po e çmonton sistemin e gjyqësisë që e ngriti VMRO-DPMNE dhe për pasojë shqiptarët (një pjesë e tyre) nuk po arrijnë ti shijojnë frytet e degruevizmit. Proceset e montuara gjyqësore që ngarkuan me fajësi të paargumentuar dhjetëra shqiptarë, vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit aktual të drejtësisë, kurse Prokuroria Speciale as që ka filluar të çmontojë ndonjërin nga këto raste, siç janë: ‘’Monstra’’, ‘’Sopoti’’, ‘’Kumanova’’ etj.

Procesi i de-gruevizmit do të duhej të përfshihej edhe në ato sfera të jetës pubike e institucionale ku shqiptarët si kuadro e si numra vazhdojnë të jenë të margjinalizuar. Mund të ketë plot individ shqiptarë që ia kanë pa hajrin pushteteve, duke u bërë pjesë e bordeve dhe këshillave të ndryshme drejtuese, por kjo nuk ka patur kurrfarë ndikimi në përmiëimin e statusit kolektiv të shqiptarëve.  Mirëqenia e individëve të tillë mund të jetë argument edhe i pushtetit aktual, se po bën shumë në degruevizimin e shoqërisë,  por kjo në esencë nuk ndryshon asgjë sa i përket ndryshimit të fotografisë së përgjitshme për gjendjen e shqiptarëve në rrafshin e përfaqësimit të drejt institucional. Degruevizmi si proces ndoshta ka prekur sferat që prekin interesat nacionale të maqedonasve, sidomos në fushën  demitizimit dhe shkarkimit të historisë nacionale maqedonase nga glorifikimi antik, por kjo nuk mund të thuhet edhe për librat e historisë, të muzikës, gjeografisë, dituri shoqërisë ku shqiptarët edhe në këtë fillimvit shkollor trajtohen si ardhacakë, si popullatë jorezidente, si etnos pa traditë, si konglomerat etnik e jo si popllatë autoktone etj. etj.

Madje, degruevizmi mund të trondit edhe skemat e influencimit financiar brenda shoqërisë maqedonase, por tek shqiptarët do të vazhdojë edhe më tutje tradita e keqe e vazalitetit financiar ndaj trusteve etnike maqedonase dhe dallavereve jotransparente të individëve shqiptarë të cilët në emër të kauzës kombëtare monopolizojnë ndikimet e tyre, duke ua pamundësuar shqiptarëve të tjerë të konkurrojnë në treg me idetë dhe prodhimet e tyre. Instalacione të tilla shqipfolëse ka patur edhe në të kaluarën nëpër kabinetetet  kryeministrore maqedonase dhe janë të tmerrshme rrëfimet e afaristëve e esnafëve shqiptarë për dallaverat  e flliqura të këtyre shqipfolësve, të cilët lojalitetin e tyre të skajshëm e kanë këmbyer me votën pro bizneseve e nismave që kanë përfunduar  në oborret e afaristëve maqedonas.

LSDM nuk ka nevojë të ndimohet nga shqiptarët për ta degruevizuar edhe më tej atë pjesë të shoqërisë maqedonase e cila shqiptarët do ti shndërrojë në vazalë të rinjë.Maqedonasit duhet të ballafaqohen me të vërtetën se shqiptarët kanë arsye më shumë të çmontojnë çfarëdo lloj sistemi që ua përtërin atyre majorizimin etnik. Pra, shqiptarët duhet të luftojnë për të fituar një status të ri, që nuk do ti shndërronte ata në vazalë të ri, të një politike që në emër të shoqërisë qytetare, në esencë kultivon dominimin etnik maqedonas mbi shqiptarët.

Përfundmisht, shqiptarët nuk janë pa oferta politike elektorale në këto zgjedhje lokale dhe do të ishte një donkishotizëm lapidar po të mendohej sërish se vota proLSDM-së mund t’ua ndryshojë jetën atyre rrënjësisht. Nëse individë të caktuar shqiptarë e kanë lidhur ardhmërinë e tyre me ndonjë parti maqedonase, kjo duhet kuptuar vetëm si demokraci përfitimi, por jo edhe përfaqësimi. Sepse, përfaqësimi si term nuk nënkupton interesat meskine të individëve, por tejkalimin e vetvetes për interesa madhore.

10/16/2017 08:02

Deklaratë e fuqishme e Zaevit, pas rezultatit të zgjedhjeve