Lajme

Flet personi i cili u rrah nga Policia (Video)

05/16/2017 21:42
nga:M H

Personi, i cili në pamjet e publikuara dje nga KALLXO.com shihet teksa grushtohet nga një zyrtar policor, ka rrëfyer sot se si ndodhi ngjarja.

Ai tregon se gjithçka nisi kur ai u ndal në afërsi të qendrës tregtare “Albi Mall” nga Policia. Sipas tij, zyrtarët policorë nuk i kishin dhënë arsyen e ndaljes.Qytetari tregon se policët fillimisht ia kontrolluan veturën. Ai ankohet se gjatë kontrollit i kanë shkaktuar dëme materiale në veturë.

Duke e parë sjelljen jo të rregullt të Policisë, qytetari ka filluar ta xhirojë situatën me telefon.Sipas tij, në momentin që policët e kuptuan se po xhironte filloi të përkeqësohej situata.“Mu kanë afru edhe më kanë detyru me ndal videon. Ua kam dhënë telefonin se ma kanë kërku dhe më kanë kërku me hap telefonin dhe unë nuk e kam hap. Më kanë bërë presion 5 policë që unë me hap telefonin edhe nuk kam pranu pasi që u dashtë me urdhër të prokurorit dhe më janë drejtuar se duhet ta hapësh se nuk e ki qare”, tha ai.

Pasi ka refuzuar ta hapte telefonin, qytetari rrëfen se kishin filluar rrahjet që sipas tij nuk janë ndalur nga vendi i ngjarjes e deri te stacioni policor.“Kanë fillu me m’grushtu, me m’shkelmu. Më kanë arrestu, pasi që më kanë arrestu për dy dursh më kanë kap edhe tjetri më ka kap për fyti, më kanë goditë, më kanë arrestu, më kanë shti në veturë, tuj m’sha, tuj m’godit”, tha viktima.Për shkak të dhunës, ai thotë se është detyruar ta fshijë videon.Po ashtu, ai pretendon se në Polici është detyruar ta nënshkruajë deklaratën sipas të cilës ai kinse ka sulmuar policët.Për shkak të lëndimeve trupore të marra nga rrahjet në vendin e ngjarjes dhe në stacionin policor, qytetari thotë se ka pranuar tretman mjekësor.

Qytetari tha se ka bërë ankesë në Inspektoratin Policor, ku, sipas tij, i kanë premtuar se rasti do të merret me urgjencë.I kontaktuar nga KALLXO.com, Inspektorati Policor ka thënë se ka pranuar ankesën e qytetarit dhe se rasti është duke u hetuar.“Dje është pranu një ankesë lidhur me rastin. Fillimisht ka kalu në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave pastaj është transferu në Departamentin e Hetimeve”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com publikoi një video ku shihet se si një zyrtar policor ushtron dhunë ndaj një të prangosuri.

 

 

 

10/16/2017 20:29

Rrobat e viktimave të luftës në Kosovë ruhen në kushte më të mira