Cult

Gashi: Kujdes i veçantë për aktivitetet e institucioneve të pavarura të kulturës

09/13/2017 13:50
nga:M H

Ministri i ri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi, ka takuar sot drejtuesit e Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK), me të cilët diskutoi për situatën kulturore në vend dhe përmirësimin e saj.

Në lidhje me këtë, ministri Gashi ofroi gatishmërinë e plotë të ministrisë që ai drejton për të punuar që kultura të ketë vendin meritor në vend dhe në skenën kulturore ndërkombëtare.

“Ministria do të jetë adresa e duhur për përkrahjen e kulturës dhe do të jetë një derë e hapur për bashkëpunim të mirëfilltë në të mirë të kulturës dhe mbështetje të vlerave”, tha ministri Gashi.

Ai u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për të rritur buxhetin për fushën e kulturës, sidomos subvencionimin e projekteve kulturore, përkundër që MKRS-ja ka obligime të shumta, por me një bashkërendim të punëve do të arrihen synimet dhe objektivat që do të kemi përpara.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i RRIPAK, Albert Heta, u shpreh se MKRS-ja do të jetë e hapur për një bashkëpunim më të madh me shoqërinë civile, sidomos në fushën e kulturës, ashtu që njerëzit që merren me kulturë të trajtohen me dinjitet.

Ndërkaq, regjisori Fadil Hysaj, inkurajoi që të përkrahen vlerat dhe elitat e mirëfillta kulturore në mënyrë që kultura e Kosovës në përgjithësi të tregojë rolin e vet në shoqëri duke ndikuar dhe në një zhvillim ekonomik, si dhe në një ndikim më të madh të promovimit të Kosovës ndërkombëtarisht.

Në takim u diskutua edhe për një varg çështjesh tjera, për bashkërendim të palëve për çështjen e UNESCO-s, për aplikim në tërë programet e Creative Europe, për mundësinë e krijimit të një fondi unik për kulturë dhe art, si dhe për krijimin e një Këshilli Kombëtar për art dhe kulturë, i cili do të monitoronte dhe këshillonte për politikat kulturore në Kosovë.

09/15/2017 14:14

Ministri dhe komandanti informojnë Haradinajn për FSK-në