Lajme

Ne jemi për Ushtrinë e Kosovës

03/18/2017 19:55
nga:Uk Lushi & Beqë Cufaj

Janë të rralla rastet në historinë më të re të kryengritjeve çlirimtare në botë të kenë patur solidaritet, por edhe përkrahje ushtarake, siç kishin shqiptarët e Kosovës në luftën e tyre kundër forcave pushtuese serbe në dekadën e fundit të shekullit XX.  Falë kësaj sinergjie shqiptarë—Perëndim erdhi deri te çlirimi dhe paqësimi i Kosovës, të cilat më pas u vulosën me pavarësinë e saj me 17 shkurt 2008.

Në rrugëtimin e saj të gjatë të robërisë, luftës për liri dhe pasluftës plot vështirësi, ne kemi bërë shumë gabime e lëshime, sa të pa qëllimta aq edhe me dashje.

Varësia, sidomos varësia e faktorit politik vendor ndaj ndërkombëtarëve në Prishtinë dhe qendrave vendosëse në Washington DC dhe Europë, i ka mundësuar Beogradit faktorizimin si palë e tretë në çdo çështje jetike që ka të bëjë me Kosovën. Serbia e ka aplikuar këtë kryekëput përmes përdorimit të pakicës serbe në Kosovë si  instrument paternalist.

Me mekanizmin që quhet “dialog për normalizim”, kundërshtitë banale të subjekteve politike në Prishtinë dhe zhvillimet e reja gjeopolitike,  Beogradi vazhdon të sheh veten si “hisenik” në çdo zhvillim politik në vend.

Shteti i Kosovës, i dalë strukturalisht si një “produkt” nga Procesi i Vjenës dhe Kushtetuta nën ombrellën e Planit Ahtisaari, ndonëse i njohur nga më shumë se 114 shtete të planetit, në të njëjtën kohë nuk është anëtar i OKB-së, dhe, për më keq, bllokohet nga Serbia, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, gati sa herë t’i teket Beogradit zyrtar.

Faji për këtë nuk është vetëm te bashkësia ndërkombëtare, e cila që nga sulmet e 11 Shtatorit të vitit 2001 kundër Amerikës dhe Perëndimit, Ballkanin nuk e ka më në qendër të vëmendjes, por faj kanë edhe kastat politike të Prishtinës, të cilat, prej pas çlirimit në vitin 1999 dhe sidomos pas pavarësisë, veten e tyre vazhdojnë ta shohin e shesin si mediatorë apo moderatorë mes “krizave” e krizave politike e ekonomike,  dhe me këtë qëllimojnë të dëshmojnë faktorizim para ndërkombëtarëve, në vend se të sillen dhe punojnë si përfaqësuesë legjitim të një shteti demokratik, në të cilin qeveritë vlerësohen nga qytetarët si letër lakmuesi për (mos)përmbushjet e premtimeve dhe obligimeve pushtetore.

Zhagitjet, përfitimet meskine nga politika ditore e zgjedhore, inercia me  “dialogun” me Beogradin, minimi që Serbia u bën institucioneve të Republikës në arenën ndërkombëtare, shkalla e lartë e korrupsionit në njërën anë dhe papunësisë në anën tjetër, imazhi tepër i zbërdhylët që Kosova ka në Europë dhe Amerikë, mosefikasiteti në përmbushjen e detyrave të shtëpisë dhe mirëmbajtja e sistemeve karrotë/shkop (vizat për demarkacion e asociacion), janë disa fakte të cilat po i godasin bedenet e shtetit pa reshtur.

Së këndejmi nuk ka si të mos shtrohet pyetja nëse është koha që të hidhet hapi legjislativ për transformimin e FSK-së në Ushtri?  Kjo pyetje bëhet edhe më e nevojshme kur dihet që propozimi i formalizimit të forcave të armatosura vjen nga Presidenti Thaçi, i cili jo rrallë herë nuk ka bërë apo nuk ka dashur të bëjë dallimin mes interesave të tij (politike) dhe atyre të shtetit të Kosovës.

Sidoqoftë, përtej lojërave të mundshme politike që mund të fshihen  prapa kësaj iniciative dhe përkundër pëshpërimave lalashe për gjoja konfrontimin e mundshëm me “ndërkombëtarët” dhe ndërkombëtarët, ne mendojmë që formalizimi i ushtrisë duhet të përkrahet pa asnjë mëdyshje dhe nga të gjitha dimensionet e shoqërisë.

Një shtet pa ushtri zor që mund të quhet shtet. P.sh. Austria dhe Gjermania, që luftuan kundër forcave euro-amerikane dhe të mundura gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas një kohe nën mburojën e forcave fitimtare, krijuan ushtritë e tyre dhe e bënë këtë me ndihmën e aleatëve. Bile edhe Zvicra neutrale ka ushtrinë e saj. Dhe mos të harrojmë, Izraeli ka mbështetje të fuqishme nga Amerika, porse shteti hebre pandërprerë vazhdon të rrisë dhe aftësojë forcat vetanake ushtarake.

Republika e Kosovës, marrë parasysh aspiratën e mbështetur konzensualisht nga shumica dërmuese e popullit të saj që të hyjë në NATO, duhet të plotësojë kushtin e të pasurit ushtri që të fillojë procesin e anëtarësimit. Mjaft është humbur kohë dhe nuk ka pse të pritet më. Ushtria e Kosovës do të jetë e hapur për çdo shtetas dhe do të mbrojë secilin qytetar.

Është absurde dhe naive të pritet, që në rast sulmi apo nevoje, populli i Kosovës të rrijë e për lirinë dhe paqen e  saj të derdhet gjak i ushtarëve të NATO-s. Vijën e parë të frontit duhet ta mbajnë ushtarët e Kosovës kurse forcat aleate mund të ndihmojnë me teknikë dhe mbështetje nga prapavija.

Ushtria e Kosovës do të kalojë nëpër një proces rritjeje dhe forcimi në bashkëpunim me partnerët euro-amerikanë, por noti nuk mësohet duke shikuar si tjerët notojnë. Kosova duhet të hidhet në ujë dhe mësojë notimin në praktikë.

Shteti i Kosovës nga konsumues i sigurisë dhe harxhues i fondeve të aleatëve duhet të shndërrohet në kontribues të sigurisë dhe mbrojtjes, natyrisht në proporcion me shtatin dhe kaçikun  e tij.

Forcimi ushtarak i Kosovës do të thotë përqëndrim në pika nevralgjike tjera të aleatëve euro-amerikanë të Kosovës dhe logjikisht forcim i tyre. As BE-ja, as Amerika dhe as NATO-ja nuk mund të jenë kundër forcimit vetjak dhe as kundër Ushtrisë së Kosovës sepse ato janë me Kosovën dhe e duan atë dhe vetëveten të fortë, prandaj në çështje vitale siç është ushtria e një shteti duhet të unifikohen të gjitha shtresat, institucionet dhe subjektet politike.

Na takon neve të udhëheqim dhe kemi në pronësi transformimin dhe formalizmin e Ushtrisë së Kosovës, e cila tevona do të fuqizohet dhe bëhet pjesë e ushtrive aleate përmes bashkëveprimit dhe partneritetit me vendet aleate të Kosovës. Sikur me rastin e UÇK-së kur Kosova kreu pjesën e saj dhe mandej Perëndimi u bind se po silleshim si sillen popujt e pjekur dhe të gatshëm për t’u bërë pjesë e sistemit shtetëror të botës.

Ne jemi me Ushtrinë e Kosovës siç duhet të jetë çdo njeri dhe dashamir i Kosovës!

 

06/28/2017 13:39

Specialja gati për procedura gjyqësore