Lajme

Haxhiu: Ftesa jonë për LDK-në është e hapur

06/29/2017 13:31
nga:D.I

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon ta ketë derën e hapur tek Lëvizja Vetëvendosje për të bashkëqeverisur vendin.

Edhe pse LDK-ja ende nuk i është përgjigjur LVV-së për ftesën që ia ka bërë kjo e fundit, kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë se ftesa për LDK-në ende vlen. Madje sipas Haxhiut, takimi LVV-LDK është dashur të ndodhë menjëherë pas daljes së rezultateve preliminare.

“Ftesa jonë për LDK-në është e hapur. Konsiderojmë që takimi ndërmjet nesh është dashur të mbahet menjëherë pas certifikimit të rezultateve, por meqë LDK-ja ka zgjedhur të presë certifikimin, presim që ky takim të ndodhë pas certifikimit të rezultateve. LDK-ja duhet të japë kontributin e saj për ta çuar PDK-në në opozitë dhe presim konstruktivitetin e saj në përputhje me rrethanat e krijuara”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se subjekti që ajo përfaqëson në këto zgjedhje ka dyfishuar numrin e deputetëve.

“Pas numërimit të votave me kusht dhe të atyre nga mërgata, ne kemi arritur 32 deputetë. Pra, kemi dyfishuar numrin e deputetëve për këtë legjislaturë. Konsideroj që është vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e 11 qershorit dhe nuk duhet askush të guxojë ta deformojë këtë vullnet”, ka përfunduar Haxhiu.

11/24/2017 10:42

LDK me një vendim të papritur në Kuvendin e Kosovës