Lajme

Mbi 352 mijë euro gjoba për partitë politike që shkelën kodin zgjedhor

06/16/2017 15:29
nga:Gazeta Blic

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, ndonëse u vlerësuan se kaluan pa ndonjë parregullsi që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve, u përcollën me ankesa e gjoba të shumta.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka bërë të ditur se kanë pranuar 354 ankesa, derisa, për shkelje të kodit të mirësjelljes kanë gjobitur partitë politike në vlerën prej mbi 352 mijë euro.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP, tha se gjatë këtij procesi zgjedhor për shkak të shkeljeve nga ana e subjekteve politike gjatë bërjes së fushatës, thyerjes së kodit të mirësjelljes, ka shqiptuar gjoba të mëdha për subjektet politike dhe kandidatët.

“Gjobat e shqiptuara arrijnë në 352 mijë e 400 euro. Koalicioni Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma është gjobitur me 157 mijë e 700 euro. Koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosovare e re dhe Alternativa janë gjobitur me 71 mijë e 700 euro, kurse Lëvizja “Vetëvendosje me 66 mijë euro“, thekson Desku.

Sipas tij, gjoba u janë shqiptuar edhe disa partive tjera.

PZAP ka bërë të ditur se asnjë nga subjektet politike nuk do të mund të certifikohen në zgjedhjet komunale të cilat do të mbahen në këtë vit pa i paguar këto gjoba.

Po ashtu, PZAP ka publikuar edhe ankesat për shkelje të rregullave të procesit zgjedhor të cilat janë pranuar nga subjektet politike si dhe nga organizatat vendore që janë marrë me vëzhgimin e këtij procesi.

“Natyra e ankesave kryesisht kishte të bënte me vendosjen e posterëve në hapësirat publike, mospërputhja e votave, gabim në të numëruarit e votave, asistim për votim, tentim për blerje të votës, dëmtim të posterëve, fotografim i votave dhe parregullsi të tjera”, ka bërë të ditur Desku.

Ndërkohë, Adnan Konushevci, anëtar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka theksuar se në zgjedhjet e 11 qershorit, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014, është shënuar përkeqësim i thyerjes së kodit të mirësjelljes nga subjektet politike.

“Përderisa në vitin 2014 janë shqiptuar 86 mijë euro derisa në vitin 2017 kemi mbi 300 mijë euro gjoba e të gjitha janë për thyerje të kodit të mirësjelljes dhe të gjitha janë për vendosjen e posterëve në vendin ku nuk janë të dedikuar për vendosjen e tyre, tregon se kemi përkeqësim të thyerjes së kodit të mirësjelljes”, thekson Konushevci.

Numrin e ankesave e konsiderojnë mjaft të lartë përfaqësues të organizatës joqeveritare “Demokraci plus”.

Isuf Zejna nga kjo organizatë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky numër i madh i ankesave dëshmon se procesi zgjedhor është përcjellë me parregullsi sa i përket respektimit të kodit të mirësjelljes.

“Është numër jashtëzakonisht i madh i ankesave edhe vlerës së dënimeve. Ankesat mund të jenë edhe më të larta. Ne si organizatë kemi ankesa për PZAP në trajtimin e ankesave sa i përket trajtimit të rrjeteve sociale. PZAP nuk kanë kapacitetin e duhur që të trajtojnë ankesat për këtë formë të fushatës. Si organizatë i kemi dërguar rreth 40 ankesa për thyerje të heshtjes elektorale përmes rrjeteve sociale, por që të gjitha janë refuzuar nga PZAP”.

Ndryshe, procesi zgjedhor i 11 qershorit ishte vlerësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, se ka shkuar pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Kosovë ishin vëzhguar nga më shumë se 29 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.

11/23/2017 16:20

Rugova: Rezultati zgjedhor i papranueshëm, Dreshaj ka manipuluar me vota!