Lajme

Lutfi Haziri i tregon Kadri Veselit se kush e procedon Demarkacionin!

04/21/2017 20:37
nga:Gazeta Blic

Pas deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli që gjatë javës së ardhshme do të procedohet në Kuvend marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, ka reaguar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Ai në një deklaratë të shkurtër për Gazetën Blic, nëpërmjet mesazhit telefonik ka treguar se është kryeministri Mustafa, ai i cili do ta riprocedojë në Kuvend demarkacionin, duke mos dhënë detaje tjera.

“Kryeministri duhet ta riprocedoj, sepse është kthyer nga ai në qeveri”, ishte komenti i shkurtër i Hazirit, për Gazeta Blic në lidhje me paralajmërimin e sotëm të Kadri Veselit, që gjatë javës tjetër do të riprocedohet në Kuvend marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

I pari i PDK-së, Kadri Veseli sot përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka pasur një bisedë telefonike me Zëvendës/Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Hoyt Brian Yee, ku temë kryesore ka qenë demarkacioni me Malin e Zi.

Sipas një njoftimi të lëshuar për media, thuhet se ata u pajtuan që Demarkacioni të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër, bëhet e ditur përmes një komunikate të dërguar mediave.

Sipas këtij komunikimi publik, Veseli sërish ka paralajmëruar se nëse nuk kalon demarkacioni, vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

“Gjatë bisedës me diplomatin amerikan, Kryetari Veseli, u shpreh se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të mëdha, sepse, në të kundërtën, ato e humbin kuptimin”, thuhet në këtë njoftim.

Në anën tjetër, është raportuar se nëse nuk kalon demarkacioni në Kuvend, vendi shkon në zgjedhje të reja. Madje, si data të mundshme përmendet fundi i majit, ose fillimi i muajit qershor.

Mirëpo, kryeministri i vendit, Isa Mustafa në deklaratën e dhënë para disa ditësh, ka thënë se demarkacioni nuk do të procedohet përgjatë këtij muaji. Ai ka thënë se riprocedimi i marrëveshjes për demarkacionin do të ndodhë më së largu deri në fund të muajit qershor.

Ndërkohë, Isa Mustafa sipas burimeve të Gazetës Blic ka dështuar që të bind deputetët e LDK-së që ta votojnë demarkacionin.

04/26/2017 21:35

Meta: Ata që po duan ‘fillim të ri’ do ta shohin fundin