Cult

Historia tragjike e priftit shqiptar që myslimanët e quanin engjëll

07/31/2017 10:41
nga:Gazeta Blic

Fanatizmi i të besuarit, ndoshta është krijuar nga mohimi që na i është bërë besimit për dekada, ndonëse ka fakte historike të cilët dëshmojnë një fanatizëm më të madh kohë më parë.

Por kjo nuk është e gjitha. Si çdo medalje, edhe ajo me të cilën historia ka nderuar figurat e saj të mëdha ka dy anë.

Njëra është ana e parathënë, ndërsa tjetra është ajo në të cilën, mes të tjerësh janë skalitur ato, të cilët ishin shqiptarë dhe besimin e tyre e vunë në funksion të atdheut.

Këto personazhe ngadalë- ngadalë po marrin vendin e merituar në zemrën e atyre që akoma edhe sot e duan atdheun.

Historia e dom Lekë Sirdanit tregoi se si një hoxhë mysliman e rriti deri kur u bë prift, ndërsa historia e personazhit të sotshëm është historia e një prifti që i gjithë populli mysliman e deshi.

Ai asnjëherë nuk shkaktoi as përçarjen më të vogël mes njerëzve, por jeta e tij u pre në mes nga ato që nuk deshën asgjë përveç pushtetit.

Imzot Vinçenc Prennushi lindi në Shkodër në vitin 1885 bashkë me një motër binjake. Pasi përfundoi studimet fillestare në qytetin e lindjes, eprorët e dërguan jashtë, ku studioi për Filozofi e Teologji duke u shugurar meshtar në vitin 1908. Nga ai moment filloi aktiviteti i tij i pareshtur në të mirë të atdheut në dy lëme: atdhetari dhe kulturë.

Në lëmin e kulturës u dallua si shkrimtar, poet, përkthyes, publicist dhe studiues i rëndësishëm.

Të gjitha punët e tij artistike e studimore i botoi në revistën më të rëndësishme të kohës, “Hylli i Dritës”.

Në hirerarkinë kishtare gëzoi të gjitha postet: nga gjakue, diakon, meshtar, provincial (i françeskanëve shqiptarë) e deri Ipeshkëv i Durrësit ku dhe ndërroi jetë në krye të detyrës së tij.

Në Durrës Imzot Vinçenci u bë shumë popullor.

Të gjithë e donin atë, pa dallime fetare. Ndoshta më shumë se të krishterët durrsakë të cilët donin një Ipeshkëv nga ai qytet, e donin myslimanët të cilët, sipas deklaratës së atë Mati Prendushit që është botuar në “L’oservatore Romano” në vitin 1994, “Kishte shpirt ekumenik dhe respekt të madh për fetë e tjera.

Myslimanët e quanin “melek” që do të thotë “engjëll”.
Pasi i shërbeu Atdheut, shërbim i cili kulmoi në vitin 1914 kur mbajti fjalimin prekës para gjithë popullit të Shkodrës në ditën kur u ngrit flamuri shqiptar në kalanë e Rozafës, kuptoi se Zoti priste më shumë nga ai.

Gjithçka filloi në pranverën e vitit 1945, kur Imzot Prennushi u thirr në Selinë Qendrore të Qeverisë bashkë me Ipeshkvin e Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin. Partia kërkonte që Kisha të ndahej nga Vatikani, por Ipeshkvinjtë nuk pranuan. Nga këtu filloi gjithçka…

Në gjyqin e zhvilluar kundër tij dhe kundër klerikëve të tjerë, ai u dënua me 20 vjet burg me akuzat “Agjitacion dhe Propagandë” dhe “Krijimi i Partisë Demokristiane”.

Mënyrën se si ai qëndroi në burg e më pas vdiq, e tregon më së miri profesor Arshi Pipa, në librin kushtuar Imzot Vinçencit, botuar në Tiranë në 1995, i cili ishte aty, në qelinë e vogël prej 30 metrash katarorë bashkë me sa e sa të tjerë:

…Terrori ishte natën. Deri në mesnatë kishte dritë elektrike, e deri atëherë vuajtja ishte më e durueshme. Por sapo fikej drita, në errësirën që i merrte frymën qelisë, vuajtja e tij shtohej e bëhej e mprehtë. Sikur mungesa e dritës i hiqte frymëmarrjen…

Një prej atyne netëve më tha ngadalë: “Tani i kuptoj fjalët e Gëtes: ’Mehr Licht’ [Më shumë dritë]”. Ajo dritë së cilës poeti i ishte drejtuar në fill të vdekjes, nuk ishte me siguri drita që shohin sytë tanë.

Imzot Prennushi u nda nga kjo jetë në një natë marsi të vitit 1949. Atë natë kishte zjarr në kamin. Kur i mbylla sytë, sytë e lodhur e të sfilitur që aq shumë kishin kërkuar dritë. M’u duk se pashë në fytyrën e tij të gërryer, të konsumuar, të paqësuar tashmë, pas aq shumë vuajtjesh, një dritë të pazakontë.

Shumë kohë para se të jetonte vetë mundimin e errësirës, ai shkroi vargjet e mëposhtme duke parandjerë atë çfarë do t’i ndodhte Shqipërisë:

Der foshnjeve t’shkreta

S’druen lakun m’u a ngrehun;

N’sa shtigje ka jeta,

Shum’ gjarpni rrin mshehun!

Ka marrë qiella pezem,

Na matet me rrfe:

O Krisht, na mloi terri:

Rri pra, rri me ne.

Kështu bariu i të krishterëve e engjëlli i myslimanëve u vra nga barbarët që asnjëherë nuk ditën të besonin Zotin e të donin njeriun./konica.al