Mos Kosovë

Nga: Edison Ypi 9 January 2017, 19:19

Mos Kosovë

Me Histori në thellësi të kohës, det me shkumë në perëndim, qiell blu përmbi, në lindje ty Kosovë e bukur, gjatë rrugës së plumbit tënd kuptova pse jam ëndërrtar, pse jetoj i mbështjellë me ëndërr.

Kosovë e dashur, e di që nuk i ke mirë punët dhe po do me vra veten me plumb në tamtha.
Mos Kosovë. Më lër ta bëj unë i pari rrugën e plumbit dhe vij të tregoj…
Ja, erdha.
Pashë kalorës trima diva dardanë. Fluturonin mbi kuaj. Mposhtnin Keltë në luftëra të përgjakta. Ishin aleatë me Trojanë. Sulmonin me shpata dhe mbroheshin me parzmoret më të mira të kohës që i përgatisnin me duart e veta.
Pashë barinj që ëndërronin të bëheshin, dhe bëheshin, perandorë.
Pashë malësorë që thurnin balada dhe këndonin Epe.
Pashë Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Abdyl Frashërin.
Me Histori në thellësi të kohës, det me shkumë në perëndim, qiell blu përmbi, në lindje ty Kosovë e bukur, gjatë rrugës së plumbit tënd kuptova pse jam ëndërrtar, pse jetoj i mbështjellë me ëndërr.
Nuk bindesh ?! Ende nuk e heq dorë nga vetvrasja ?!
Ke të drejtë. Fluturova tepër lart. Po nisem përsëri…
Toka ishte e ngrohtë si bukë e porsapjekur.
Dy bujq u ngutën të saktësonin identitetin e tyre fshatar brënda të cilit ishin mrekullisht të vetmjaftueshëm.
Pashë një qytet të therur në mes që kullonte gjak.
Pashë male me pyje ku endeshin Zana mjegullash dhe ujrash. Nëpër pyje nuk kishte drurë të sharruar pa shkak nga njerëz pa shpirt.
Pashë manastire ortodoksë, mistikë, sentimentalë, lotëndjellës.
Pashë në disa vende tre, katër, pesë, deri në tetë shtëpi identike gjigande vëllezërish në emigracion të cilat nga larg duken si koshere bletësh.
Pashë një tank të KFOR-it që ruante një shtëpi ku gdhiheshin e ngryseshin dy të moshuar serbë burrë e grua.
Në një kafene, kafexhiu që e kuptoi se vija nga Tirana, bëri sikur nuk kishte kusur.
-E ke prej mejet, mirardhç.
-Ndoshta nuk vij këtu përsëri o kafexhi.
-Do vish,do vish, tha mendushëm kafexhiu.
Pashë një bujk duke bërë diçka që s’e bën asnjë bujk i Shqipërisë. Sapo kishte kaluar tërthor rrugën me traktor, po pastronte baltën e sjellë me rrotat e traktorit të vet mbi asfaltin e të gjithëve.
Takova miq të mirë që kanë gjith’ jetën që mendojnë ditë e natë për Kosovë e Shqipëri.
Dëgjova muzikë kosovare, të Shqipërisë së mesme, të jugut, të veriut. Në një dasëm “Këngën e Traktoristit me Mësuesen” e kishin marrë për këngë dashurie. Nuk i binda dot se ishte thjesht propagandë.
Në një Çarshi të vjetër hyra në një restorant të djegur nga serbi. Pronari më tha se para djegjes së Çarshisë një serb i kishte bërë këtë propozim; Po ta ruaj unë restorantin nga djegja. Nëse këtu do mbetemi ne, restoranti do bëhet i imi. Nëse do vini ju, e gëzofsh ti. Në restorantin e solidaritetit konspirativ ballkanik, hëngra një Pasul madhështor kosovar dhe piva dhallë mbijetese shqiptarie.
Nuk bindesh ?!
Po nisem përsëri nëpër rrugën e plumbit…
Takova G. B. shkencëtarin e Gjuhës Shqipe. Ate që i di dhe i flet rrjedhshëm krejt dialektet e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai dhe vëllai i tij që kanë studiuar të dy në Londër, kur të gjithë merrnin arratinë, ishin të parët që bënë rrugën e kthimit.
Tradicionalin e pa mposhtur, konservativin e pa shërueshëm të Suharekës e takova duke pirë raki’ të përzier me ujë të gazuar. Konservativi ma kallxoi një të fortë; Më ’91-shin kur kishte ardhur për herë të parë në Shqipëri nga Qafa e Thanës kishte parë disa fshatarë të Rrajcës përmbys mbi një ngastër. I habitur kishte ndalur makinën.
-Çfarë bani aty o vllazën ?!
-Po pastrojmë ngastrën nga gurët.
-A nuk j’u mjaftun dyzet vite me i heq ata gurë prej asaj ngastre ?!
Në Prizren pyeta një fëmijë; Çfarë je ti ? Tyrk, tha, jam.
Në Fush Kosovë më ndali një autostopist serb i cili m’lypi dhjetë Euro. Nuk ja dhashë sepse mu duk shqiptar.
Afër Ferizajt më ndali një autostopist kosovar i cili më lypi njëzetë Euro. Ja dhashë sepse mu duk serb.
Takova dikend që ja kishte ndal kerrin një patrullë me polica shqiptarë.
-Nuk ma ndalën shkiet, djemtë tanë ma ndalën. Edhe mos me ma dhan kurrë çat kerr, hiç s’më bëhet vonë.
Takova dikend që më bëri dy kërkesa; t’i gjeja një nuse në Tiranë, dhe t’i sillja nga Shqipëria një Kalashnikov.
Takova disa kosovarë që flisnin me gjuhën e Zërit të Popullit të viteve ’70.
Në Istog më ndali një pastbllok spanjoll. Ushtari që kontrolloi makinën fërshëllente “La leyenda del Beso”. Në katundin Popoc ka hebrej të ardhur nga Spanja. Gjithçka në rregull. Hasta siempre comandante.
Pashë burokratë fosila që u kishte mbetur ora te titizmi.
Ma shpifën do soc-artista.
Ma kallën datën do akademika.
Më zbavitën me marrinat e tyne gjuhësore do rokera, do kullera.
Mbahu Kosovë. Sa kohë vendet meshkuj, Afganistani, Pakistani, Iraku, Irani, mbulojnë femrat, ndërsa vendet femra, Anglia, Amerika, Gjermania, Italia, Belgjika, Suedia, Shqipëria, mbulojnë meshkujt, nuk i ke fort keq punët. Mos Kosovë. Largoje gishtin nga këmbëza.

Shpërndaje

  • Blic Google+

Të Fundit nga Rubrika