Opinion

Hip hopi dhe Zoti dhe Zonja Alma Lama

03/20/2017 18:41
nga: Dafina Demaku

Nëse reperët në botë do të akuzoheshin nga politikanët pse janë përfolur në këngët e tyre, muzika rep, hip-hop, do të shuhej që moti.

Lidhjen e artistëve të hip-hopit me Zotin nuk ka provuar ta prish askush deri sot. Nëse në këngët e tyre shfaqet një lidhje e tillë, ndonjëherë edhe duke fyer figura publike, politikanë, aktorë, muzikantë, shkrimtarë… askush nuk është akuzuar deri sot. Deri sot, e kam fjalën për artistët ndërkombëtarë të hip hopit. Mund të jetë rasti i parë në botë që ish-deputetja, tani ambasadorja Alma Lama, tenton ta prish këtë lidhje. Duke bërë padi ndaj reperit të ashtuquajtur Gold AG, nuk i kontribuohet mbrojtjes së lirisë së shprehjes, por, përkundrazi, i shërben shkeljes së saj…

Nëse reperët në botë do të akuzoheshin nga politikanë pse janë përfolur në këngët e tyre, muzika rep, hip-hop, do të shuhej që moti. Një nga reperët më të suksesshëm të të gjitha kohërave, Eminem, nuk do të ekzistonte. DMX nuk do ta arrinte suksesin që e ka sot. Në vargjet e tij të repit, është aq i lidhur me Jezu Krishtin, saqë është në gjendje në të njëjtin rresht t’i falet Jezusit e në të njëjtin ta fyej, ta zëmë George Bushin.

Këngët “Shqipar I” dhe ‘Shqiptar II”, mund të mos e kenë asnjë vlerë muzikore, njashtu siç mund të mos e ketë asnjë vlerë muzikore vetë artisti që i interpreton ato (Gold AG). Megjithatë, ato hyjnë në domenin e muzikës më të dëgjuar pothuajse në botë: hip hopit. Për historinë e kësaj muzike, s’ia vlen të shkruash gjerë e gjatë, pasi që mjafton një klikim i thjesht në internet dhe do të gjesh materiale pafundësisht jo vetëm për historinë por edhe ndikimin e saj.

Por kur jemi te Gold AG dhe Zonja Alma Lama, situata bëhet më e ndjeshme, kur e dimë se i pari është pothuajse një ekstremist fetar ndërkaq e dyta, një ekstremiste anti-myslimane. Masandej, situata bëhet edhe më e komplikuar, kur kemi të bëjmë me një femër. Asnjë nga meshkujt e përfolur në këngën e Gold AG, përveç ndonjë deklarate të aty-këtushme, nuk ka reaguar për ato që i thotë ai në këngë, përveç Zonjës Lama. Të jem e sinqertë, nuk është se ndjej ndonjë kënaqësi kur dëgjoj të fyhet dikush. Por, a e ka shfrytëzuar Lama këtë pozitë të keqe të femrës që t’i bëjë jehonë padisë së saj të ngritur prej disa vitesh kundër Gold AG, duke u mbështetur në këtë kauzë? Apo, duke u mbështetur në qëndrimet e saj të njohura anti-fetare, apo më mirë të thuhet anti-islame? Nuk e di.

Di që ligji po i jepka të drejtë në këtë rast Zonjës Lama. Mirëpo, ligji do të duhej të vepronte ngjashëm edhe në shumë e shumë publikime të tilla që ekzistojnë në YouTube.

Ndoshta, do të duhej të ‘goditej’ me ligj edhe një nga reperët më të njohur shqiptar, Unikkatil. Sepse edhe ai në shumë këngë fyen figura të ndryshme, duke proklamuar fenë e krishterë ndërkohë…

Do të mbeteni pa mend nëse kërkoni në YouTube ‘Prince Double H’ dhe këngët e tij të gjata rep për ‘xhihadin’. Nuk lë femër me pozitë në Kosovë as mashkull pa e përqeshur dhe pa u thënë se ‘xhihadi i tij është ky’ (pra t’ua merr fytyrën përmes muzikës).

Pra, ka shembuj të pafundmë që tregojnë se ndoshta Gold AG nuk do të duhej të ishte i vetmi i akuzuar pse ka bërë një këngë rep (me ose pa ndonjë vlerë), ku ai fyen dikë. Të jemi edhe pak të qartë: unë nuk jam për fyerje. Por muzika hip-hop, nuk do të ekzistonte po qe se 2 Pac nuk do të shprehte mllef që në kuptimin e fjalëve apo vargjeve të tij, janë edhe fyerje.

Pra, akuza ndaj Gold AG, duhet të shërbejë si një rast për ta rregulluar si shoqëri që a mund ta durojmë hip-hopin si muzikë, apo jo?

Jo pse ia ka shkelur ndonjë besim, por veç pse Hillary Clinton nuk e pëlqente Eminemin, ai në këngën ‘Role Model’ e quan ‘kurvë’.

Në këngën ‘Criminal’, Eminem i referohet vetes si një lloj krimineli, pasi që kjo sipas tij lejohet, ‘kur lejohet edhe seksi në Zyrën Ovale, pse jo?’

Në këngën e tij më të famshme, reperi DMX, e qorton Jezu Krishtin, se duhet t’i tregojë çka të bëjë me botën që po shkatërrohet nga politika e keqe, nga sëmundjet…përndryshe, thotë se është hidhëruar paksa me Jezusin.

Prapë, Eminem në dhjetëra këngë qorton politikën amerikane duke fyer. Sepse nuk është një artist popi, por hip – hopi. Në këngën e tij “Mosh” shanë si mos më keq ish-presidentin Bush.

Pra, ndalimi i një kënge (sado e mirë apo e keqe, na pëlqen apo s’na pëlqen) rep për shkak të përmbajtjes së saj, për mua është një risi dhe befasi si vend demokratik që jemi. Ashtu si edhe akuza ndaj artistit që interpreton atë.

Për këngët hip hop dhe vargjet ku artistët e kësaj rryme muzikore i këndojnë Zotit si besimtarë (të krishterë, myslimanë, etj…) ka edhe libra e dokumentarë të ndryshëm. Pra, është aq i fuqishëm dhe i pranishëm Zoti në këtë rrymë muzikore, saqë habia ime bëhet edhe më e madhe se si ne, në Kosovë, kemi zgjedhur ta akuzojmë një reper, pikërisht për këtë lidhje…/Periskopi

04/18/2017 18:27

Ku është zhdukur Linda Morina?