Lajme

Haziri: LDK-ja nuk bashkëqeverisë me manipuluesit e opinonit!

07/11/2017 20:19
nga:Gazeta Blic

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), vazhdon të jetë konsistente në vendimin e saj për mos bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në mandatin e ardhshëm.

Kështu i tha portalit “Gazeta Blic” nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i cili njëherit është edhe kryetar i Komunës së Gjilanit.

Haziri, duke i konsideruar si manipulim të publikut deklaratat e zyrtarëve të koalicionit PDK-AAK-NISMA lidhur me numrat për krijimin e qeverisë së re, thotë se këta të fundit nuk duhet të llogarisin në përkrahje të LDK-së.

LDK-ja ka marrë vendimin e saj sa i përket kësaj çështje dhe ai nuk ndryshon për asnjë kusht, këta që po e manipulojnë opinionin se i kanë siguruar numrat për krijimin e qeverisë nuk do ta kenë mbështetjen e LDK-së”, tha Haziri.

Ndërsa i pyetur për takimin me Vetëvendosjen dhe mundësitë për bashkëpunim për formimin e qeverisë, nëse këtë gjë nuk arrin ta bëjë koalicioni PAN, Haziri theksoi nuk mund të arrijnë ndonjë marrëveshje pa ndërtuar një platforme të re shkaku i raporteve të tyre të më hershme politike.

Me Vetëvendosjen kemi pas një takim, temat që i kemi diskutuar i kemi bërë publike, besoj do të kemi edhe takime të tjera, por pa krijimin e një platforme të re nuk mund të kemi bashkëpunim pasi që siç dihet Vetëvendosje ka kundërshtuar LDK-në edhe me protesta”, u shpreh nënkryetari LDK-së.

Por pavarësisht kësaj situate nga PDK-ja, ende presin partneritet me LDK-në. Është nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti i cili në emisionin “Imazh” të RTK-së deklaroi se beson edhe në një bashkëpunim me LDK-në, pasi që sipas tij, veprimi ndryshe i kësaj të fundit nuk do të ishte në interes të vendit por as të saj.

Xhavit Haliti beson se LDK-ja do t’i bashkohet koalicionit PAN!

Formimi i institucioneve

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë. Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre./Gazeta Blic/

11/23/2017 22:38

Gruan e Lutfi Hazirit si këtë herë se keni parë kurrë !