Lajme

Mushkolaj parashikon rezultatin e zgjedhjeve në Prizren

10/12/2017 16:18
nga:A K

Analisti Imer Mushkolaj në një prononcim për Gazeta Blic ka radhitur favoritët e mundshëm për fitore në zgjedhjet e 22 tetorit për komunën e Prizrenit.

Mushkolaj tha se është shumë e vështirë të parashikohet diçka e saktë pasi që në Prizren këto zgjedhje komunale po zhvillohet një garë interesante dhe e fortë.

“Është shtirë me than cili është më favorit, sepse aty e kemi një situatë interesante në kuptimin se kemi një kandidat të ri nga PDK-ja i cili e ka jashtëzakonisht të vështirë që të marrë vota për shkak të trashëgimisë që e ka lënë qeverisja e Ramadan Mujës, në anën tjetër e kemi një kandidat të LDK-së i cili nuk ofron shumë edhe nuk e reflekton atë frymën e ndryshimit në LDK, besoj që LDK në Prizren do të kishte mundur të qëndronte më mirë me një kandidat tjetër e jo me kandidatin aktual, dhe së treti e kemi edhe Lëvizjen Vetëvendosje e cila e ka një kandidat të mirë i cili po përpiqet që të fitoj edhe simpatinë e qytetarëve bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit . Pra është një komunë ku gjithçka tash për tash është e paqartë edhe pritet të zhvillohet një garë jashtëzakonisht e fortë.”, tha ai.

I pyetur për kandidatin e Nismës për Kosovën, Zafir Berishën dhe shanset e tij në këtë komunë, Mushkolaj tha se ai ka një numër të caktuar të votave, mirëpo nuk beson që mund të kalojë deri në balotazh.

“Zotëri Berisha ka një numër të caktuar të votave, mirëpo nuk besoj që do të arrij të shkojë në balotazh, ai mund të hyjë në kombinacione pas raundit të parë të zgjedhjeve sikurse edhe kandidati i AAK-së i cili të paktën bazuar në debate publike të kandidatëve duket se është më konkreti i njeh problemin dhe problematikën e Prizrenit më mirë se të gjthë të tjerët.”, tha ai.

Sipas analistit Mushkolaj balotazhi i mundshëm në këtë komunë është në mes të PDK-së dhe Vetëvendosjes, mirëpo gjithçka mund të ndryshojë në javën e fundit të fushatës.

“Unë pres një balotazh të mundshëm në mes të PDK-së dhe të Vetëvendosjes, por po e them mund të ndodh që duke u bazuar në javën e fundit të fushatës mund edhe të ndërrojë përqindja e përkrahjes por pres PDK-Vetëvendosje në balotazh.”, ka shtuar ai.

Sa i përket zgjedhjeve të 11 qershorit dhe ndikimit të tyre në ato lokale, ai ka shtuar se qytetarët do të votojnë për frymën e ndryshimit.

“Do të ndikojë fryma e zgjedhjeve të 11 qershorit por nuk duhet me harru që zgjedhjet lokale janë shumë më specifike dhe qytetarët e komunave të Kosovës janë të lidhur në mënyrë tjetër me kandidatët për kryetar dhe asamble se sa në zgjedhjet e 11 qershorit, por fryma e ndryshimit do të vazhdojë, kur po them e ndryshimit nuk e kam fjalën vetëm për ose pro Vetëvendosjes por edhe për partitë e tjera në komunat ku qeverisin aktualisht parti të caktuara”., ka përfunduar Mushkolaj.

Ndryshe, për të parin e komunës së Prizrenit garojnë nga Lëvizja Vetëvendosje Mytaher Haskuka, Hatim Baxhaku nga LDK, Zafir Berisha nga Nisma, Lulzim Kabashi nga AAK dhe Shaqir Totaj nga PDK./GazetaBlic

Imer Mushkolaj, analist