Lajme

Ne, të prangosurit në të kaluarën tonë!

01/09/2017 19:49
nga:Astrit Gashi

Nuk po arrij të ndal zemërimin dhe pikëllimin sa herë po më sillet në mendje se jo vetëm këtë vit, por edhe shumë të tjerë pas këtij do të jetojmë me e në të kaluaren. Pa patur fare të drejtën dhe as fuqinë për të hedhur shikimin përpara.

Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë, është vetëm një prelud i ngjarjeve, atyre prej së vërteti, që do na shoqërojnë edhe shumë vite. Haradinaj i ndaluar e paraburgosur në Francë me gjasë do të kthehet shpejt, por ky vit që sapo ka hyrë, dhe të tjerët që do të pasojnë do t’i kalojmë duke pritur e përcjellur të tjerë, si kryeplaku në një të pame te madhe ku, në rastin tonë, e vdekur është ajo që na dhimbset më së shumti, e ardhmja e jonë.

Do kalojmë nëpër edhe një fazë të re të pastrimit të së kaluares: me aktakuza, arrestime, protesta, paralajmërime, gjykime, vendime, shpallje të pafajshmish e të të dënuarve.

Qërime hesapesh këto me të kaluaren në emër të së ardhmes, që vet e lidhëm ngusht me të shkuarën. Ndërkohë që koha e vitet shkojnë – e në bëhemi sikur këto të mos kenë asnjë kuptim. E vitet, sikur ne mësojnë edhe të gjithë teoricientët e menaxhmimit, janë e vetmja gjë në të gjallët tonë të cilën nuk mund ta kompenzojmë.

Sipas skenarit të Hollywoodit, në të ardhmën e atjeshme, kur robotët të na marrin krejt e të bëjnë gjithçka për ne, e vetmja gjë për të cilën do të angazhohemi e do ta blejmë do jetë koha jonë drejt pavdekësisë. Kjo, megjithatë, nuk ka rëndësi tek ne, pasi ne të shkuarën ia kemi lidhur si nyje të ardhmes sonë.

Prandaj më kap tmerri sa herë që e mendoj se derisa të gjithë ne do jemi duke e pastruar të kaluarën, të tjerët rreth nesh, vëllëzërit dhe fqinjtë tanë do të janë të zënë duke ndërtuar të ardhmen- pa kaluar fare ne procesin e vërtetë të pastrimit të së kaluarës dhe pa u bërë robër të saj. Këta, të tjeret që na rrethojnë, më shfaqen si në një perde projektori, duke rritur GDP-në e tyre, duke shkallmuar papunësinë e hapur vende të punës për shtetasit e tyre, duke trajtuar e diskutuar çështje më pak delikate se ato tonat- dhe duke folur në emër tonë e për ne. Ndjej, sa herë më dalin para këto imazhe të turbullta para, njëkohësisht edhe mëri edhe xhelozi, si kurrë më parë!

Ndërkohë që ne, ne që mendoja se do të ishim në vend të tyre e jo kështu si jemi, që do të kalojmë vite e ndoshta edhe një dekadë të plotë duke rrëzuar gjykatë pas gjykate, tavolinë pas tavoline, e studio pas studioje akuzat serbe, do të përjetojmë shëndërrimin e plotë të estradës në politikëkrijues e të pushtetit në estradë e ne në klientë të zellshëm të tyre. Nuk do të mësojmë gjë nga tërë kjo, por me Serbinë që po na përcjellë që nga lindja, për inat të saj dhe serish në emër të së ardhmës do votojmë edhe njëherë (vetëm edhe njëherë apo!) për ata qe verdikti ua pastroi të kaluarën. Për t’u rikthyer në pastrimin e së kaluarës së radhës.

Dhe nga kjo jetë e zhvilluar në e rreth së kaluarës, po më kapin drithërimat, sepse nuk po arrij të gjej formulën e saktë të asaj sesi arritëm deri këtu, çfarë duhet të kemi bërë aq keq – që ta “karantinojmë” veten nga e ardhmja!

Do doja fort ta merrja vesh këtë gjë, që t’i hapim rrugën së ardhmes, e ta hedhim mënjanë të kaluarën, në ndonjë shportë kujtimesh, të paprekur ashtu si ishte!

Sot, ndoshta vetëm Hollywood-i, mund të më ndihmojë- me ndonjë “Happy End'” të tij, se tjetër ku ta gjej nuk di!

 

04/24/2017 22:00

Krasniqi thotë se ndoshta zgjedhjet janë zgjidhja