Lajme

Haradinaj thotë se LDK-ja e kishte refuzuar ofertën e amerikanëve për formimin e ushtrisë (VIDEO)

03/12/2017 16:42
nga:M H

Ramush Haradinaj, që ende po mbahet në Francë, e ka mirëpritur nismën e Presidentit të Kosovës, për ndryshimin e ligjit që do të mundësonte transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri.

Por ai ka thënë se Kosova këtë ka mundur ta bëjë edhe më parë, të paktën në dy raste, por që sipas Haradinajt, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte refuzuar një herë një variant të ofruar nga amerikanët.

Haradinaj këtë e ka treguar në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, ku tha se kosovarëve u ishte ofruar ushtria në këmbim të vendeve të rezervuara për pakicat edhe për një mandat.

“Tani e shoh këtë iniciativën për avancim ligjor të mandatit ose të kompetencave të ushtrisë – Pse jo? Çdo hap është i mirëseardhur. Por, ushtria ka mundur të krijohet edhe dy herë më parë në baza ligjore dhe kushtetuese për ushtrinë – në e kemi FSK-në – ajo ka mundur dy herë ta marrë këtë fuqi”, thotë Haradinaj.

“Një herë është humbur mundësia për shkak të vendeve të rezervuara, atëherë disa forca politike s’kanë pasur vullnet ta përkrahin një mandat të vendeve të rezervuara për pakica, se ka qenë e mundshme ofrimi i këtyre vendeve të rezervuara me votë, pra me ndryshimin e nenit për ushtrinë”.

“Na kanë afruar atëherë amerikanët në një tryezë, ku ishin edhe pakicat dhe ku u kërkua të binim dakord edhe për një mandat për vendet e rezervuara në këmbim të votimit të ushtrisë nga komuniteti serb. Kjo është e vërtetë, por atëherë LDK-ja pati marrë pozicion kundër këtyre vendeve të rezervuara dhe si rezultat i këtij pozicioni s’u arrit një unitet me pakicat – dështuan edhe vendet e rezervuara, por edhe votimi i ushtrisë”.

Haradinaj ka thënë se hera e dytë, kur ushtria ka mundur të bëhet ishte tash vonë, kur u votua për Gjykatën Speciale.

“Hera e dytë që është humbur mundësia është me formimin e Gjykatës Speciale, është dashur të merret si kompensim për Kosovën që do të ishte me ndryshimet kushtetuese dhe me fuqinë kushtetuese ligjore”, pohoi ai.

 

05/25/2017 13:32

Përurohet përmendorja e dëshmorit Feta Selca