Lajme

Kujdes: Kosova është mbushur me para false!

06/17/2017 07:39
nga:D.I

Kosova po shndërrohet në një vend parajsë për falsifikatorët e monedhave. Aktualisht ekzistojnë disa celula nëpër Kosovë ku falsifikohen monedha, por ka edhe raste kur importohen të gatshme nga shtete tjera.

Se sa shqetësuese dhe e rrezikshme për qytetarët është duke u bërë kjo dukuri, tregon një rast i vitit të kaluar kur Policia e Kosovës konfiskoi 2 milionë e 131 mijë euro, shkruan Gazeta Fjala. Të gjitha para të falsifikuara në Kosovë.

Megjithatë rastet kanë vazhduar edhe në fillim të vitit 2017, por Policia ende nuk e ka gjetur formulën sesi t’i ndalë falsifikatorët.

Nga Policinë e Kosovës kanë thënë për Gazetën Fjala se vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, janë raportuar 119 raste të falsifikimit të parasë.

Në total vlera e parave të falsifikuara për këtë periudhë është 15 mijë e 793 euro.

“Si rezultat i punës dhe angazhimeve të Policisë se Kosovës lidhur me këto raste janë arrestuar 18 persona të cilët kanë qenë të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme, dhe janë konfiskuar para të dyshuara si të falsifikuara”, kanë thënë Zyra për informim në Policinë e Kosovës.

Cilat monedha falsifikohen më se shumti

Sipas rasteve që janë raportuar në Polici, kartëmonedha më e falsifikuar del të jetë bankënota prej 50 euro kurse më se paku falsifikohen monedha në vlerë 5 euro.

Kështu për tre muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 199 raste të falsifikimit të bankënotës 50 euro, gjë që e bënë monedhën më të falsifikuar.

44 raste tjera janë raportuar për 50 euro, 2 raste të bankënotës 500 euro, ndërsa 20 euro është falsifikuar 11 herë këtë periudhë.

Po ashtu disa raste të falsifikimit janë edhe për paratë metalike si 50 cent e 2 euro.

Ekspertët: Kjo dukuri po bëhet rrezik i madh për qytetarët

Njohësi i ekonomisë Milazim Abazi, ka thënë për Gazetën Fjala se rreziku i qytetarëve sa u përket falsifikimeve është gjithnjë i madh. Sipas tij, të gjitha bankat duhet të pajisen me aparate të cilat tregojnë falsifikimet e parave, sepse nuk është lehtë të dallohen me sy.

Ai gjithashtu shtoi se organet e rendit dhe të ligjit janë institucionet kompetente që duhet luftuar këtë dukuri.

“Duhet t’i kontrolloj kufijtë sepse ajo është rruga ku më së shumti hyn monedhat e falsifikuara, porse nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë punëtorie që ka mundur të hapet për falsifikim e tyre, ku dihet se krimi i organizuar tek ne është i madh” ka thënë Abazi.

Një mënyrë tjetër për t’i ndalu falsifikatorët sipas Abazit janë dënimet e larta që duhet të jepen.

Edhe drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë se kohëve të fundit kanë vërejtur se ka një rritje të qarkullimit të parave të falsifikuara në ekonominë e vendit.

Duke pasur parasysh këtë, shton Balija, janë duke ushtruar vigjilencë në këtë drejtim duke identifikuar bankënotat e falsifikuara që tentojnë të deponohen në banka dhe më pas të veprojnë sipas ligjeve në fuqi.

“Kjo shkakton probleme qoftë për bizneset dhe qytetarët që deponojnë apo i përdorin këto para, pasi që merren në pyetje dhe iu kërkohet përgjegjësi për prejardhjen e këtyre parave. Përveç kësaj, kjo ndihmon në financimin e ekonomisë së zezë ose edhe më keq veprimtaritë kriminale dhe financimit të terrorizmit, prandaj është një humbje e madhe për shtetin nëse nuk konfiskohen apo nuk evitohen me kohë këto situata”.

Ndryshe rasti më i madh i falsifikimit të monedhave që nga paslufta ka ndodhur vitin e kaluar. Policia konfiskoi monedha të falsifikuara mbi 2 milionë euro.

11/20/2017 17:36

Thaçi: Paqja dhe dialogu, vlera që bashkon Kanadanë dhe Kosovën!