Cult

Le Temps: Kongresi i Triestes për një Shqipëri etnike (1913)

05/18/2017 19:30
nga:Gazeta Blic

“Kongresi shqiptar, i shpallur në Austri prej disa javësh, u hap dje në Trieste. Ai zgjodhi si President Hil Mosin dhe Zëvendëspresident Faik Bej Konicën.

Njëqind delegatë të kolonive shqiptare në Evropë, Amerikë dhe Egjipt marrin pjesë. Qeveria austriake është e përfaqësuar nga Mahovetz, drejtor i policisë së Triestes, dhe në mënyrë jozyrtare nga një kapiten stafit.

Delegatët dëshmuan një seri manifestimesh simpatie ndaj Austrisë.

Oratori i parë i cili foli pas presidentit ishte Konti i Taaffe-s, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme në Vjenë dhe djali i ish-ministrit, i cili u shpreh në favor të pretendimeve të Shqipërisë së Madhe.

Zëvendëspresidenti Faik Konica mbajti një fjalim, ku ai shprehu mirënjohjen e shqiptarëve ndaj perandorit Franc-Jozef dhe mbretit të Italisë, për dashamirësinë që ata kanë treguar ndaj popullit shqiptar dhe për mundësimin e krijimit të një Shqipërie të pavarur në të ardhmen.

Duke shprehur mirënjohjen e popullit shqiptar ndaj qeverive të dy shteteve, oratori propozoi që të dërgojë për kontin Berchtold dhe markezin e San Guiliano-s të njëjtat telegrame mirënjohjeje, ku shkruhet: ‘Shqiptarët, të bashkuar në kongresin e Triestes, përfaqësues të të gjitha krahinave shqiptare, si dhe kolonive të ndryshme në Austro-Hungari, Itali, Amerikë, Rumani, Egjipt dhe Turqi, kanë vendosur t’i përcjellin në mënyrë unanime Shkëlqesisë Suaj nderimet e tyre dhe ju shprehin mirënjohjen e thellë për interesin efektiv që Shkëlqesia juaj ka dëshmuar ndaj atdheut të tyre. Rumunët e pranishëm i bashkohen këtij urimi.’

Pas leximit të telegrameve, Markezi ‘Gjon Skënderbeu’ u zgjodh kryetar nderi i Kongresit.
Profesori Schuo foli pastaj në favor të aneksimit në Shqipëri të të gjitha vendeve të banuara me shqiptarë”. /Telegrafi/Burimi: gallica.bnf.fr/Bibliothèque nationale de France/darsiani.com/