Opinion

Kosova (nuk) është shtet sovran!

03/16/2017 17:38
nga:Jon Leka

Nuk bëhet fjalë gjithaq për ushtrinë. Jo-ja apo po-ja e aleatëve rreth miratimit të ligjit për ushtrinë perceptohet nga opinioni së fundi si ambivalencë e tyre karshi sovranitetit të Kosovës. Perceptim i natyrshëm dhe në përputhje me sjelljen e qendrave të ndryshme. Andajnjë sqarim thelbësor sidomos i SHBA-ve dhe NATO-s në këtë drejtim  është më se i domosdoshëm. Ata duhet t’i përgjigjen pyetjes: edhe sa gjatë do të mundet të sabotojë Serbia sovranitetin e një vendi tjetër?

Psikoterrori vazhdon. Hashim Thaçi dhe partia e tij përsërisin nateditë refrenin: «Ushtria do të bëhet. S’ka kthim prapa». LDK që në fillim të idesë ka shprehur mosvullnetin për ta votuar ligjin pa pasur garancinë e plotë të aleancave ndërkombëtare. Natyra e reagimit është tradicionale kur bëhet fjalë për luftëra e ushtria. AAK parimisht e kategorikisht mbështet ushtrinë – gjë kjo e natyrshme sidomos kur perëndimi ende përfill urdhëresat e Millosheviçit dhe trashëgimtarëve të tij ende të papenduar, duke mbajtur liderin e tyre peng në Strasburg. Tashmë edhe LVV që si duket kërceu në valle e shtyrë më shumë nga motivi anti-imperialist se ta kishte menduar mirë, ka filluar të hamendet dhe tërheq vërejtjen në mos dëmtohet vendi me nismën e presidentitet Thaçi.

Jo vetëm ambasadori amerikan Greg Delawie, por edhe kolegu i tij në Beograd Kyle Scott porositi që Kosova mos të shpejtojë me krijimin e ushtrisë. Përfaqësuesi i NATO-s Stoltenberg i bëri disa komunikata, secila me më shumë gabime se tjetra. BE, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar me gjysmëzë u solidarizuan me dy kanalet kryesore; atë amerikanen dhe NATO-n.

Nga të gjitha reagimet një lexohet qartë: askush prej këtyre nuk është kundër ushtrisë, por reagojnë kundër metodës. Ata kërkojnë që të gjitha komunitetet të munden të votojnë për krijimin e një mekanizmi aq esencial për një shtet. Dhe i vetmi komunitet që saboton  – jo vetëm krijimin e këtij institucioni sigurie –  janë serbët e veriut. Me përkushtimin dhe betimin se këtë nuk do ta bëjnë sa të jenë gjallë.

Gjermania, Franca heshtin. Italia poashtu. Dhe plotë vende tjera të rajonit, madje edhe Shqipëria nuk ka qëndrim të qartë zyrtar se çka mendon dhe ofron.

Ky është realiteti nëse e dëgjojmë çdonjërën palë veç e veç e jo se çka thonë njëra për tjetrën, për shembull kur Thaçi ngul këmbë se SHBA dhe NATO nuk janë kundër edhe pas kërcënimit të Delawie se do të rishqyrtohet «raporti i SHBA-ve me një Ushtri të tillë». Dhe  pyetjes se si do zgjidhet kjo punë i përgjigjet: «S’di çka them. Shpresoj mos ta dijë kurrë».

Sipas këtij përshkrimi të gjendjes faktike: Thaçi nuk e ka mbështetjen e perëndimit për ta krijuar ushtrinë në këtë mënyrë.

II.

Dhe problemi, thelbi i çështjes nuk është ajo se a do të mundet apo jo Kosova ta mbrojë veten pas 10 viteve apo jo. Me kapacitetet e planifikuara sigurisht se jo. Pa NATO-n dhe tjerët Kosova është vend i vogël për tu mbrojtur nga agresioni permanent serb me asistencë ruse.

Më e egër dhe poshtëruese për opinionin kosovar brenda këtij kontesti prandaj nuk është jo-ja apo po-ja e amerikanëve dhe BE-së për ushtrinë, por është efekti i mungesës së përgjigjes nga Delawie, BE dhe NATO se si mendojnë, edhe sa gjatë kërkojnë ata prej kosovarëve që të durojnë e jetojnë në këtë mënyrë; me gjysmë shtet, të kushtëzuar nga pakica serbe dhe Beogradi, të izoluar dhe pa asnjë shpresë.«S’di çka them. Shpresoj mos ta dijë kurrë», nuk është përgjigje por floskë pa vlerë që mund të interpretohet si: «mos u bëni shtet kështu» e kur pyet tjetri se si atëherë? «Çka më intereson mua». Kulmi i indiferencës.

Nga ana tjetër Vuçiç kërcënon edhe samitet pse Kosova trajtohet si shtet i pavarur dhe kërkon që kosovarët të nënshkruajnë edhe enët e kuzhinave si pronë e Serbisë, ngase sipas saj paska trashëguar Jugosllavinë (çka nuk qëndron në bazë të dokumentaciont ndërkombëtar).

III.

Përdhosja e Thaçit është pikërisht rezultat i një politike kaq ambivalente ndërkombëtare, të padrejtë ndaj lirisë dhe shtetit të Kosovës. Gjykuar në bazë të atyre që shohim, pa llogaritur këtu shërbimet sekrete se ç’ bëjnë ato banesave me roleta të mbyllura Matit apo Dragodanit, kjo gjendje është në shërbim vetëm të një rezultati të mundshëm: çmontimit perfid të Republikës së Kosovës në favor të tjerëve, nëpërmjet kaosit, shtypjes dhe diskriminimit, cili patjetër se rezulton nga psikoterrore të llojit. Eskalimi është mundshëm,ngase rritet ksenofobia ndaj perëndimit, urrejtja ndaj klasës politike për çdo ditë e më shumë dhe rrezikojnë balancën shoqërore.

E duan këtë Delawie, NATO dhe tjerët që edhe pse e dinë se serbët sabotojnë gjithçka, të vallëzojnë ekskluzivisht sipas tangos së tyre – në kurriz të kosovarëve dhe lirisë së tyre, natyrisht. Apo mos dini të sqaroheni edhe më mirë se sa; «mos bëni kështu se shpresoj mos ta di se ç’ ndodhë me ju»? Çka do të ndodhë – merrni guximin si cowboy dhe së paku e thoni troç që së paku ta dinë se si duhet njerëzit t’i zgjedhin problemet e tyre.

IV.

E gjithë kjo nuk është vetëm punë ushtrie pra, por më shumë dhe gjendja kërkon nga aleatët e Kosovës ta thonë troç: është Kosova në planet e juaja ende sovrane apo ia keni marrë atë njëanshëm e nuk tregoni?

05/07/2017 10:17

“Ja pse Halil Matoshin po e duan ta kenë disa parti politike”