Astrit Gashi
Lajme

Qeveria e Pestë e Hashim Thaçit!

09/10/2017 12:04
nga:Astrit Gashi

Tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve Republika e Kosovës u bë me qeveri të re, por ajo as në formë dhe as në përmbajtje nuk është e atillë sikur që duket se u votua.

Kuvendi i Kosovës me shumicën e ngushtë por të mjaftueshme të votave nominalisht zgjodhi Ramush Haradinajn si Kryeministër të ri të Kosovës, por de fakto 62 deputetë të Kuvendit votuan për një koalicion të dizajnuar e të varur nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Nga 9 shtatori, se këndejmi, Kosova u bë edhe me Qeverinë e Pestë të Hashim Thaçit– njeriut që sot nuk është vetëm President i vendit, por edhe bartës real, pjesërisht edhe me Haradinajn, i ekzekutivit të vendit.

Të dy partnerët kryesor qeveritar Lista Serbe dhe AKR-ja e biznesmenit Behgjet Pacolli, janë pjesë e qeverisë në saje të negociatave të mundësuara ose të përfunduara nga vet shefi i shtetit apo njerëzit e deleguar nga ai. Ramush Haradinajt, Kadri Veselit dhe Fatmir Limajt javën e shkuar u ishte ndalur fryma kur nga Thaçi u është prezantuar rezultati i negociatave me AKR: 5 ministri secila më e rëndësishme se tjetra. Marrëveshje kjo e cila pastaj u nënshkrua nga tre liderët në zyrat e reja të qeverisë- në shtëpinë e Pacollit në Hajvali.

Ngjashëm, por më lehtë ishte negociuar edhe marrëveshja e koalicionit mes PAN-it dhe Lista Serbe, në të cilën me shumë siguri roli i Thaçit ka qenë më madh se i Haradinajt. Për të marrë postin e Kryeministrit AAK, u pajtua që kur doli problemi me Ministrinë e Bujqësisë e cila fillimisht i ishte premtuar serbëve e pastaj ju dha AKR-së, hoqi dorë nga Ministria e Shëndetësisë të cilën ia dha PDK-së.

PDK si partneri më i madh i PAN-it, edhe ashtu udhëhiqet formalisht nga dy koka, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi. Si rezultat i kësaj, njeriu më i afërt i Presidentit, Abelard Tahiri mban ministrin më të rëndësishme që ka kjo parti atë të Ministrisë së Drejtësisë.

Në tërë këto rrethana Haradinaj, ndonëse kryeministër, do të ketë autoritet të pakontestueshëm vetëm të Kabinetit dhe ata ministra që janë të AAK. Për të gjithë të tjerët, përjashto Nisma, ai duhet të konsultohet jo vetëm më kryetarët e PDK, AKR dhe Lista Serbe, por parasë gjithash me atë që i solli në këtë qeveri, të plotfuqishmin Hashim Thaçi.

Se si është ky proces më së lehti është ta pyesim Isa Mustafën, që ishte Kryeministri i Qeverisë së Katërt të Hashim Thaçi. Në xhiron e tij kryeministrore Mustafa sakrifikoi partinë e tij, por gati edhe familjen, për ta votuar Thaçin president që njëkohësisht ishte edhe gjesti përmbyllës i xhiros së tij.

Dy qeveritë e tjera të pavarësisë, Thaçi i udhëhoqi vet dhe i rrëzoi vet kur më nuk mund ti udhëhiqte njëjtë sikur edhe të katërtën e Isa Mustafës. E para ishte ajo e UNMIK-ut, kur në marrëveshje me Ibrahim Rugovën, emëruan kryeministër Bajram Rexhepin. E Rexhepi, nuk e fshehte se shefi i tij ishte Hashim Thaçi.

Përtej kësaj ose sido që e emërojmë, Kosova u bë me Qeveri të re. Kjo ishte e domosdoshme dhe e vonuar. Qeveria e sotme nuk reflekton besimin e qytetarëve, pasi që shumica e të zgjedhurve me vota kanë mbetur në opozitë, por pati numra të mjaftueshëm kushtetueshmërisht për të marrë timonin e vendit.

Emrat e ministrave, me ndonjë përjashtim, nuk janë premtues dhe Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, do ta përballet që në fillim me mosbesimin më të madh qytetarë që ka pasur një qeveri deri më sot- edhe më të ulët se ajo e Isa Mustafës dhe e Hashim Thaçi 2.

Pritjet janë shumë të ulëta, më të ulëtat ndonjëherë- por sikur qeveria të ishte e harmonizuar, të përfaqësonte një shumicë kredibile qytetare dhe të kishte emra të fuqishëm, kjo jo domosdo do të ishte një minus.

Kështu si është ajo ka shumë probleme. Së pari të formës strukturale dhe organizative e pastaj edhe përmbajtjesore. Ende kjo qeveri nuk e din se cilat janë prioritetet programore në funksion të zhvillimit të vendit dhe duke i ikur edhe debatit qysh në start, ta zëmë.

Çfarë do të jetë kjo Qeveri dhe parasëgjithash sa do të qëndroj do të na tregojnë muajt e parë të saj, por fati i saj do të varet nga rezultati i zgjedhjeve lokale.

11/23/2017 22:02

LDK i bashkohet qeverisë? Kjo është përgjigja e Avdullah Hotit