Lajme

Kosova, atraksion turizmi me bukuritë e mëdha! (VIDEO)

06/18/2017 12:36
nga:Gazeta Blic

Kosova ka shënuar rënie të vizitorëve në tre mujorin e parë të këtij viti. Kjo konstatohet nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sipas së cilës, kapaciteti hotelier në Kosovë është shfrytëzuar vetëm 8. 9 për qind, që është më e ulët se sa në periudhën e njëjtë me dy vitet e kaluara.

Megjithatë, përfaqësues të institucioneve nuk kanë thënë nëse ka rënie të turizmit në tre mujorin e parë të këtij viti, porse janë shprehur të kënaqur me vizitorët që ka pasur vendi gjatë kësaj periudhe.

Udhëheqës i Departamentit të turizmit në Ministrinë e Tregtisë, Hysen Sogojeva, tha për KosovaPress se me themelimin e Agjensionit Kombëtar do të krijohen mundësi që të promovohet edhe më shumë Kosova me bukuritë e saj natyrore. Deri më tash siç tha ai, promovimi është bërë përmes panaireve dhe broshurave.

Përveç kësaj, Sogojeva theksoi se janë duke u munduar që të përfshijnë gjithë vendin me projekte për zhvillimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës me qëllim të lehtësimit të qasjes së turistëve në pikat që dëshirojnë të vizitojnë. Ndërsa shtoi se zhvillimi i sektorit privat në Kosovë është duke dhënë frytet e tij, pasi që fakti se Kosova ka zhvillim të kapaciteteve hoteliere dhe turistike, tregon se vizitorët e huaj po gjejnë komoditet dhe argëtim në vendin tonë.

Ai u shpreh se Kosova ka mjaft potenciale turistike, ndërsa theksoi se kryeqyteti prinë me numrin më të madh të turistëve të huaj.

Edhe në bazë të dhënave statistikore të ASK-së për vitet e fundit, numri më i madh i vizitorëve të huaj del të jetë i përqendruar në Prishtinë, me ç’rast sipas të dhënave që ata posedojnë, vetëm në tremujorin e parë të vitit 2017, janë regjistruar mbi 12 mijë vizitorë. Pas Prishtinë, vijnë Peja dhe Prizreni për të vazhduar me qytetet e tjera.

Sa i përket vizitave në lokalitete arkeologjike dhe monumenteve, për KosovaPress foli Vjollca Aliu nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore në Ministri të Kulturës, e cila tha se në projeksionin buxhetor kapital vazhdon të prijë parku arkeologjik “Ulpiana”, i cili siç tha ajo, vetëm muajin e kaluar ka pasur mbi 3 mijë vizitorë. Më pas, sipas Aliut, vijnë Kalaja e Novobërdës dhe Kalja e Prizrenit.

Ajo theksoi faktin se janë duke vlerësuar disa projekte që kanë të bëjnë me promovimin e trashëgimisë kulturore si dhe në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në aspektin e ruajtjes dhe mbrojtjes së saj.

Ajo theksoi se Kalaja e Prizrenit është një projekt shtesë i cili bashkë financohet nga Ministria dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa presin që hapja të bëhet përmes një ceremonie në fund të muajit qershor. Siç tha ajo, projekti në fjalë, lehtëson shumë qasjen e vizitorëve deri në kala dhe brenda kalasë gjithashtu. Ajo shtoi se janë në pritje për Kalanë e Novobërdës, ku është punuar me një projekt .

Alban Rafuna  nga “Be in Kosovo”, iniciativë kjo që ka për qëllim ofrimin e shërbimeve profesionale të turizmit dhe punon pikërisht me turistë të huaj që vijnë në Kosovë, tha se ideja për të marrë iniciativën për ofrimin e shërbimeve të turizmit ka rrjedhë duke e parë komunitetin ndërkombëtarë në Kosovë tek i shfrytëzon fundjavat  në  Greqi, Mal të Zi e Maqedoni, përderisa Kosova siç tha ai, ka atraksione mbase edhe më të mira se këto vende ku të huajt kanë pasur tendencën t’i frekuentojnë.

Ai tha se pikat turistike që i vizitojnë i ndajnë sipas regjioneve e me raste, siç tha ai, vizitat përfshijnë edhe bujtje në qytetet që ata përzgjedhin për të vizituar.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës duhet të vizitojnë pikat turistike brenda vendit, pasi që një gjë e tillë iu jep atyre kënaqësi dhe ngrohtësi. Ai madje vlerëson se qytetarët në këtë mënyrë, duke kaluar vikendet brenda vendit, shpenzojnë rreth 70 përqind më pak në krahasim me shëtitjet jashtë Kosovës.

I pyetur për paragjykimet që fillimisht mund të kenë turistët e huaj për Kosovën dhe mbresat e tyre nga vizita në vend, Rafuna tha se për turistët ndërkombëtar pothuajse çdoherë ndodh ndryshimi i përshtypjes së tyre të parë, që ata kanë për Kosovën dhe popullin në përgjithësi.

Madje ai shprehet se të huajt që vijnë në Kosovë krijojnë besimin se shqiptarët janë popull i hapur dhe se Kosova është vend evropian, por i pa integruar në Evropë.

Në fund, ai thekson se Kosova ka infrastrukturë më të mirë se sa që mendojnë qytetarët, por që një investim infrastrukturor,  do të ishte i mirëseardhur në Ujëvarën e Mirushës. Sipas tij, gjatë përmirësimit të infrastrukturës duhet treguar kujdes i shtuar pasi që infrastruktura e tepërt krijon turizëm masiv e që me kalimin e kohës, kjo mund të shkaktojë shkatërrimin e monumenteve.

Ndryshe, media të ndryshme ndërkombëtare, kanë rekomanduar Kosovën si vend që duhet të vizitohet, duke rekomanduar që të vizitohet Brezovica, Bjeshkët e Sharrit, Maja e Lubotenit, Burimi i Drinit, Liqenet e Mirushës, Gjeravica, Novobërda si dhe Gryka e Rugovës.

Ndërsa, në bazë të numrit të vizitorëve ndërkombëtar, sipas statistikave të ASK-së, numri më i madh i turistëve, në tremujorin e parë të këtij viti ishte nga Shqipëria, Turqia, Gjermania, Zvicra, SHBA e vende të tjera./KosovaPress/

06/22/2017 23:52

Anëtarësimi në Interpol: Profesionalisht Kosova i plotëson kushtet, duhet punë në aspektin politik