Dardan Gashi
Lajme

Ikni prej Sulltanit!

03/14/2017 12:33
nga:Dardan Gashi

Rreshtimi përkrah Erdoganit nuk është më vetëm çështje e shijes. Perqafimi i Sulltanit mund të shëndrrohet në përqafim vdekjeprurës për aspiratat euroatlantike të shqiparëve. Aventurat e reja që kërkojnë konfrontimin me perëndimin për poena ditor politik janë veçse një kopje e lodhur e Erdoganit. Ne nuk e kemi as forcën e as dëshirën për imitime të tilla.


Hera e fundit që një Sulltan i është vërsulur Evropës perëndimore është në vitin 1683 kur Sulltan Mehmeti IV, ju turr mureve të qytetit të Vjenës. Si afër një shekulli më herët edhe këtë herë ushtria Otomane u zbraps nga aleanca evropiane për të mos u kthyer me kurrë në këto treva… deri në vitet e 60ta të shekullit të XX, kur miliona turq të varfëruar i´u vërsulën prap Evropës. Këtë herë veçse jo si jeniqer e pashallar, por si njerëz që në shtetin e tyre nuk shihnin më as shpresën më të vogël të ushqenin familjet e tyre.

Sot në shtetet e Bashkimit Evropian jetojnë hiç më pak se 6.5 milion shtetas turk. Janë pikerisht këta që në masë të madhe ndihmuan ngritjen ekonomike të Turqisë, që lidhën sado-pak Turqinë me Evropën. Disa nga këta u integruan në shoqëritë e Evropës, u avancuan në ministra e deputet. Turqia u bë anëtare e NATO-s. Si vendi i parë jo-evropian Turqia filloi negociatat për antarësim në BE. Kësisoj dukej se Evropa dhe Turqia pas shekujsh konfrontimesh, e gjetën njëra-tjetrën duke u afruar në paqe.

Por kjo llogari ishte bërë pa një hanxhi të rëndësishëm. Pa një njeri i cili, siç shkruajnë biografët e tij, qysh në rini ishte i bindur se Turqia nuk përparon pa e shkulur sistemin e Ataturkut dhe rivendosur vlerat e Kuranit dhe rikthimin në ëndrrat pernadorake. Jo-afrimi me Evropën, jo forcimi i një Turqie liberal-demokratike, por konfrontimi me Evropën dhe vlerat e saj është parulla kyqe e Sulltan Rexhepit.

Pas 15 vitesh shtegtimesh politike duke testuar metodat e ndryshme se si me së miri të vazhdoj regjimin e tij autokratik në Turqi, Rexhep T. Erdogan, gjeti formulën: ndryshimin e kushtetutës per t´i siguruar vetës pushtet të papenguar nga “dokrrat” e demokracive liberale të Evropës. Megjithatë, për t´i legjitimuar këto ndryshime, RTE huazoi një dokër liberale evropiane – Referendumin. Por referendumi është caktuar të mbahet vetëm muaj pas puçit të dështuar dhe futjes së gjendjës së jashtëzakonshme, pas arrestimit të dhjetëra-mijëra ushtarkëve, gjykatësve, profesorëve, deputetëve, gazetarëve… Në këto kushte referendumi si i tillë shëndrrohet në dokërr. Pak-kush dyshon se referendumi mund të dështoj. Asnjë medium i lirë nuk ekziston më në universin e RTE, as gjykatës e prokuror që do të mund të sfidonin korrektësinë e këtij votimi.

Të vetmit turq që mund t´i ikin kontrollit total të Erdoganit janë 6.5 milionët që jetojnë jashtë sulltanatit. Afër 4 milion nga këta kanë të drejtë vote dhe sado-pak do të mund ta zbehnin e ndoshta rrezikonin fitoren bindëse të paraprogramuar. Për t´u siguruar se edhe këta do t´i binden kërkesës së Sulltanit dhe të votojnë për zhbërjen e Turqisë demokratike, ministra, deputetë e hoxhallarë të kontrolluar nga Dijaneti në Ankara, u urdhëruan të organizojnë tubime nëpër Evropë .

Në të kaluarën këto shtete kishin lejuar mbajtjen e tubimeve elektorale të Erdoganit. Këtë here porse gjërat qëndrojnë ndryshe. Sidomos pas puçit të verës se kaluar, marëdhëniet mes Ankaras dhe Perëndimit u futën në një spirale eskalimi. Erdogani e luante të lënduarin, pasi shtetet e perëndimit nuk u rreshtuan pakompromis pas tij dhe hakmarrjes lucide ndaj oponentëve të vërtetë dhe të imagjinuar. Perëndimi bile hapur dyshonte se puçi në të vërtetë ishte inskenuar nga vet Erdogani për t´u përdorur si mbulesë për sakatosjen e asaj pak demokracie që kishte mbetur në vend.

Rrjedhimisht shumë shtete evropiane filluan të pengojnë mbajtjen e këtyre tubimeve. Së fundi ku është logjika që dikush të përdor lirinë e fjalës e të tubimit në shtetet evropiane për të propaguar pikërisht zhbërjen e këtyre lirive dhë për të hedhur gurë e dru mbi vlerat e po këtyre shteteve.

Kësisoj, Sulltan Rexhepi u provokua për të lansuar vërsuljen e re të Anadollit ndaj Evropës. Gjermania, Austria, Holanda… janë fashistë e nazistë që nuk e dinë se çka është demokracia porositi TRE nga tribunat e Turqisë dhe shtoi se as që e ka ndërmend t´i nënshtrohet këtyre ndalesave. Ne stilin e provokatorëve të Serbisë, si Gjuriq e të ngashëm që sorrollaten shtigjeve për tu futur në Kosovë për të dëshmuar se nuk e pyesin Prishtinën për leje, Erdogani urdhëroi ministrat e tij të sfidojnë autoritetet evropiane.

Përgjegjjja e kryeqyteteve evopiane ishte poshtrimi i rradhës per të lazdruarin e Stambollit – deportimi i ministrave të tij. Hap i paparë në historinë e re të Evropës e Turqisë. Mbetet të shihet se a do të tentoj Erdogani personalisht t´i sfidojë policitë kufitare evropiane siç ka paralajmruar.

Se ku do të ndalet kjo spirale irracionale është vështirë të parashikohet. Një gjë veçse është e sigurt. Me hapa gjigant, Turqia po vrapon larg perspektivës evropiane. Pothuajse i gjithë porcelani i simbolikave diplomatike është thyer. Eskalimet e rradhës domosdo do të sjellin konfrontime me pasoja më serioze. Dëmi per 6.5 milion turqë që me dekada jetojne në Evropë do të jetë i madh, bashkëjetesa me popujt nikoqir do të vështirsohet edhe më shumë. Dëmi ekonomik për Turqinë mund të jetë shkatërrues dhe ta kthej këtë vend në gjendjen që ishte në fund të shekullit të XX. Miqësia me autokratin tjetër të lindjes Putin, vështirë se do ta shpëtoj Turqinë nga rrëshqitja në një ekonomi jostabile dhe trazira të brendshme në të ardhmen. Duke tentuar të forcoj karrigen e vet, Erdogani është duke i prerë kembët shtetit dhe popullit të tij.

Se kah do ta çoj Erdogani shtetin e tij, është fundja çështje e tij dhe popullit turk. Është vendim sovran i Turqisë edhe nëse miqt e popullit turk mund të brengosen se rruga që ka marrë ky vend nuk premton ditë të mira. Si i tillë ky proces nga ne shqiptarët mund të shihej vetëm si një brengë për një popull e një shtet me të cilin na lidhin shekuj. Kaq!

Kështu mund të shihej po mos të ishtë edhe një realitet tjetër. Po të mos ishte fascinimi i liderëve politik shqiptar me Erdoganin, po të mos ekzistonin së paku 3-4 parti politike në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të sponzorizuara drejtpërdrejt nga Ankara; po të mos ishte fakti qe Dijaneti (një lloj ministrie e fesë) i Ankarasë ka futur nën kontroll Bashkësitë Islame të shqiptarëve në Ballkan; po të mos ishte ambicja e hapur e Erdoganit per të zgjeruar ndikimin në trevat shqiptare.

As kjo në vetvete nuk do të ishte brengosëse po të mos ishte fakti që Erdogani hapur është armiqësuar me SHBA, EU e NATO, që refuzon rendin demokratik, që institucioni i Dijanetit e ka vendosur religjionin në shërbim të qëllimeve politike të Rexhep Taip Erdoganit, që i është vërsulur botës demokratike për të rrënuar edhe urat e fundit që lidhin shoqërinë turke me Evropën.

Rreshtimi përkrah Erdoganit nuk është më vetëm çështje e shijes. Perqafimi i Sulltanit mund të shëndrrohet në përqafim vdekjeprurës për aspiratat euroatlantike të shqiparëve. Aventurat e reja që kërkojnë konfrontimin me perëndimin për poena ditor politik janë veçse një kopje e lodhur e Erdoganit. Ne nuk e kemi as forcën e as dëshirën për imitime të tilla. Nese dikur, si pjesë e pushtuar e perandorisë nuk jemi pyetur nga Stambolli se kah duam t´ia mbajmë, sot jemi të lirë të vendosim vet. Erdoganit rrugë të mbarë kado që është nisur, kurse ju liderët tanë në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni jeni të votuar për të vazhduar rrugën për të cilën dhanë jetën dhjetëra mijëra atdhe-dashës: atë të lirisë, demokracisë dhe për tu bërë pjesë e botës së civilizuar!

12/12/2017 16:28

Apostolova: Kosova të zbatojë rekomandimet e mbetura nga raporti 2016