Lajme

Kjo është kompania që prodhon gazin e dyshuar për vdekjen e pacientëve në QKUK

09/13/2017 21:20
nga:D.I

Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë ditës së sotme kanë ngritur dyshimet mbi gazin oksidol, si shkak i vdekjes së pacientëve në QKUK.

Ministri Uran Ismaili, ka deklaruar sot në media se inspektorët e MSH-së kanë identifikuar kompaninë që ka furnizuar QKUK-në me gazin oksidol dhe së bashku me Policinë e Kosovës e kanë vizituar atë.

Kompania ka pasur licencë për importimin e gazit, por inspektorët kanë gjetur atë duke prodhuar oksidol.

Bëhet fjalë për kompaninë N. P. T. Sh. “Bubeari Komerc” nga Kaçaniku, për të cilën ministri Ismaili tha se nuk ka licencë për prodhimin e këtij gazi.

Por të kundërtën e thotë për Gazeta Shneta, pronari i kësaj kompanie Naser Guri. Ai e ka pohuar se furnizon QKUK-në, spitalin e Gjakovës dhe atë të Gjilanit.

Por Guri thotë se nuk ka ligj që e rregullon këtë çështje, që do t’ia ndalonte prodhimin.

“Ata janë duke hulumtuar se operacionit janë bërë në 6 njësi dhe vetëm njëri ka pas probleme dhe problemi mund të jetë i brendshëm”, ka deklaruar Guri.

Ministri Ismaili ka thënë se gazi oksidol është pista kryesore e hetimeve për momentin, për vdekjen e pacientëve në QKUK.

Përveç inspektorëve të QKUK-së, Ministrisë së Shëndetësisë, rastin është duke e hetuar edhe Prokuroria.

Javën e kaluar në tri klinika të QKUK-së kanë vdekur tre persona pasi i ishin nënshtruar operacionit.

 

 

09/22/2017 10:11

Pacientia bie nga shtrati në QKUK, mjekët nuk e ndihmuan se po pinin kafe