Lajme

Isa Mustafa dështon t’i bind deputetët për Demarkacionin. Java tjetër vendimtare për zgjedhjet

04/21/2017 11:26
nga:D.I

Kryeministri i vendit dhe njëherësh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka dështuar përfundimisht që t’i bind deputetët e tij për ta votuar demarkacionin.

Burime të Gazeta Blic kanë bërë të ditur se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, shefi i qeverisë deri më tani nuk ka arritur që ta bind asnjë nga deputetët kundërshtues të versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi.

Përpos Anton Qunit e Hatim Baxhakut që dje në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së në Prizren i thanë JO-në përfundimtare, sipas burimeve të Gazeta Blic edhe deputetët tjerë kundërshtues të këtij demarkacioni nuk kanë ndryshuar mendje. “Isa Mustafa nuk ka arritur thuajse asnjë deputeti t’ia ndërroj mendjen. Janë më shumë se 10 deputetë të kësaj partie që do të votojnë kundër. Dhe si rezultat, demarkacioni tashmë shihet si një marrëveshje që nuk ka gjasa të ratifikohet në Kuvend”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Në anën tjetër, PDK e Kadri Veselit në vazhdimësi e ka akuzuar LDK-në, që nuk po arrin t’i bind deputetët e saj të votojnë pro demarkacionit. Madje, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se nëse nuk miratohet demarkacioni, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

Burime të Gazetës Blic thonë se java tjetër do të jetë vendimtare për zgjedhje të reja. PDK do të insistoj që në fillim të javës tjetër ta riprocedoj në Kuvend demarkacionin, dhe kësisoj të dështoj miratimi i marrëveshjes dhe vendi të shkoj në zgjedhje të reja. “Mirëpo, Isa Mustafa është duke u munduar që ta zvarritë edhe më tutje këtë çështje, vetëm e vetëm që zgjedhjet të mos mbahen në pjesën e parë të këtij viti”, thotë ky burim.

Në anën tjetër, Mustafa në një intervistë të dhënë për medie duke mos dhënë datë të saktë se kur do të ri procedohet në Kuvend marrëveshja për demarkacionin, ka theksuar se më së largu kjo gjë do të ndodhë deri në fund të qershorit.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, PDK këtë deklaratë të Mustafës e sheh si përpjekje e tij, për të shpëtuar nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në pjesën e parë të këtij viti. “PDK do të bëjë përpjekje me çdo kush që qeverinë ta rrëzoj gjatë javës tjetër”, tha ky burim.

Mirëpo, edhe në PDK ende nuk ka vendosmëri nga të gjithë për të shkuar në zgjedhje të reja. Njëri nga njerëzit më me ndikim në PDK, Xhavit Haliti ka thënë për Gazetën Blic se nuk e ka idenë se për çfarë arsye duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

Ndërkaq, opozita kanë paralajëmruar ngritjen e një mocioni të votëbesimit, mirëpo që deri më tani nuk kanë arritur që t’i mbledhin nënshkrimet e 40 deputetëve, si kusht për inicimin e mocionit ndaj qeverisë Mustafa.

07/25/2017 17:47

PDK e vendosur: Kadri Veseli kandidat për kryetar Kuvendit