Lajme

LDK-së në Prishtinë i doli “faqja e zezë”

09/13/2017 17:53
nga:Gazeta Blic

Tre anëtarët e nëndegës së IV-të LDK-së në Prishtinë, të cilët ditë më parë dorëzuan në Prokurorinë e Shtetit një kallëzim penal ndaj anëtarit të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Hamiti, për gjoja manipulim me listën zgjedhore, tani i pret padia nga ky i fundit për shpifje.

Hamiti, në një deklaratë të dhënë portalit “Gazeta Blic” përmes postës elektronike, ka sqaruar se pretendimet e tre të propozuarëve nga nëndega e IV-të e LDK-së në Prishtinë për kandidatë për asamble, Avdi Ferri, Muhamet Nura dhe Zeqir Meta, janë të pavërteta.

Është qesharak pretendimi që unë si anëtar i KQZ-së mund ta ndryshoj apo largoj nga lista dikend të cilin e dërgon në listë përfundimtare subjekti politik. Listën përfundimtare në KQZ e dorëzojnë zyrtarët e autorizuar të subjektit politik.
Është e thjeshtë të merrni informatë nga LDK se cila është lista përfundimtare që ata e kanë dorëzuar për certifikim dhe a ka ndryshime. Pra me përgjegjësi të plotë ju siguroj që asnjë ndryshim nuk ka ndodhe në listë nga ajo që është dorëzuar nga zyrtarët përgjegjës të LDK-së në KQZ”, ka thënë Hamiti.

Ky anëtar i LDK-së në KQZ ka dhënë sqarime edhe lidhur me dyshimet e potencuara nga anëtarët e nëndegës së IV-të të LDK-së, Ferri, Nura dhe Meta, në kallëzimin penal se Hamiti ka qenë i përfshirë në manipulim me vota në zgjedhjet e kaluara lokale.

Sa i përket pretendimeve qesharake që kinse kam manipuluar me vota është një shpifje e kulluar.
Është shumë e thjesht që ju si gazetarë t’i merrni përgjegjjet zyrtare nga LDK dhe ZRPP që askush nuk ka nderhy në listë të kandidatëve! Po ashtu mund të kërkoni zyrtarisht nga organet e drejtësisë a jam i përfshirë ndonjëherë në keqpërdorim të votës”, është shprehur ai.

E për shpifje, që konsideron se janë bërë në drejtim të tij Hamiti thotë se do t’i drejtohet drejtësisë për të trajtuar këtë rast.

Këta tre shpifesitë po i paralajmëroi që shpifja është vepër penale dhe do të ballafaqohen me kallëzim penal nga ana ime”, ka njoftuar ai.

Disa orë më vonë, pas raportimit të portalit “Gazeta Blic” se anëtarët e LDK-së, Ferri, Nura dhe Meta, kanë ngritur kallëzim penl ndaj Hamitit, në shenjë pakënaqësie si rezultat i përjashtimit nga lista zgjdhore, ka reaguar Meta, duke u distancuar nga kallëzimi penal.

Sipas anëtarit të nëndegës së IV-të të kësaj partie, Meta, i cili mohon të ketë qenë në Kosovë në kohën kur dy kolegët e tij kanë deponuar në Prokurorinë e Shtetit kallëzimin penal ndaj Hamitit, thotë se këtë veprim anëtarët Ferri dhe Nura e kanë bërë pa autorizimin e tij.

Sa i përket emrit tim, jo për arsyetim por për korrektësi, unë e kam autorizuar njerin nga dy të nënshkruarit për ankimim e jo për kallëzim penal kundër Sami Hamitit dhe askujt tjetër se të them të drejtën nuk jam kundër asaj që me kanë hequr nga lista por, jam kundër mënyrës së heqjes”, ka thënë Meta.

Lidhur me rastin, portali “Gazeta Blic” ka kontaktuar edhe me të nominuarin LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, por edhe ai i ka mohuar pretendimet e anëtarëve Ferri dhe Nura, për manipulim me listën zgjedhore.

Nuk po me besohet se këta anëtarë kanë bërë një gjë të tillë, me të vërtetë është e quditshme por edhe qesharake. E vëteta nuk qëndron ashtu siç e paskan interpretuar ata, emrat e tyre nuk janë zëvendësuar me emra tjerë, është plotësisht e pavërtetë kjo. Emrat e tyre sikurse edhe emrat e të propozuarve tjerë kanë ardhur në parti nga nëndegët e partisë tonë dhe në fund është vendosur se kush të jetë pjesë e listës e kush jo. Lista finale që është dorëzuar në KQZ ka qenë pa emrat e z. Ferri, z. Nura dhe z. Meta, dhe nuk ka pasur asnjë mundësi të manipulimit të listës tonë as nga ana e z. Hamiti por as nga askusht tjetër”, ka deklaruar Abrashi dje për “Gazeta Blic”.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në vend janë përcaktuar të mbahen më 22 tetor. /Gazeta Blic/

11/21/2017 00:23

Azem Vllasi: Këto dy parti janë fituese, ja pse dështoi PDK!