Lajme

LDK: PDK e pabesë, nuk bëjmë koalicion me të

06/08/2017 19:43
nga:D.I

Tre liderët e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Isa Mustafa, Behgjet Pacolli dhe Mimoza Kusari Lila, janë zotuar sot para qytetarëve të Lipjanit dhe gjithë Kosovës, se në asnjë mënyrë nuk do të bëjnë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, pasi siç thanë është “parti që shkelë marrëveshjet dhe e pabesë”.

Këto vlerësime u bënë gjatë takimit elektoral të koalicionit LDK-AKR-Alternativa të mbajtur në Lipjan.

“PDK e ka shkelur marrëveshjen, i ka thyer rregullat, PDK është treguar e paqëndrueshme dhe e pabesë dhe LDK në asnjë mënyrë nuk do të bëjë koalicion me ata”, ka thënë Mustafa.

Ai e ka vlerësuar lart koalicionin e LDK-së me partnerët e saj. “Koalicioni LDK-AKR-Alternativa-Lëvizja për Drejtësi, është koalicion i vlerave. Vlera zhvillimore, demokratike, koalicion që ofron të mira, është koalicion i besës dhe ne do t’i fitojmë së bashku edhe zgjedhjet lokale”, ka shtuar Mustafa, i cili është shprehur i bindur për fitoren e 11 qershorit.

“Me këto vlera që i kemi, që po i shohim në të gjitha tubimet tona, nuk do t’ua japim rastin atyre për asnjë fillim të ri, sepse ata gabuan dhe ne nuk mund t’i tolerojmë sërish të fillojnë e të gabojnë. Fillimin e ri do ta bëjnë duke shkuar në opozitë, ndërsa ne do ta qeverisim vendin”, ka thënë Mustafa.

Imri Ahmeti, kryetar i degës së LDK-së në Lipjan dhe kryetar i Komunës së Lipjanit, ka thënë se, votën e elektoratit nuk e kërkojmë vetëm mbi bazën e frymës rugoviane, por edhe mbi bazën e së tashmes, të ardhmes.

“Ashtu siç kemi fituar fitoren në Lipjan, më 12 qershor do të festojmë fitoren në tërë Kosovën. Orientimi ynë është integrimi evropian, prandaj na duhet një kryeministër evropian siç është Avdullah Hoti. LDK bashkë me partnerët e koalicionit është alternativa më e mirë dhe e vetme për Kosovën, sepse përbëhet nga njerëz të pastër para ligjit dhe para Zotit”, ka thënë Ahmeti, i cili më pas ka adresuar edhe një mesazh të qytetarëve të Lipjanit.

“Mesazhi i qytetarëve të Lipjanit është, jo me PDK, aman jo me PDK, sepse me njerëz që presin në besë nuk do të bashkëpunojmë”, është shprehur Ahmeti.

Edhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli është shprehur i vendosur që mos të ketë koalicion me PDK-në. “Kryeministri tha se ai partneri tjetër (PDK), që nuk dua t’ia përmend emrin, i ka djegur të gjitha kartat, nuk ka kredibilitet dhe ne asnjëherë nuk kemi nevojë të bëjmë koalicion me ata. Ai fillimi i ri ishte në vitin 2007 me AKR-në, e ky tash është fillimi i fundit të tyre”, ka thënë Pacolli.

Ai ka shtuar se ky është fundi i agonisë së Kosovës, sepse më nuk do të udhëhiqet nga hajnat, matrapazët, të paditurit.

“Kosovën do ta udhëheqin njerëzit e mendjes së ndritur, njerëzit që duan qytetarin dhe njerëzit që e çojnë në vend amanetin e heronjve tanë, amanetin e të madhit Ibrahim Rugova”, ka thënë Pacolli.

Të njëjtin mendim e ka shprehur edhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila. “Në emër të Alternativës dhe rinisë u them se nuk do të ketë koalicion me PDK-në. Ruani këto incizime dhe përdorni si dokument kurdo që ju nevojiten. Ne jemi njerëz të besës e shpresës. Ne vazhdojmë me vizionin e Presidentit Rugova. Me urtësi, mençuri e guxim përpara”, ka thënë Kusari – Lila.

Në tubimin e sotëm në Lipjan, kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka shprehur konsideratën më të lartë për të gjithë qytetarët e Kosovës që po i bashkohen Brezit të Republikës.

“Fitorja jonë më nuk vihet në konsideratë. Qëllimi ynë është që ta thellojmë fitoren dhe t’ua japim qytetarëve qeverinë që ata e meritojnë, me duar të pastra”, ka thënë Hoti.

07/20/2017 20:39

Pacolli i vendosur: Nuk e votojmë Haradinajn