Lajme

Fila: Serbia e kërkon Haradinajn për vepra për të cilat nuk është gjykuar

01/11/2017 08:37
nga:Gazeta Blic

Serbia kërkon ekstradimin e Ramush Haradinaj për veprat e reja që nuk ishin në aktakuzën e prokurorisë në Hagë dhe për këtë ka prova, thotë avokati nga Beogradi, Toma Fila.

“Prokuroria e Hagës e ka akuzuar Haradinajn në mënyrë që ai të lirohet. Prokuroria ka mjete që aktakuzën, nëse dëshiron, t’a shkruajë në atë mënyrë që të refuzohet, hidhet poshtë ose lënda vjetërohet, tha Fila për agjensinë Tanjug, me rastin e vlerësimit të ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë se Haradinaj do të ekstradohet në Serbi vetëm nëse krimet e ngarkuara kundër tij nga Serbia ndryshojnë nga ato për të cilat ai ishte akuzuar në gjyqin e Hagës, raporton B92.

I pyetur në çfarë kushtesh Franca mund të ekstradojë Haradinajn në Serbi, Fila ka thënë se gjykata e atjeshme duhet që në bazë të provave tona të përcaktojë se rasti kundër Haradinajt nuk është politik dhe ne duhet të bindim gjykatën se gjykimi i Haradinajt në Beograd nuk do të ketë implikime politike.

Fila, i cili ka përfaqësuar të akuzuarit para Tribunalit të Hagës, theksoi se ai personalisht është pesimist në lidhje me reagimin pozitiv të Francës në kërkesën e Serbisë për ekstradim.

“Reagimi i gjithë Perëndimit është se ne nuk duhet të shpallim fletëarreste dhe se krimet që janë kryer kundër serbëve nuk duhet të dënohen”, tha Fila.

Ai gjithashtu beson se për Serbinë është i papranueshëm propozimi i Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Avokatëve Ndërkombëtar, sipas të cilit Serbia ka mundësinë që të pranojë se kjo është një çështje e ndjeshme politikisht dhe të kërkojë nga Franca që të ngritë aktakuzën dhe të gjykojë Haradinajn në bazë të parimit të juridiksionit universal për krimet e luftës.

“Kjo është një shpatë me dy tehe”, tha Fila.

Ai beson se francezët do të refuzojnë të pranojnë këtë, ndërsa Serbia kështu do të pranonte se gjykimi ishte politik.

Ministria serbe e Drejtësisë dje u ka dërguar autoriteteve gjyqësore franceze kërkesën për ekstradim e Ramush Haradinajt.

Së bashku me kërkesën për ekstradim është dërguar dhe dokumentacioni mbështetës i përkthyer në një gjuhë frënge, në bazë të të cilit sistemi francez i drejtësisë do të vendosë për përmbushjen e kushteve për ekstradim të Haradinajt në Serbi.

10/21/2017 20:37

Kjo është qenda e votimit ku nesër voton Kryeministri