Lajme

Mustafa: Hoti është burrë i fortë që u bën ballë sfidave shtetërore

06/05/2017 17:00
nga:D.I

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë të hënën në Rahovec se Avdullah Hoti është një burrë i fortë që u bën ballë të gjitha sfidave me të cilat përballet shteti i Kosovës.

“LDK, së bashku me AKR-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi do ta bëjnë Qeverinë e Kosovës, me kryeministër Avdullah Hotin. Z. Hoti është njeri i duhur për këtë post. Ai nuk dëshiron të lavdërohet, nuk dua ta lavdërojë as unë, por po e them të vërtetën. Jemi të kënaqur që e kemi një djalë të tillë të mrekullueshëm të kësaj ane, një burrë i fortë, i cili do t’i qëndrojë përballë përgjegjësisë që do ta ketë para jush dhe para Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se Kosova duhet ta bëjë qeverinë dhe t’ia japë të mbarën këtij vendi, transmeton Klan Kosova.

“Këtë program të zhvillimit ekonomik, të integrimeve, kryeministri ynë i ardhshëm do ta zbatojë me sukses, duke gjetur bashkëpunim edhe me partitë tjera. Po ashtu, nën udhëheqjen e tij do të anëtarësohemi në organizatat më të rëndësishme botërore”.

“Do të punojmë edhe për rritjen e pagave, por jo vetëm në sektorin publik. Jemi përgatitur për këtë hap dhe kjo do të ndodhë sapo kryeministri i ri do të marrë detyrën e re. Po ashtu e kemi gati edhe pakon e dytë fiskale. Ju ftoj ta përkrahni këtë listë, këta njerëz dhe njeriun tuaj dhe tërë Kosovës, Avdullah Hotin”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka deklaruar se koalicioni LDK, AKR dhe Alternativa ka program shumë të mirë dhe shtylla kryesore e tij është zhvillimi ekonomik.

Kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë se “beson fuqishëm te dega e LDK-së në Rahovec dhe më 11 qershor, së bashku me partnerët e koalicionit do të dëshmojnë se dinë t’i çmojnë vlerat e mirëfillta”.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë është shumë krenar që një djalë i tillë si Avdullah Hoti e udhëheq listën e koalicionit dhe sigurisht Kosova do të mburret me kryeministrin e saj të ardhshëm.

11/22/2017 22:31

Mustafa: Nëse argumentohet se kufiri është në Zhlep e Çakorr, LDK do ta votojë demarkacionin