Opinion

Mbi hapjen e dialogut mbarë shoqëror në Serbi për Kosovën

08/02/2017 07:34
nga:Lisen Bashkurti

Mbas zgjedhjes në postin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka inicuar një debat të gjerë dhe të hapur publik lidhur me Kosovën dhe raportet e Serbisë me të. Iniciativa e Vuçiç vjen në një kohë kur Serbia ka hyrë në një fazë shumë të avancuar të negociatave për antarësim në BE. Në këtë fazë është imperative që Serbia t’i jap zgjidhje qëndrimit të saj lidhur me statusin e Kosovës, politikat e fqinjësisë së mirë si dhe përafrimin e politikës së jashtme në linje me BE.

Debati shoqëror në Serbi mbi statusin e Kosovës hapet në një kohë kur kjo e fundit tanimë është një realitet i pamohueshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht nga 113 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. Në një kontekst më të gjerë, debati mbarëshoqëror i Serbisë për definimin e qëndrimit për statusin e Kosovës është hapur kur Ballkani Perëndimor ka hedhur hapa të mëtejshëm drejt Euro-Atlantizmit. Pranimi i Malit të Zi në NATO, afrimi i shpejt i Maqedonisë drejt saj si dhe avancimi i Shqipërisë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE përbëjnë një zhvendosje pozitive të Ballkanit Perëndimor drejt Euro-Atlantizmit.

Në këtë dinamikë Ballkanike drejt Euro-Atlantizmit, Serbia nuk mundet të qëndroj e izoluar dhe madje as e mënjanuar kryesisht për shkak të qëndrimit të ngurtë ndaj Kosovës. Ndërsa në kontekst më të gjerë Europian, Perëndimor, Rus dhe global debati Serb për Kosovën hapet kur krizat ndërkombëtare janë shtuar dhe komplikuar tej mase, duke rrezikuar edhe vet Ballkanin Perëndimor të përfshihet në to. Përballë këtij rreziku duket që është rritur vëmendja e BE dhe SHBA për Ballkanin Perëndimor, për sigurimin e paqes, stabilitetit, demokracisë, zhvillimit socio-ekonomik dhe integrimit. Ky zhvillim i ri synon, gjithashtu që të vetëpërmbajë edhe Rusinë nga ambiciet e saj gjeopolitike në drejtim të Ballkanit. Hapja e debatit publik të Serbisë për qëndrimin ndaj Kosovës ka vlera të gjithanshme që lypet të konsiderohen pozitivisht, pavaresisht pritshmërive për përfundimet e tij.

Së pari, debati është një hap pozitiv për të hapur tabutë dogmatike të së kaluarës mbi Kosovën. Lënia pas e miteve krijon premisa për qasje realiste të Serbisë ndaj Kosovës. Hapja e tabuve dhe rrëzimi i miteve të së kaluarës në Serbi për Kosovën kërkon debat të hapur shoqëror sepse prej afro një shekulli e gjysëm shoqëria Serbe është viktimë akademike e politike e këtij indoktrinimi.

Së dyti, hapja e debatit kërkon që të krijojë një bazë të gjerë mbështetëse shoqërore për aktorët shtetëror e politik për ndryshimet kushtetuese të domosdoshme që nevojiten të bëhen për Kosovën dhe qëndrimin ndaj statusit të saj. Pa mbeshtetje të gjerë shoqerore në Serbi nuk mund të ketë ndryshime pozitive politike dhe as mundësi për zbatimin e tyre.

Së treti, hapja e debatit publik Serb për Kosovën krijon klimë pozitive për qarqet akademike, mediatike dhe të shoqërisë civile për gjithëpërfshirje në politikë-bërje dhe vendim-marrje në lidhje me qëndrimin ndaj Kosovës dhe statusit të saj.

Së katerti, hapja e debatit publik në Serbi për Kosovën synon të qartesojë krahas qëndrimit për statusin e saj politik disa aspekte të cilat përbëjnë kërkesa të diskutueshme. Këto kërkesa të diskutueshme lidhen me dy aspekte: statusi i pakicës Serbe në Kosovë; statusi i trashëgimisë kulturore religjioze të Serbisë në Kosovë. Për të dy këto aspekte ka qasje të paqarta, konfuze e kontradiktore brenda Serbisë, midis Serbisë dhe Kosovës, madje edhe në qarqet Euro-Atlantike dhe Ruse. Natyrisht debati publik nuk mund t’i japë definicion zgjidhjes së këtyre dy aspekteve. Por, gjithsesi debati do jetë një test publik për t’i hapë rrugë edhe përcaktimeve për zgjidhjet që lypet të bëhen lidhur me pakicat Serbe në Kosovë dhe trashëgiminë kulturore dhe religjioze të tyre.

Së, fundi hapja e debatit publik do nxisë më tej transparencën dhe bazën e gjerë demokratike në politikat publike përfshirë edhe politikën e jashtme si pjesë integrale e tyre. Është ky një mesazh që Serbia i drejton BE, por, për hir të vërtetës duhet thënë se është edhe një model për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që akoma vuajnë nga mungesa e debateve publike për politikat publike, nga mungesa e transparencës, përgjegjshmërisë dhe gjithëpërfshirjes. Se çfarë rezultatesh do dalin nga debati publik Serb për Kosovën dhe statusin e saj është herët të gjykojmë. Por, ajo që mund të thuhet është fakti që ky debat i gjerë dhe i hapur publik do e nxjerrë Serbinë nga rrethi i mbyllur vicioz aktual dhe do ndikojë në ndryshimin e mjedisit politik në mbarë Ballkanin Perëndimor. Si i tillë hapja e debatit Serb për Kosovën dhe statusin e saj lypet të përshëndetet dhe të inkurajohet. Armiqësitë e vjetra midis popujve nuk duhet të pengojnë vështrimin dhe vlerësimin e zhvillimeve pozitive të reja ndërmjet tyre.