Geek

Nëse keni përdorur Myspace, kemi lajm të keq për ju

07/19/2017 15:17
nga:D.I

Ekspertja për siguri kibernetike Li-En Galovej ka zbuluar lëshime të mëdha në lidhje me Myspace.

Lëshimet janë aq të mëdha sa që shumë lehtë mund të hyhet në të dhënat personale të cilido ish-përdorues të Myspace dhe të rrezikojë privatësinë e tij.

Popullariteti i Myspace nisi të zbehej para një dekade kur në skenë dolën rrjetet e reja shoqërore Facebook dhe Twitter, por shumica e ish-përdoruesve nuk kanë shlyer llogaritë e tyre në Myspace.

Pasi që shumica e përdoruesve nuk iu kujtohen ish-emailat e tyre, emrat e përdoruesit dhe fjalëkalimet, Myspace ka mundësuar mënyrën e lehtë të “ringjalljes” së llogarive, të cilat nuk përfshijnë vendosjen e këtyre të dhënave.

“Myspace kërkon nga ju që të shkruani vetëm emrin, emrin e përdorimit dhe datën e lindjes. Por dy llojet e para mund të gjenden thjesht përmes kërkimit në Google. Emri i përdoruesit gjendet në adresën e profilit URL, ndërsa emrin në faqen e profilit”, ka thënë Galovej.

“Më së vështiri është që të arrihet deri te data e lindjes, por kjo nuk është e pamundur. Një numër i madh njerëzish gjithsesi këto të dhëna i kanë vendosur në profilet e tyre Facebook dhe Twitter. Janë të nevojshme vetëm tri të dhëna, që dikush të marrë kontrollin mbi profilin tuaj dhe të keqpërdorë të dhënat tuaja personale”, ka shtuar ekspertja.

Këshilla më e mirë është për të shlyer urgjentisht llogarinë tuaj nëse e keni ende aktive.

Galovej i është drejtuar Myspace në prill të këtij viti, por nga kompania ka pranuar vetëm një porosi automatike.

Kjo nuk është hera e parë që është kërcënuar siguria e ish-përdoruesve të Myspace. Kompania në vitin 2013 njoftoi se hakerët kanë arritur që të komprometojnë 360 milionë llogari të këtij rrjeti shoqëror, transmeton KosovaPress.