Lajme

Ja si po e cilëson Ramush Tahiri vendimin e Qeverisë për shkarkimin e drejtorëve të ndërmarrjeve publike!

09/29/2017 16:57
nga:D.I

Analisti politik, Ramush Tahiri në një prononcim dhënë “Gazeta Blic”, ka folur për vendimin e Qeverisë për shkarkimin e disa drejtorëve të ndërmarrjeve publike.

Tahiri ka thënë se do të ishte mirë që ky vendim i Qeverisë të merrej pas njëqind ditë-shit të qeverisjes.

Sipas tij një veprim i tillë mund të cilësohet pak i ngutshëm.

“Qeveria e ka përgjegjësinë e emërimeve e shkarkimeve. Do të ishte mirë që kjo të bëhej dikur pas njëqind ditë shit të qeverisjes kur të ketë një konsolidim e stabilizim dhe normalisht një raport për punën e agjencive dhe ndërmarrjeve”, ka thënë ai.

Sipas Tahirit në qoftë se ndonjëri nga të shkarkuarit ka respektuar procedurat dhe nuk ka bërë shkelje ka të drejtë ankese dhe të kthehet në vendin e punës.

“Të gjithë të shkarkuarit duhet të ushtrojnë të drejtën e ankesës dhe nëse nuk janë respektuar procedurat dhe faktet ata kthehen në vendet e punës me gjithë kompensimin për kohën e munguar”, tha Tahiri.

Përndryshe politologu po e sheh të udhës vendimin për shkarkim e atyre që nuk e meritojnë atë vend të punës, dhe se Kosova duhet të mësohet të parandalojë punësimet politike, partiake e klienteliste.

“Ky është një parim i shtetit ligjor me të cilin Kosova duhet të mësohet. Ky është një parandalim për emërimet dhe shkarkimet politike, partiake e klienteliste”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka votuar sot pro shkarkimit të drejtorëve te ndërmarrjeve publike.

Kjo për arsye se, siç është thënë në këtë mbledhje, ata kanë shkelur ligjin e ndërmarrjeve publike, të përshkruar në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në anën tjetër, kujtojmë se secila parti që ka ardhur në pushtet, pothuajse në të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike ka dërguar njerëzit e tyre. Por se a do të veprojë njëjtë edhe Qeveria Haradinaj mbetet të shihet./GazetaBlic.com/

10/19/2017 10:23

Flasin nga Qeveria: Kjo është e vërteta e “aktivitetit paralel” të Murat Mehës për Demarkacionin!