Lajme

Haxhiu: Albin Kurti siç duket e ka ndryshuar kauzën politike!

10/10/2017 10:59
nga:Diamant Bajra

Seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj- Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët akuzohen për gazin lotsjellës në Kuvend të hedhur më 16 dhjetor të vitit 2015, është shtyrë për datën 22 nëntor.

Kjo pasi që as në këtë seancë nuk u paraqitën në gjykim Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi. Për shkak të mungesës së këtyre dy të akuzuarve, gjykatësi Beqir Kalludra vendosi që të përsërisë urdhëresën për sjellje të tyre me detyrim në gjykatë nga ana e Policisë së Kosovës, raporton GazetaBlic.com

Të pranishëm në këtë seancë gjyqësore ishin dëshmitarët dhe të dëmtuarit, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e Flora Brovina, si dhe Bekim Haxhiu.

Pas dështimit të kësaj seancës gjyqësore, deputeti Haxhiu i cili është përzgjedhur si dëshmitar i rastit nga ana e Prokurorisë së Shtetit është deklaruar për “Gazeta Blic”. Ai është shprehur i habitur me mos praninë e të akuzuarve Kurti dhe Kadaj-Bujupi, duke thënë se janë vetë ata që publikisht kanë treguar se e kanë hedhur gazin lotësjellës shkaku i kauzës së tyre politike.

Ne i jemi përgjigjë ftesës si dëshmitarë edhe pse besoj që edhe për trupin gjykues por edhe të akuzuarit është gjithçka e qartë, një vepër penale të cilën ata e kanë pranuar që e kanë bërë edhe publikisht për shkak të kauzës së tyre, prandaj tani është një farë forme e pakuptim se si tentojnë t’i ikun gjykimit dhe drejtësisë për një kauzë të cilën ata e kanë prokalmuar me dëshirë. Është non sens sjellja të cilën janë duke e bërë, e kanë pranu një kauzë të tillë dhe të njëjtën duhet të vin dhe ta thonë edhe në gjykatë”, ka thënë Haxhiu për “Gazeta Blic”

Tutje, ai ka konfirmuar se do të marrin pjesë sërish në seancën gjyqësore ndaj katër deputetëve të VV-së, e cila është caktuar të mbahet më datën 22 nëntor në orën 9:00 të mëngjesit.

Ne jemi të detyruar dhe të obliguar që sipas ligjit të jemi prezent. Prokuroria ka paraprë që ne jemi dëshmitarë të këtij procesi dhe sigurisht që do të marrim pjesë, ani pse të gjitha ato seanca me gaz lotësjellës i ka parë e gjithë bota dhe nuk ka diçka për të mos u thënë aty, një kauzë të cilës Albin Kurti sot po i ikë, tani a e ka ndryshu Kurti kauzën apo ka ndryshuar ai vetë duhet të vie në seancë dhe ta thotë”, ka deklaruar ai.

Në seancën e kaluar e cila është mbajtur më 13 shtator kishte munguar edhe deputetja Flora Brovina, ndaj të cilës gjithashtu ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Prokuroria pretendon se Deliu, Brovina e Haxhiu, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i aktivizuar në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes.

Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Albin Kurti ka munguar edhe në seanca të tjera të këtij gjykimi, ndërsa gjyqtari Beqir Kalludra ndaj tij ka lëshuar fletarrestim, të cilin e kishte pezulluar në kohën e zgjedhjeve për shkak se Kurti ishte kandidat për kryeministër i Vetëvendosjes.

Kurti mbrëmë ka qëndruar në Shqipëri, ku kishte shkuar për të përcjellur ndeshjen ndërmjet kombëtares shqiptare dhe Italisë e cila ishte zhvilluar në stadiumin e qytetit të Shkodrës “Loro Boriçi” /Gazeta Blic/

10/17/2017 08:16

Sot shqyrtohet buxheti i Kosovës