Opinion

Injorimi i Kushtetutës rrënon tana përpjekjet e deritashme!

03/17/2017 19:20
nga:Petrit Musolli

Kur asht pajtue për themelimin e Listës serbe, bashkimit të subjekteve e përfaqësuesëve serb mbrenda nji liste të përbashkët, besoj ka qenë e kuptueshme se për qëllim kryesor ka pasur që marrëveshjet e arrituna mes përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë të munden me u impelmentue e gjetë mbështetjen e komunitetit serb në Kosovë, sidomos të serbëve të veriut.

Siç jem dëshmitarë, para themelimit të kësaj Liste, Qeveria e Serbisë, shpeshherë, ka pasur probleme me përfaqësuesit serb të veriut, të cilët, për interesat e tyne biznisore, kundërshtonin e sfidonin vendimet e Qeverisë së Serbisë në çdo marrëveshje apo dakordim me palën kosovare apo edhe atë ndërkombëtare, lidhun me statusin dhe pozitën e serbëve në insitucionet dhe shoqninë kosovare.

Prandaj, me i evitue këto pengesa që vinin, atëherë, nga përfaqësuesit e serbëve, të veriut në veçanti, asht mendue, ndoshta, si zgjidhja ma e mirë – unifikimi i qëndrimit të tyne mbrenda nji organizimi të ri politik, të kontrolluem nga Beogradi, që ka me i respektue marrëveshjet e arrituna në bisedimet e Brukselit. Kjo asht e vetmja gja që mundet me u pritë nga kjo Listë. Bindje e plotë ndaj Qeverisë së Serbisë dhe vendimeve të saj. Sigurisht, nji realitet që asht tue na kushtue!

Por, ideja me ju kundërvue kësaj Liste, tue sulmue të drejtën kushtetuese të serbëve vendor, në të njajtën kohë kur janë tue ba përpjekje të mëdha, sidomos nga partnerët perëndimor, me i integrue serbët mbrenda rendit kushtetues të shtetit të Kosovës, besoj, asht huqje e madhe politike, e me rrezik të lëkundjes së vetë themelit të shtetit!

Kushtetuta asht garancia jonë për serbët dhe, nëse ajo shpërfillet njianshëm, si kem me e demantue, nesër, argumentimin serb se nuk posedojnë kurrfarë garancish kushtetuese në Kosovë?! Sidomos, kur iniciativa të tilla (injoruese ndaj Kushtetutës) vijnë nga vetë Presidenti, përgjegjës për me e mbrojtë kushtetushmëninë e të drejtat kushtetuese!

Mosbindja e Listës serbe, s’mundet me shërbye si arsyetim. Tekefundit, asht Presidenti autoriteti ma i naltë përfaqësues i qytetarëve të Kosovës, edhe serbëve! Ai duhet gjetë formën e mënyrën si me e krijue besimin ndër ta, e kjo s’bahet tue cenue të drejtat e tyne, por tue promovue ato!

Praktika e takimeve, sikur ajo me pjesëtarë të mediave e shoqnisë civile, në Graçanicë, duhet vazhdue, zgjanue e shpeshtue edhe me qytetarë të rëndomtë serb. Duhet argumentue drejtpërdrejt me ta, për tana shqetësimet e keqkuptimet që munden me i pasë. Pamvarësisht pse këto takime, në fillim, munden me qenë të ngarkueme me të kaluemën tonë, në njifarë mënyre edhe duhet kuptue, sepse, pikërisht kjo e kalueme përban frikën ma të madhe të serbëve kosovar, drojen e vazhdueshme nga hakmarrja e shqiptarëve. Nji frikë e drojë që ushqehet vazhdimisht nga Serbia e ‘delegatët’ e saj në Kosovë, por që duhet shue nga ne, si shumicë shqiptare. Mënyra ma e duhun, me i sigurue e inkurajue serbët vendor me besue në ndërtimin e nji shoqnie e shteti të përbashkët, me vlera tjera nga ato të kaluemës, asht me ju fol me gjuhën e Kushtetutës! Kjo gjuhë duhet udhëheqë Presidentin në tana takimet e diskutimet e ardhshme me ta! Jo ankesat ndaj nji organizimi politik, që kushtetushmënisht, asht nën nivelin e tij përfaqësues e të përgjegjësive ndaj qytetarëve të vendit!

06/08/2017 16:09

Zgjedhje pa zgjidhje!