Lajme

A i ka siguruar Ramush Haradinaj numrat për formimin e Qeverisë?

07/07/2017 08:02
nga:Gazeta Blic

Koalicioni PAN i cili doli fitues në zgjedhjet e 11 qershorit është duke bërë përpjekje që të siguroj më shumë se 61 vota për të bërë qeverinë, por si duket kjo po del të jetë e pa mundur. Aktualisht, kur se shpejti pritet edhe certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit nuk shihet se PAN-i  i ka votat e mjaftueshme për ta formuar Qeverinë.

Por, presidenti Thaçi ka deklaruar se Ramush Haradinaj, i nominuar për kryeministër nga koalicioni fitues ka konfirmuar që Qeveria do të formohet pa vonesa.

“Kosova e ka koalicionin fitues që ka dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit. Unë do të respektoj Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, prandaj kam konfirmimin edhe nga mandatari i koalicionit fitues se ka siguruar numrat e mjaftueshëm të deputetëve për themelimin e Qeverisë së re”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

AAK: Ramush Haradinaj do ta formojë qeverinë

Edhe zyrtarë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se Ramush Haradinaj do të formoj qeverinë menjëherë pasi që të behet verifikimi i zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Ramush Haradinaj pritet të nominohet për Kryeministër të Qeverisë menjëherë pasi që të behët certifikimi i zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Prej atij momenti Ramush Haradinaj ka 30 ditë për formimin e qeverisë”, ka thënë për gazetën “Bota sot”, Avni Arifi, zyrtar nga AAK-ja.

Siç dihet, në bazë te Kushtetutës së Republikës së Kosovës, menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve, presidenti i vendit Hashim Thaçi do të mandatojë kandidatin për kryeministër nga subjekti apo koalicioni politik që ka dalë i pari në zgjedhje, në këtë rast koalicion PAN i cili në zgjedhjet e 11 qershorit në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësohet nga 39 deputetë.

Në pritje të certifikimit nga KQZ

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nacionale të 11 qershorit pasi të bëhet rinumërimi i kutive për të cilat ka vendosur PZAP dhe pas njoftimit për vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me ndonjë ankesë të mundshme nga kandidatët për deputet apo subjektet politike garuese në zgjedhjet e fundit.

“Ka përfunduar rinumërimi i të gjitha kutive të votimit sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Pas kësaj, KQZ-ja do të presë edhe vendimmarrjen e Gjykatës Supreme lidhur me ankesat eventuale për të proceduar tutje drejt certifikimit të Rezultateve Përfundimtare”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së

Qeveri me shumicë minimale?

Kurse sipas analistit Nexhat Haziri, pasiguria e koalicionit PAN sa i përket krijimit qeverisë do të bëjë që edhe në rast se arrihet të krijohet qeveria do të jetë qeveri më shumicë minimale prej 61 deputetësh.

“Kjo situatë shpjegohet me pasigurinë e koalicionit PAN-së, sa i përket mundësisë së tyre për të formuar qeverinë, çoftë edhe me një shumicë të thjeshtë parlamentare prej 61 deputetësh. Tani sikur janë bërë më të arsyeshëm dhe nuk po iu besojnë më as vetë spekulimeve të tyre nëpër media se gjoja i kanë të sigurt numrin e deputetëve të nevojshëm për të formuar qeverinë”,  ka thënë ai.

Sipas Hazirit pasiguria e koalicionit PAN natyrisht se reflektohet më së shumti tek i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN,  Ramush Haradinaj, i cili sipas tij ishte ai që kishte premtuar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve në afat kohor do të formojë qeverinë.

“Mungesa e numrave dhe gjasave  shumë të vogla për të formuar qeverinë nga koalicioni PAN, do të shtyej edhe presidentin Thaçi, që ta vonoj sa më shumë mandatimin e Haradinaj  dhe koalicionin PAN, për ta bërë qeverinë, deri sa nuk është I sigurt se ky koalicion ka arritur të siguroj numërim e nevojshëm të deputetëve. Dhe kjo gjë duket të jetë një mision i pamundur për Ramush Haradinajn dhe koalicionin PAN”, është shprehur Haziri.

Kriza politike i konvenon Thaçit?

Sipas tij, kjo situatë mund të prodhoj një krizë institucionale ne vend dhe jostabilitet të brendshëm politik.

“Një situatë e tillë , më së shumti I konvenon presidenti aktual Thaçi, për ta forcuar sa më shumë rolin e tij vendimmarrës në skenën politike të vendit, por edhe në raport me marrëdhëniet me jashtë. Një shembull i tillë, ishte edhe shkuarja e tij në Bruksel, për të vazhduar dialogun me Serbinë, pa një konsultim të brendshëm, dhe akoma pa marrë miratimin edhe të institucioneve të tjera, si Kuvendit të Kosovës, së legjislaturës së re dhe po ashtu edhe të qeverisë, çoftë kësaj në ikje apo edhe qeverisë së re që do të duhej sa më shpejtë të bëhet”,  ka shtuar analisti Nexhat Haziri.

Sipas Hazirit zgjedhja më e mirë dhe më e afërt çdo moment po shihet se është koalicioni LVV dhe LAA që edhe numerikisht kanë mundësi për ta formuar qeverinë e Kosovës, duke shtuar se këtë duhet ta ketë parasysh edhe presidenti Thaçi, në mënyrë që vendin mos ta qojë në një krizë politike e institucionale.

07/24/2017 23:42

Çelaj thotë se PAN do ta formojë Qeverinë bashkë me deputetë të partive tjera