Lajme

Kosova ndalon “llumin” e Evropës

07/16/2017 18:25
nga:D.I

Pas 1 janarit 2018, në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet dhe që nuk plotësojnë standardin “Euro 4” për normat e shkarkimeve në ajër. Vendimi është zyrtar dhe sipas autoriteteve kosovare, “llumi i Evropës” më nuk do të lejohet të sillet në vendlindje.

Veturat e vjetra që i kanë shfrytëzuar bashkatdhetarët në diasporë, dhe që kanë menduar t’i sjellin në Kosovë për t’i zhdoganuar, këtë duhet ta bëjnë sa më shpejt, sepse institucionet në Kosovë kanë marrë vendim, që nga vitit 2018, ta ndalojnë importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet. Me këtë vendim, “llumi” i Evropës nuk do të sillet në Kosovë, madje në rastet më të këqija, këto vetura nuk do të përdoren as “për pjesë”, shkruan albinfo.ch.

Vendimin për importin e veturave të vjetra e ka marrë Qeveria e Kosovës me kërkesën e ministrit në detyrë të Financave, Avdullah Hoti. Vendimi tanimë është zyrtar, pas ka dalë edhe në Gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës. Dhe sipas vendimit, pas 1 janarit 2018, nuk do të mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vite dhe që nuk plotësojnë standardin EURO 4 për normat e shkarkimeve në ajër. Por, deri më 31 dhjetor të këtij viti, mund të zhdoganohet secila veturë, pavarësisht vjetërsisë. Sipas statistikave që posedon Ministria e Punëve të Brendshme, rreth 90 për qind e veturave që shfrytëzohen në Kosovë, janë më të vjetra se 18 vjet. Këto automjete po konsiderohen si një prej shkaktarëve kryesorë të ndotjes së ambientit, por edhe të aksidenteve në trafik, shumë nga të cilat po përfundojnë me fatalitet.

Kosova me 1.8 milion banorë, me 400 mijë automjete

Sipas Ministrisë se Punëve të Brendshme, në Kosovë janë mbi 385 mijë automjete, ndërsa të regjistruara në MPB janë mbi 300 mijë. Marrë në përgjithësi, mesatarja e vjetërsisë së veturave është 18 vite, apo 10 vite më shumë se sa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian, thuhet në një analizë të publikuar muaj më par nga Instituti për Hulumtime të Avancuara “Gap”.

Jeton Mehmeti, nga ky institut ka thënë se aktualisht në Kosovë 90 për qind e veturave janë të vjetra, dhe kjo, sipas tij, ka efekte negative në shoqëri.

Albinfo.ch ka kontaktuar zëdhënësin e Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci. Ai tha se gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë hyrë afër 27 mijë vetura. “Prej tyre, 2263 janë të reja, dhe kjo paraqet rritje të importit në vitin e kaluar pasi që Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) ka mundësuar që veturat e reja të kenë shumë më pak taksa prandaj edhe kemi rritje të importit. Kurse veturat e përdorura janë 10 herë më shumë se ato të reja, duke kaluar shifrën prej mbi 24000 veturash të importuara”, tha Stavileci.

Më i shtrenjtë zhdoganimi se sa blerja e veturës

Gjatë vitit të kaluar, taksat e paguara për automjete, sipas Stavilecit, ishin rreth 64 milionë euro, që tregojnë se autoritetet kosovare kanë inkasuar një shumë relativisht të madhe nga zhdoganimi i këtyre automjeteve. Kjo, edhe për faktin, se zhdoganimi dhe akciza e një veture me 2.0 litra i vitit 2006, sillet nga 2 mijë deri 3 mijë euro. Shpeshherë më shtrenjtë është zhdoganimi sesa blerja e veturës në Zvicër ose Gjermani.

Vetëm gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, sipas Adriatik Stavilecit, janë importuar 1106 automjete me kilometrazh 00 apo 34 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Sipas statistikave doganore, automobili francez Reno renditet në vendin e parë me 13 për qind të importit, pastaj vjen Volkswagen, i cili po ashtu i afrohet shifrës prej 13 për qind. Citroën është i treti më 5, 7 për qind, Kia 7,6 për qind, Dacia 5,2 dhe Ford 4,6 për qind…

“…Ndërsa, në importin e automobilave të përdorur është një strukturë tjetër e automjeteve që pëlqehen nga qytetarët tanë. Prej automobilave të vjetër ende dominon Volkswagen me 45 për qind, Opel 10,3 për qind, Audi 8,3 për qind, Mercedes 10,2 për qind dhe BMW me 5,2 për qind”, tha ai.

Tregu kosovar “i ha” më së shumti veturat që vijnë nga Zvicra

Në bazë të të dhënave të Doganës vërehet ulje e sasisë së importit të veturave të tipit benzinë. Pra nga rreth 27 mijë vetura sa zhdoganohen, vetëm 2 mijë e 500 janë me djegie benzine, kurse të tjerat me dizel. Shteti nga i cili kosovarët marrin më shumë vetura edhe në këtë rast është Gjermania, pasuar nga Franca e Italia. Kurse veturat që më së shumti “i ha tregu”, janë ato që shfrytëzohen në Zvicër, për shkak të standardit më të lartë që aplikon shteti Helvetik.

Zeqir Keçekolla nga Prishtina thotë se janë kushtet e vështira ekonomike që i detyrojnë qytetarët të blejnë më tepër vetura të përdorura, ndonëse ato, përveç që shkaktojnë probleme mjedisore, konsiderohen edhe si mjete jo të sigurta në komunikacion.

“Krejt dëmet në mjedis po i bëjnë veturat e vjetra. Por, në Kosovë është varfëri e madhe dhe qytetarët nuk kanë para për të blerë vetura të shtrenjta”, ka thënë ai për REL.

Edhe Blerim Kabashi punonjës në sektorin publik, pranon se në tregun e veturave duhet të ketë kufizime të vjetërsisë, por sipas tij, kushtet financiare nuk lejojnë që qytetarët të vozisin vetura të reja dhe të shtrenjta. “Unë kam dëshirë të kem veturë të re. Por, për shkak të mundësive, vozis veturë të vjetër, të tipit BMW. E di që ndikojnë në ambient, por veturat më pak të përdoruara janë më të shtrenjta”, thotë ai.

Përfaqësues të shoqatës së Importueseve të Automjeteve të Reja, konsiderojnë se në Kosovë nuk duhet të lejohet importimi i veturave më të vjetra se pesë ose gjashtë vjet.

Bujar Hoxha, kryetar i kësaj shoqate tha për mediat vendore se përdorimi i veturave të vjetra në rrugët e Kosovës, përveç ndotjes së ambientit, ka ndikuar edhe tek rritja e numrit të aksidenteve. “Kufizimi i vjetërsisë së veturave prej 10 vitesh është i lartë. Është dashur të jetë 5-7 vite. Unë shpresoj se ligji i ri, do të ketë tarifa doganore dhe akciza për veturat që janë të vjetra”, shprehet Hoxha.

Agron Bektashi është zyrtar në Qendrën Rajonale të Mjedisit (REC). Ai thotë se një ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë, janë automjetet e vjetra. Sipas tij, në rajonin e Prishtinës vetëm 2 për qind e makinave janë të prodhuar në vitin 2010-2014, kurse rreth 30 për qind e makinave janë mbi 25 vjet të vjetra.

“Kjo është një përqindje mjaft e madhe, duke marrë parasysh se makinat e vjetra dhe sistemi i djegies së tyre nuk i plotëson kushtet as të drafteve evropiane, por as të mbrojtjes se mjedisit. Përveç që janë ndotës të drejtpërdrejtë, siç është lirimi i gazrave, krijojnë më tepër zhurmë dhe mbeturina etj.”, shprehet Bektashi për mediet kosovare.

Përdorimi i këtyre makinave, thotë Bektashi, çdo ditë e më tepër po rrezikon shëndetin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, 50 për qind e makinave nuk është dashur të jenë në qarkullim në komunikacion. “Mund të them se makinat të cilat në Kosovë kalojnë mbi 15 vjet, kurse mos të flas për këto që janë mbi 25 vjeç, janë një ndër ndotësit më seriozë të mjedisit edhe rrezikues direkt të sëmundjeve më organe aspirative, siç janë ato të frymëmarrjes, mushkërive e të tjera”, thotë Bektashi.

Pas sa vitesh në Kosovës, WV ia lëshon vendin Reno-s

Edhe pse shumica e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit janë të përqendruar në Gjermani dhe vendi është shquar gjithnjë për përdorimin e automjeteve gjermane, një erë e re ka filluar të dominojë në Kosovë. Duket se kosovarët po i pëlqejnë më shumë automjetet franceze, të cilat çdo ditë e më tepër shihen nëpër rrugët e vendit, fakt që konfirmohet edhe me shifrat e Doganës së Kosovës për automjetet e importuara. Automobili më i importuar gjatë këtij viti është Reno-ja (Renault).

07/20/2017 20:24

Besnik Hasi: Jam nga Kosova e Shqipërisë – Gazetari grek: Kosova e Serbisë