Lajme

Halil Matoshi arsyeton Ramush Haradinajn për deklaratën ndaj gazetarëve!

09/13/2017 17:38
nga:D.I

Ish-gazetari Halil Matoshi, i cili u bë pjesë e partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj (AAK), para zgjedhjeve të 11 qershorit, ka komentuar polemikat që ndodhën mes Haradinajt dhe një gazetareje, gjatë një konferencë për media.

Në një prononcim për Periskopin, Matoshi i cili në Qeverinë ‘Haradinaj’ do të jetë drejtor i Zyrës për Informim, deklaroi se shefi i tij, Haradinaj, nuk ka thënë se gazetarët janë të pashkollë, por se u duhet më shumë profesionalizëm.

“Në kohën kur unë kam qenë gazetar, nuk ka pasur sajime të tilla nga gazetarët. Haradinaj nuk ka thënë se gazetarët janë të pashkollë, por se u duhet më shumë profesionalizëm. Ky nuk është ofendim, meqë të gjithë kemi nevojë për më shumë shkollë. Fatkeqësisht, sajime të tilla po bëhen për hir të klikimeve”, tha Matoshi.

Ndërkohë, kryeministri Haradinaj, gjatë konferencës për media iu kundërpërgjigj një gazetareje, e cila i tha Haradinajt se Ambasada Amerikane nuk pajtohet me shkarkimin e Murat Mehës dhe Komisionit për Demarkacion.

“Kam respekt për media shumë, por shumica prej juve, as nuk dini të lexoni anglisht, as nuk po dini t’i kuptoni se çfarë kanë thënë, problemi është i juaji, nuk kam ndonjë koment. Ju po raportoni pa ditë se si po raportoni, besoni, shkoni më shumë në shkollë, shikoni çfarë po thonë ata. E kam lexuar deklaratën e amerikanëve dhe kjo që po thua ti nuk është ashtu. Nuk ka asnjë fjalë diku që thotë ‘nuk pajtohemi me këtë apo me atë’”, ka thënë Haradinaj në konferencë.

11/24/2017 11:36

Çfarë thotë Haradinaj për arrestimin e deputetëve?