Opinion

Krizë e shpifur

08/02/2017 20:47
nga:Ibrahim Rexhepi

Krizë e shpifur

Ishte e shpifur kriza energjetike,njësoj sikurse edhe protesta e disa punëtorëve të KEK-ut, me qëllim që të mbulohet kriza e vërtetë- mosfunksionimi i shtetit dhe moskryerja me kohë e detyrimeve që kishin institucionet dhe operatori publik i prodhimit të energjisë

Brenda një dite gjendja ndryshoj në mënyrë radikale. Kosova mori frymë lirshëm. Nuk do të ketë krizë- kolaps energjetik. Ka mjaftuar një takim në zyrën e kryeministrit dhe një takim i kabinetit qeveritar dhe gjithçka në sistemin energjetik të kthehet në gjendje normale. Por, ky normalitet është vetëm në dukje- fatamorganë !

Ka shumë fakte që flasim se kriza energjetike që kërcënonte vendin ishte e shpifur, sikurse edhe protesta e disa punëtorëve të KE-ut se gjoja ata do të mbeten pa punë, vetëm për të mbuluar mospunën e një zingjiri të tërë të dikastereve qeveritare, duke përfshirë edhe operatorin vetëm publik për prodhimin e energjisë elektrike – Korporatën Energjetike të Kosovës. Nëse problemi është ditur në vitin 2011, kur edhe janë marrë vendime për shpronësimin e disa tokave ku janë rezervat e qymyrit, atëherë si mund të thuhet se kriza ka kërcënuar befas.

Që nga ajo kohë është dashur të dihet se rezervat ekzistuese do të shtjerrin dhe një ditë deponitë e termocentraleve do të mbeten pa qymyr. Arsyetim nuk është as fakti se qeveria aktuale ka ditët e numëruara dhe mandat të kufizuar, as ai se ministri i zhvillimit ekonomik, resor ku është edhe energjetika, i cili po sillet sikur kurrë nuk ka qenë pjesë e kabinetit të Isa Mustafës, e as vonesa disavjeçare e nënkontraktuesve të KEK-ut, problem që tash u bë i dukshëm. Pra, që të gjithë kanë heshtur, duke krijuar frikën nga terri dhe dyfishimi i çmimit të energjisë elektrike. Gjithçka e shpifur me qëllim.

Janë dy gjëra që “e arsyetojnë” rizën e shpifur dhe heshtjen e gjatë për qymyrin që po harxhohet. E para, se ndoshta gjithmonë duhet krijuar ndjenjën e pasigurisë në kohën e ndryshimit të pushteteve. Të përkujtojmë dhjetorin e vitit 2014 kur ndodhi ikja masovike e kosovarëve për shkak të pasigurisë dhe mungesës së perspektivës në vend. Dhe pas tri vitesh u pa se pasiguria dhe mungesa e perspektivës nuk ishin në nivel më të lartë, por me shenja të dobësimit të tyre.

E dyte, nisur nga përvojat e deritashme me shpronësimet, ndoshta problemi është heshtur me qëllim që të krijohet hapësirë që gjërat të ndryshojnë ën terren- që të bëhen ndërtime, të rritet çmimi i shpronësimit, të ndryshojnë pronarët e tokave që duhet shpronësuar – dhe, në fund dikush të pasurohet në kurriz të taksapaguesve të Kosovës, madje edhe duke u shpallur patriot pse paska pasur mirëkuptim se termocentraleve po i duhet qymyri.

Pra gjithçka është e shpifur- madje edhe protesta e një sindikate të punëtorëve të KEK-ut ( nga shumë prej tyre që ekzistojnë). Punëtorët nuk kanë asnjë arsye të brengosen se do të mbeten pa punë, meqenëse Kosova nuk guxon të mbetet pa energji elektrike, e as që vazhdimisht të bëjë importin e saj, meqenëse nuk ka para që ta paguaj atë. Me këtë rast më e arsyeshme do të ishte të protestohet pse problemet nuk po zgjidhen me kohë dhe sipas termineve të planifikuara, ashtu që puna në të gjitha hallkat e KEK-ut të zhvillohet pa frikë e tensione.

Situata e krijuar ka bërë që të hestet kriza reale energjetike që po i kërcënohet vendit. Zvarritja e procesit për konstituivin e institucioneve të pushtetit në mënyrë serioze po rrezikon tenderin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ka mundësi që derisa kjo çështje të vjen në agjendën e qeverisë së re, të ndryshojnë shumë gjëra që ishin negociuar më parë. Kjo është shumë e mundshme, meqenëse çdo kohë e humbur paralajmëron ndryshimin e mundshëm të pozicioneve të kontratave komerciale. Prandaj, mund të ndodhë që tenderi të dështoj dhe gjithçka të nisë nga fillimi. Atëherë edhe për një kohë të gjatë Kosova do të mbetet me 8-9 milionë tonë qymyr të eksploatuar, me 5.5 milionë megavat energji të prodhues dhe me krizën energjetike që ngufatë zhvillimin dhe perspektivën.

07/19/2017 13:33

Rreziqet e paketave qeveritare