Lajme

Meta: Mungesa e liberalizimit të vizave, padrejtësi për Kosovën!

10/12/2017 20:07
nga:Gazeta Blic

Presidenti i Shqipërisë, Iliri Meta duke folur për vizitën e tij të fundit në Kosovë dhe takimet që ka zhvilluar me krerët institucional dhe partiak, tha se është diskutuar rreth forcimit dhe konkretizimit të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët të qytetarëve të dyja vendeve dhe njëkohësisht forcimit të perspektivës evropiane për të dy vendet tona.

Meta duke komentuar kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që qytetarët e Kosovës të pajisën me nënshtetësi të Shqipërisë, tha se një kërkesë e tillë ka ardhur në radhë të parë si një protestë në emër të të drejtave të qytetarëve të Kosovës, ndaj një kushtëzimi jo shumë të drejtë dhe jo racional të liberalizimit të e vizave me demarkacionin.

“Është një fakt i njohur dhe i pranuar se Kosova  ka përmbushur të gjitha detyrimet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”, tha  kreu i shtetit shqiptar.

Ai madje vuri në theks se Kosova ka përmbushur me shumë kritere se sa disa vende që tashmë e gëzojnë liberalizimin e vizave. “Kjo natyrisht se nuk është normale dhe ne e kemi ngritur këtë çështje në takimet që kemi pasur me përfaqësuesit e BE së se nuk është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të mbesin të vetmit në Ballkan duke iu mohuar lëvizja e lirë”, tha Meta në RTK.

Megjithatë, kur  është fjala të marrja e nënshtetësisë për qytetarët e Kosovës, ai tha se kjo nuk është zgjidhje as afatshkurtre dhe as afatgjate, dhe se kjo  nuk do të zgjidhje problemin e zhbllokimit të proceseve integruese evropiane.

Ai tha se marrja e nënshtetësisë për qytetarët e Kosovës mund të qojë deri të pezullimi i lëvizjes së lirë edhe për gjithë qytetarët e Shqipërisë . “Pra mund të mos ishte tepër produktive pavarësisht qëllimit të mirë. Në këtë drejtim ne kemi diskutuar për të zhbllokuar çështjen e  liberalizimit të vizave , ashtu sikurse duhet ta marrim në mirëkuptim me Malin e Zi dhe BE-në për çështjen e shënimit të kufirit”, tha Presidenti Ilir Meta.

10/21/2017 10:36

Haradinaj dëshiron që Cartitas-i të ketë shtrirje në tërë Kosovën