Lajme

Haradinaj: Projektet infrastrukturore do të përfundohen me kohë

09/13/2017 12:33
nga:M H

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga kompanitë kontraktuese për ndërtimin e rrugëve që t’i kryejnë punët në afatin e përcaktuar kohor, në mënyrë që të mos ketë vonesa të pajustifikueshme.

“Jemi në punë dhe besoj se ata që marrin punë, pra punë kryesit e hetojnë se edhe ne jemi të saktë në punë. Duhet ta kuptojnë se vonesat e tyre në kryerjen e punimeve do të ishte lajm i keq për ne, për ata dhe për Kosovën. Kjo nuk do të tolerohet më. Skenat që kemi parë në të kaluarën nuk do të tolerohen. Nëse dikush ka marrë përgjegjësi për t’i kryer punë këtij vendi, ose do t’i kryej në afat kohor ose do të përjashtohet nga mundësia që të marrë punë nga publiku”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

Gjatë vizitës që i bëri Ministrisë së Infrastrukturës, i pari i ekzekutivit premtoi se do të përmbushen të gjitha obligimet nga ana e Qeverisë për përmbylljen me sukses dhe në afatin e përcaktuar kohor të të gjitha punimeve, si në autostradën “Arbën Xhaferi”, ashtu edhe në të gjitha akset tjera rrugore në nivel vendi.

“U njoftova se si kanë shkuar zhvillimet në autostradën “Arbën Xhaferi”, se në çfarë etape është. Kemi një obligim financiar të papërmbushur këtë vit. Do ta gjejmë një zgjidhje së bashku me Ministrinë e Financave. Njëkohësisht, dëshirojmë që atë projekt ta përmbyllim në afatin e caktuar kohorë, në mënyrë që të mos ndodhin vonesat”.

Haradinaj tha se në takim me ministrin Pal Lekaj është njoftuar edhe për projektet tjera infrastrukturore, duke përmendur ndërtimin e rrugës për në Pejë, për të cilën tha se kanë ndodhur vonesa, por që do të trajtohen me prioritet.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka njoftuar kryeministrin për politikat zhvillimore, ato ekzekutive, për rrjedhat e projekteve, duke u zotuar se do të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, të ndërtimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës.

09/24/2017 16:25

BE nuk komenton propozimin e Haradinajt për demarkacionin