Fit&Sexy

Ja çfarë mund të nënkuptojnë llojet e gungave të gjirit

03/20/2017 07:04
nga:H

Gjinjtë ndryshojnë me moshë, kështuqë edhe gungat mund të rriten por edhe të humbin me kalimin e kohës.. gjëja më e mirë që mund të bëni është të kontrolloni gjinjtë tuaj rregullisht, kështuqë jeni të vetëdijshëm se si ndjeheni në gjendje normale apo nëse keni ndonjë ndryshim të pazakontë.

Ekzistojnë shumë lloje të gungave që mund të paraqiten në gjinjtë, andaj edhe mos u frikësoni dhe mos u bëni keq. Megjithatë, është mirë të konsultoheni gjithmonë tek mjeku nëse vëreni ndonjë parregullësi, me qëllim të ndjeheni të sigurtë.

Këtu po ju paraqesim 5 lloje të ndryshme të gungave të gjirit e që nuk janë shenjë e kancerit:

Fibroadenoma

Një gungë ovale që lëviz gjatë kontaktit të prekjes e që është zakonisht rreth 1-2 cm e gjërë. Fibroadenoma formohet kur gjëndrat e shëndetshme dhe indi lidhor i gjirit grumbullohen së bashku. Kjo gungë ndjehet nga brenda lëkurës dhe zakonisht nuk shkakton dhimbje. Shumica prej tyre nuk kërkojnë ndërhyrje mjekësore. Megjithatë, në rastet kur ata rriten mjaft të mëdha, mund të largohen përmes ndërhyrjes kirurgjike.

Nekroza dhjamore

Një gungë e fortë që paraqitet pas ndonjë mavijosje të rëndë, të tilla si ndonjë aksident i keq, ndonjë rënie apo si pasojë e lidhjes së keqe nga rripi i sigurimit të makinës. Kjo gungë vërehet dhe ndjehet si e fortë, e rrumbullakët e që mund të shfaq skuqje të lëkurës. Kjo lloj gunge nuk ka nevojë për trajtim dhe zakonisht zhduket vetvetiu me kalimin e kohës.

Cistë

Hormonet si estrogjeni janë fajtorë për formimin e cistave, këto gunga janë të buta dhe mund të lëvizin lehtësisht. Cistat janë të mbushur me lëng dhe mund të vërehen përmes ultratingullit. Disa lloje cistash mund të zhduken plotësisht ndërsa disa të tjerë mund të rikthehen pas një kohe. Nëse këto lloj cistash janë të dhimbshme, ato mund të shfryhen duke ia hequr sasinë e lëngut me anë të një gjilpëre.

Ndryshimet fibrocistike

Këto gunga mund të paraqiten gjatë ciklit tuaj menstrual, janë një kombinim i cistave të vogla dhe zonave të fryera të indeve të gjirit. Rreth 80% e grave përjetojnë ndryshime fibrocistike dhe këto zakonisht ndodhin në mes të ciklit – kur nivelet e estrogjenit dhe progesteronit janë më të larta. Gungat mund të vërehen si të forta gjatë prekjes, por zakonisht këto zhduken pas ciklit tuaj.

Abces

Abcesi është akumulim i qelbit që formohet në gji dhe zakonisht shkakton mjaft dhimbje. Abcesi mund të shkaktohet nga infeksionet bakteriale, formohet nën lëkurë dhe mund të ketë formë të fryrë, e skuqur dhe e nxehtë gjatë të prekurit. Këto janë shumë të zakonshme pas ushqyerjes me gji pasi bakteriet më lehtë mund të paraqiten rreth gjirit, por gjithashtu mund të infektohen edhe përmes thithave të plasaritura apo ndonjë piercing në zonën e thithave. Abcesi mund të trajtohet me anë të antibiotikëve, ose nëse është e nevojshme të nxjerret qelbi me anë të gjilpërës.