Opinion

Fushatë zgjedhore pa “ethe“ në Gjermani

08/22/2017 08:45
nga:Mimoza Kelmendi

Temperaturat e ulta të motit me rreshje, duket që kanë ndikuar edhe në „ftohjen“ e gjermanëve në fushatë zgjedhore, e cila edhe pse ka filluar prej shumë ditësh nuk përjetohet shumë në jetën e përditshme. Ajo që ndjen apo sheh çdo qytetar, janë rrugët e mbushura me pllakata të kandidatëve të partive përfaqësuese që konkurojnë. Këtu në Gjermani pllakatat dhe posterat janë mjeti më publik i reklamës dhe mund të arrijë miliona votues, sidomos në qendrat urbane, brenda kohës më të shkurtër të mundshme. Sikurse në zgjedhjet e 2013, edhe këtë rradhë nuk pritet ndonjë debat i nxehtë mes konkurentëve.

Ndërkohë sondazhet e kanë shpallur fituesin me kohë. Diferenca e madhe mes rivalëve e bën fushatën edhe më monotone.

Me 24 shtator rreth 62 milionë qytetarë gjermanë do të votojnë për zgjedhjet e 19-ta të Bundestagut (Parlamenti gjerman) ku kandidojnë më shumë se 48 parti. Partitë politike në Gjermani janë të spektrit të ndryshëm nga të majta ekstreme deri në të djathta, konservatorët, të majtët, socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbërit. Dhe mjeti më i rëndësishëm i fushatës zgjedhore, në Gjermani po ashtu si në SHBA janë mediat. Mediat publike dhe ato private të cilat shfrytëzohen për spote zgjedhore, për takime kandidatësh, por në fushatë zhvillohen edhe takime informative me qytetarët, në formën klasike. Më e rëndësishmja mbetet televizioni, sepse gjermanët kalojnë mesatarisht 2 orë në ditë para televizorit.

Zgjedhësit do te shkojnë në kutitë e votimit për të dhënë votën e tyre për 598 deputetë që do të ketë Bundestagu i ri. Ndër temat më kryesore që trajtohen më së shumti në programet e partive janë:  Për një mirëqënie  më të lartë të qytetarëve, për më shumë drejtësi, të ardhme të sigurtë, rritje ekonomike në vend, të drejta të barabarta sociale për të gjithë, siguri ndaj terrorizmit dhe për një Europë më të fuqishme. Ajo që bie në sy shumë në bisedat e krerëve të lartë të partive konkurrentë nëpër media, është trajtimi i çështjeve sociale mjaft të prekshme për qytetarët si: pagat e ulta, politika mbi tatimet, pensionet,  shkollimi i të rinjve dhe punësimi i tyre, integrimi i refugjatëve. Nga pikëpamja ekonomike në këtë vit zgjedhor shtrohen shumë pyetje: A duhet të investojë tani qeveria më shumë në infrastrukturë dhe arsim? A duhen ulur taksat në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë para në xhepin e tyre? A ka shpëtim kriza e dizelit që ka përfshirë industrinë e prodhimit të automibilëvë „Made in Germany“? Dhe si paraqitet çështja e “drejtësisë sociale” që SPD-ja e ka identifikuar si një çështje madhore të zgjedhjeve?

Nga sondazhet aktuale parashikohen këto rezultate: Unioni (CDU/CSU) fiton 40 % të votave, ndërsa SPD fiton 24 % të votave. Por në garën për postin e kancelarit të Gjermanisë, 63 vjeçarja Merkel ka epërsi të madhe ndaj rivalit të saj socialdemokrat, Martin Schulz. Sondazhet flasin për  një fitore të sigurtë të saj. Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin të dielën (20.08.17), Merkelin do ta votonin sipas sondazheve rreth 60 për qind e qytetarëve, ndërsa ish Presidentin e Parlamentit Europian, Schulz rreth 30 për qind.

Avantazhet e Merkeli?

Dikur ajo ishte „vajza e Kohlit“, ndërsa sot gruaja më e pushtetshme në Gjermani: Angela Merkel ka sfiduar jo lehtë garën me burrat e Unionit për të arritur në krye të qeverisë. Ithtarët e saj e vlerësojnë për maturinë, ndërsa kritikët e qortojnë për stilin ngurrues. Sipas politologëve, ajo tashmë është një politikane popullore dhe gjermanët me Merkelin ndjehen në duar të sigurta. Ajo di të zgjidhë problemet dhe e ka plotësisht nën kontroll punën. Edhe pse  kundershtarët e saj menduan se me politiken e saj ndaj refugjatëve „Wir schaffen das“(ne do t’ia dalim mbanë) do t’ja ulte suksesin, Merkeli arriti të ringjitet përsëri në sondazhet e ardhëshme, falë maturisë. Madje tema e refugjatëve nuk është fare në fokus të fushatës zgjedhore për të dy partitë e mëdha rivale. Të paktën deri tani. Dhe kjo është e natyrshme, pasi  nuk mund të fitohet politikisht me çështjen e refugjatëve.  Por Merkel u largohet problemeve dhe në fund u bashkohet mendimit të shumicës, mendojnë ekspertët. Fakti që Gjermania vazhdon të jetë një vend me ekonominë më të fuqishme në Europë e ndihmon Merkelin në pikët e saj për të vazhduar edhe më tej qeverisjen e vendit. Ajo tashmë e ka dëshmuar se mund të udhëheqë si duhet dhe me sukses.