Lajme

Mustafa: S’kam informatë që ndonjë deputet i LDK voton për PAN-in!

07/07/2017 21:25
nga:Gazeta Blic

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa ka thënë për RTK-në se nuk ka informacione që ndonjë deputet i LDK-së apo koalicionit që ai udhëheq do të votoj për PAN-in.

“Unë nuk e kam informatën që ndonjë deputet nga LDK apo nga AKR, Alternativa voton për PAN-in”, tha Mustafa në RTK. Ai ka shtuar se kanë një zotim të përbashkët që nuk do ta votojnë atë Qeveri. “Nëse ata i kanë votat mund ta formojnë qeverinë dhe ne do ta pranojmë çdo qeveri që themelohet në mënyrë demokratike”, tha Mustafa, kryetar i LDK-së. Sipas tij, mandati i deputetëve është individual por përgjegjësia është para votuesve sepse mandatin deputetët e LDKsë e kanë marrë para votuesve të LDK-së dhe koalicionit.


“Në zgjedhjet lokale do të garojmë veçmas”

Kryeministri në detyrë Isa Mustafa, njëherit kryetar i LDK-së ka folur në intervistën në RTK edhe për mënyrën se si do të garoj LDK në zgjedhjet lokale.

“Ne në zgjedhje lokale do të shkojmë veç e veç, me propozime edhe për këshilltarë komunalë edhe për kryetar komunash. Do ta lëmë mundësinë që në balotazh të bëjmë marrëveshje me subjektet tjera politike”, ka thënë Isa Mustafa.

Ai ka thënë se do të bëjnë përpjekje që të bëjmë propozimet më të mira, sikur për këshilltarë komunalë ashtu edhe me kandidatët për kryetarë të komunave.


“Temat e dialogut me Serbinë janë çështje e Qeverisë”

Isa Mustafa ka thënë se është çështje e institucioneve që do të krijohen të vendosin për nivelin e bisedimeve me Serbinë.

“Çështjet që dialogohen në Bruksel janë çështje të Qeverisë. Çështjet e takimit të presidentëve të vendit mund të bëhen”, ka thënë kryeministri në detyrë Isa Mustafa.


Mustafa: Me Kurtin dhe Ymerin u ulëm në një tavolinë

Kryetari i LDK Isa Mustafa ka thënë në intervistë në RTK se po presin certifikimin e rezultateve për të shqyrtuar mundësinë e koalicioneve.

“Kemi 29 deputetë prej të cilëve 23 janë të LDK-së, 4 janë të AKR-së dhe 2 të Alternativës. Certifikimi final do të ndodh shumë shpejt. Kemi lënë mundësinë e hapur që të bisedojmë me VV-në dhe të shohim se a mund të krijojmë afërsi programore që na siguron që ne do të qeverisim dhe do të realizojmë synimet tona që kemi, edhe në fushën e zhvillimit ekonomik edhe në fushën e sundimit të ligjit dhe integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë Mustafa, kryeministër në detyrë.

Ai ka thënë se nëse mund të gjejnë një afrim programor me VV-në, mund të vazhdojnë më tutje. “Nëse jo, mund të vazhdojmë secili në rrugën e vet”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa, prej se ka marrë këtë post nuk u takua asnjëherë në një tavolinë me Albin Kurtin e Visar Ymerin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, ai thotë për RTK se pas zgjedhjeve është takuar në një tavolinë me Kurtin dhe Ymerin.

“Është hera e parë që jemi takuar prej se jam kryeministër me z. Kurti dhe z. Ymeri në një tavolinë të tillë. Kemi biseduar më shumë për proceset. Nuk kemi biseduar konkretisht për koalicionin”, ka thënë Mustafa në RTK.

Mustafa ka thënë se duhet të shohin programin dhe çdo gjë duhet të bëhet mbi bazë të një programi. “Sa duhet të jetë i pranueshëm dhe a mund të sintetizohet si i tillë që të mund të shprehë interesat e një koalicioni të tillë apo jo. Këto çështje mbeten të bëhen pasi të ndodhë certifikimi. Dhe pasi koalicioni që ka dalë i pari të ketë mundësinë të bëj tentimin e vet në Kuvend”, tha kryeministri në detyrë Isa Mustafa.

Ais tha se do të pajtohen me krijimin e një qeverie e cila bëhet ashtu siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese. “Normalisht se nuk do të përkrahim një qeveri të tillë por nëse ata kanë dalë të parët të sigurojnë votat është përgjegjësi e tyre të krijojnë qeverinë”, tha Mustafa.

09/23/2017 14:07

LDK-ja mbështet Angela Merkelin në zgjedhjet e Gjermanisë