Lajme

EKSKLUZIVE: Quni e Baxhaku i thonë JO Mustafës për Demarkacionin! Përplasen ashpër Agim Veliu e Hatim Baxhaku!

04/20/2017 21:24
nga:Gazeta Blic

Demarkacioni ka përplasur sot ashpër deputetin e LDK-së Hatim Baxhaku me nënkryetarin e kësaj partie, Agim Veliu. Madje në një moment, ka eskaluar debati ndërmjet tyre.

E gjithë kjo ngjarje ka ndodhur në takimin e sotëm të zhvilluar ndërmjet liderit të LDK-së, Isa Mustafa, nënkryetarit Agim Veliu dhe anëtarit të Kryesisë, Arban Abrashi me Kryesinë e Degës së kësaj partie në Prizren.

Kështu kanë bërë të ditur për Gazetën Blic burime jo zyrtare.

Sipas këtyre burimeve, takimi ka zgjatur për rreth tri orë, gjegjësisht nga ora 16 deri në ora 19.

“Ky takim është përcjellur me një debat të ashpër për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Deputetët e LDK-së nga Prizreni, Hatim Baxhaku e Anton Quni kanë mbrojtur para Isa Mustafës dhe Kryesisë së LDK-së qëndrimin kundër versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi”, ka bërë të ditur ky burim.

Në një moment sipas këtij burimi, ka eskaluar situata ndërmjet Agim Veliut e Hatim Baxhakut.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, mësohet që Veliu në një moment t’i ketë thënë Baxhakut që mos votimi i demarkacionit është tradhti dhe dëmtim jo vetëm personal, por edhe i partisë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Hatim Baxhakut, i cili e kishte goditur ashpër Veliun.

“Ju me qëndrimin pro këtij versioni të demarkacionit me Malin e Zi, jeni duke e shkatërruar LDK-në dhe jeni duke e dëmtuar raportin tonë me votuesit dhe njerëzit e LDK-së”, tregon ky burim jozyrtar i Gazetës Blic.

Madje, sipas këtij burimi, në një moment Baxhaku ia kthen Veliut se kjo gjuhë është e papranueshme dhe se nuk flitet kështu.

Në anën tjetër, Anton Quni e ka kundërshtuar ashpër edhe arsyetimin e kryeministrit Isa Mustafa për votimin e versionit aktual të demarkacionit.

Quni, sipas burimeve të Gazetës Blic ka theksuar se kjo nuk është mënyra e duhur për parashtrimin e kësaj çështjeje.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, në këtë takim kryesia e LDK-së në Prizren patën pakënaqësi me zëvendësministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ankesat kishin të bënin me atë që këta nuk kanë punuar fare, dhe se nuk e meritojnë të jenë në ato pozita.

Në anën tjetër, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka shprehur vullnet për ta mbështetur degën e partisë në Prizren.

Mbështetje të fuqishme i është dhënë edhe mënyrës se si po drejtohet dega e partisë, nga lidershipi i LDK-së në Prizren,.

Ndërkaq, zyrtarisht Gazeta Blic nuk ka arritur që ta kontaktoj asnjë nga zyrtarët e LDK-së të pranishëm në këtë takim.

Ndryshe, kryeministri i vendit, disa herë ka paralajmëruar deputetët e LDK-së që nuk do ta votojnë demarkacionin me Malin e Zi.

Madje, ai i ka kërcënuar edhe me përjashtim nga partia.

Në anën tjetër, PDK e Kadri Veselit ka paralajmëruar se nëse nuk kalon demarkacioni, zgjedhjet janë të pashmangshme.

Si datë e mundshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare është përmendur fundi i majit, ose fillimi i qershorit.

 

10/18/2017 22:03

LDK-ja partia më e gjobitur në fushatën zgjedhore (Video)