Maqedoni: Banorët e bllokuar në zonat malore, apel për ndihmë

11 January 2017, 18:12

Maqedoni: Banorët e bllokuar në zonat malore, apel për ndihmë

Fshatrat e Malësisë së Shkupit mbeten të shkëputura nga pjesa tjetër e qytetërimit.

Qindra banorë të Brezës, Tanushës dhe Malinës janë ngujuar në shtëpitë e tyre për shkak të reshjeve të borës, trashësia e së cilës madje arrin në një metër.

Banorët e këtyre fshatrave ankohen për neglizhencën e institucioneve, të cilat edhe pse të informuara në kohë për situatën thonë se nuk kanë reaguar fare.

“Fshati Brezë, Tanushë dhe Malinë gati një javë që janë të bllokuar dhe askush nuk interesohet për të pastruar rrugët në këto tre fshatra. Kemi kërkuar ndihmë nga kryetari i komunës , nga Shtabi i Krizës nga Rrugët e Maqedonisë, por askush nuk na del në ndihmë”, është shprehur një banor.

Që situata të jetë edhe më alarmante banorët e Brezës, Tanushës e Malinës kanë nevojë për prodhime ushqimore dhe medikamente, shkruan Alsat M.

“Gjendja është katastrofë edhe ushqimet i kemi kah fundi, kemi persona që kanë nevojë të dërgohen urgjentisht në spitalet në Shkup por askush nuk merr masa, çdoherë që kërkojmë ndihmë në komunë na thonë të drejtohemi tek Rrugët e Maqedonisë kur kontaktojmë këtë institucion na thonë se ata janë vetëm për rrugën magjistrale që është deri në Tanush ndërsa për në Brezë është komuna e Cucersandevës kur i kontaktojmë në komunë na thonë se nuk mund t’ja dalin dhe na thonë të kontaktojmë shtabin e krizës”, ka thënë një tjetër banor.

Izolimi i Malësisë së Shkupit është i përvitshëm. Pas çdo reshje bore ata mbesin të ngujuar në fshatrat e tyre, ku mungojnë kushtet edhe më elementare për jetë.

Shpërndaje

  • Blic Google+

Të Fundit nga Rubrika